Nga cili shtet pritet të kemi më së shumti votues të diasporës?

Të gjithë mërgimtarët e Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit kanë mundur ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë e cila ju garantohet me ligj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2017.  Deri më 22 maj 2017 në KQZ janë dorëzuar 20,354 aplikacione për regjistrim, nga 57 shtete, duke i përfshirë edhe kombësitë e tjera joshqiptare. Në total 16,209 aplikacione janë dorëzuar në e-mailet zyrtare (ovpp@kqz-ks.org dhe ogpp@kqz-ks.org) kurse 3,892  me postë dhe 253 përmes fax-it.

Nga 20,354 aplikacione, KQZ ka aprovuar 74% të aplikacioneve, apo 15,118 dhe ka refuzuar 25% të aplikacioneve apo 5236. Arsyeja kryesore e refuzimit të aplikacioneve e raportuar nga KQZ ishte:

  1. 97.48% e aplikantëve nuk i kanë plotësuar kriteret juridike.
  2. 2.25% e aplikantëve nuk e kanë nënshkruar formularin e regjistrimit.
  3. 0.27% e aplikantëve nuk e kanë plotësuar kriterin e moshës.

Mërgimtarët nga Zvicra janë ata të cilët kanë dërguar më së shumti aplikacione për regjistrim. Numri arrin në 5,432  nga të cilat rreth 15% janë refuzuar, apo 814 aplikacione. Pas Zvicrës renditet Gjermania, nga ku janë dërguar 4,430 aplikacione dhe janë refuzuar 651 sosh. Pas Gjermanisë renditet Austria, nga ku janë dërguar 853 aplikacione, dhe 139 janë refuzuar. Ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur 498 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 93.

Më së paku aplikacione KQZ ka pranuar nga shtetet e Afrikës dhe Azisë, një ose dy aplikacione, me përjashtim të Kazakistanit nga ku janë dërguar 331 aplikacione dhe 16 janë refuzuar (shteti me më së shumti aplikacione të aprovuara).

Kurse nga Serbia kanë qenë 4395 aplikacione, dhe janë aprovuar 43,66% dhe 56.33% janë refuzuar. Edhe pse statistikisht nga Serbia ka pasur më së shumti aplikacione të refuzuara, përsëri nga diaspora shqiptare janë dërguar më së pakti aplikacione, duke u bazuar në numrin potencial të zgjedhësve shqiptarë jashtë vendit (mbi 300 mijë votues).

Për më shumë detaje nga rezultatet e aplikimit jashtë vendit, statuset e aprovuara dhe të refuzimit, klikoni në këtë vegëz e cila shfaq  të dhënat në mënyrë interaktive për secilin shtet.

Përshkrimi: Kjo infografikë përshkruan të dhënat përgatitura nga organizata jo-qeveritare Germin për votimin jashtë vendit, për zgjedhjet e parakohshme paralamentare 2017.