Të enjten, më 28 shtator 2017 duke filluar në ora 19:00, Germin fton mërgatën shqiptare nga Vjena dhe vendet tjera të Austrisë në një koktej rasti për të bashkëbiseduar për potencialin e tyre në vendet e origjinës. Takimi mbahet në Vjenë, lokacioni: Universiteti Ekonomik i Vjenës (Welthandelsplatz, 1020 Wien, Österreich).

Cili është qëllimi i takimit?

Diaspora është kontribues kyç në ekonominë e vendit, dhe në zhvillimin e saj shoqëror e politik. Për të njohur kontributin e saj dhe nxitur zhvillimin dhe potencialin për bashkëpunim, organizata Germin ka filluar nismën: Dialogu i Strukturuar për të Drejta të Diasporës (DSDD) – www.diasporaflet.org.

Për të mësuar më shumë rreth nismës DSDD, Germin fton bashkatdhetarët në një koktej rasti ku do të ketë edhe një diskutim të hapur (Open Mic) për t’u njohur dhe diskutuar rreth mundësive për bashkëpunim. Në këtë ngjarje, përfaqësuesit e Germin-it do të flasin shkurt për qëllimin e iniciativës DSDD, platformën Diasporaflet.org dhe se si diaspora mund te bëheni pjesë përkrahëse e saj. Po ashtu, gjatë këtij takimi do të prezantohet misioni dhe puna e disa individëve/organizatave dhe bizneseve shqiptare në Austri, të cilët do të flasin për potencialin e mërgatës sonë.