Rrugët, sheshet e dyqanet e mbushura me njerëz gjatë verës në Kosovë tregojnë se ky shtet i vogël ka shumë mërgimtarë. Ani pse deri më tani Ministria e Diasporës së Kosovës ka regjistruar rreth 400 mijë mërgimtarë, besohet se kjo shifër është shumë më e madhe. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, të ardhurat nga diaspora në Kosovë kapin vlerën e 700 milionëshit në vit. Pra, mërgimtarët japin shumë për atdheun e tyre, por çfarë po ‘jep’ ky i fundit për ta?

Pritjet e gjata nëpër dogana, pritjet për dokumentacione në administratë, stereotipet e ndryshme janë vetëm disa nga problemet me të cilat mërgimtarët ballafaqohen në Kosovë.

Organizata jo-qeveritare Germin që merret me identifikimin e nevojave shoqërore dhe politike të këtij grupi social, vë në pah edhe probleme tjera të mërgimtarëve.

“Disa nga temat e ngritura për shqetësim dhe ku diaspora ballafaqohet në mënyrë direkte janë: Pjesëmarrja dhe e drejta e votës për diasporën në zgjedhjet e përgjithshme dhe komunale në Kosovë – e cila teknikisht po ju mohohet; përfaqësimi i diasporës në Kuvend të Kosovës; marrëveshjet për pensione me shtetet e diasporës (respektivisht me Zvicrën); mësimi plotësues në diasporë; sigurimi kufitar dhe problemet me Kartonin e Gjelbër; shërbimet komunale efikase ndaj diasporës”, thonë për Gazeta e Re përfaqësuesit e Germin.

Se shteti i Kosovës nuk është duke bërë sa duhet për qytetarët që jetojnë jashtë tij, e pohon edhe Ilaz Hysaj i cili jeton në Francë që nga viti 1990. Hysaj që punon si mjek dhe është bashkëthemelues i Qendres Kulturore Shqiptare në Paris shpreh indinjatën e tij karshi institucioneve kosovare.

“Shteti i Kosovës nuk bën asgjë për mërgimtarët. Jo pak, por bash asgjë. Ende nuk ka arritur të bëjë një repertor të popullatës që gjendet jashtë dhe të identifikojë ata sipas profileve dhe vendit dhe t’i ftojë në bashkëpunim, ashtu siç bëjnë gjitha shtetet e botës me kapitalin material dhe intelektual të kombit kudo qofshin ata. Shteti jonë kënaqet me remitencat që sjellin mërgimtarët gjatë pushimeve, me vjeljen e tyre duke filluar nga kartoni i gjelbër, me ndërtimet që bëjnë ata në shtëpi megalomane ku i punësojnë disa mjeshtër sezonal dhe zbrazin depot e materialeve ndërtimore”, thotë Hysaj.

Në fakt, Shefi i Kabinetit pranë Ministrisë së Diasporës Kushtrim Sheremeti, tregon se kjo ministri për bashkatdhetarët ka organizuar rreth 200 aktivitete në gjithë Kosovën që përfshijnë fushat e kulturës, sportit, aktivitete sociale dhe ekonomike, e që në fokus kanë fëmijë. Por, për një mërgimtar aktivitetet e tilla nuk janë të duhurat.

“Ministria e Diasporës në Ditët e Diasporës kënaqet me disa shëtitje dhe manifestime mediokre që organizon për mërgimtarët, thuese ne nuk dijmë me shkue vet te Memoriali i Jashrëve, Biblioteka Kombëtare, liqejt e Mirushës apo të hajmë një drekë restoraneve që i zgjedhin ata. Çka bënë Ministria e Diasporës për fëmijët që po rriten në mërgim? Sa dijnë me iu ofrue diçka në atdheun e prindërve që ata të ndjehen mirë dhe të kenë dëshirë të vijnë dhe të investojnë një ditë? Asgjë”, shprehet Hysaj.

Por, arsyetimi i Ministrisë së Diasporës për mungesë projektesh e aktivitetesh, është buxheti i limituar. “Para së gjithash, shteti duhet të rris buxhetin e Ministrisë se Diasporës në mënyrë që lidhjet me diasporën të ruhen dhe lidhen edhe më shumë ndërsa një theks i veçantë do duhej të ishte në kthimin e trurit në atdhe si dhe në krijimin e programeve për investime”, thotë Sheremeti.

Edhe Hysaj në këtë rast konsideron se Qeveria e Kosovës duhet ta reformojë Ministrinë e Diasporës dhe t’i japë më shumë mjete dhe mundësi veprimi. “Ministria e diasporës si prioritet duhet të bëjë regjistrimin e gjithë mërgimtarëve sipas profileve dhe vendeve, në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike. Të rihapë shkollat shqipe dhe Qendrat Kulturore së paku nëpër metropolet botërore. Të bashkëpunojë dhe të ofrojë më shumë kushte të favorshme për të gjithë biznesmenët që të investojnë në ekonominë. Të ndërpresë urgjentisht taksën e kartonit të gjelbër që ta jep ndjesinë e plaçkës si të futesh në derën e shtetit tënd, të aplikojnë të njëjtat masa si për gjithë qytetarët e Kosovës; as të falen e as të ndëshkohen më shumë kur bëjnë gabime. Të bëhet më shumë për pasurimin e jetës kulturore gjatë periudhës kur mërgimtarët qëndrojnë në atdhe të cilët pos dasmave, synetive, Durrësit dhe restoraneve , pak shijojnë diçka me vlerë. Të organizohen shëtitje me guidë rreth vendeve arkeologjike si Ulpiana, Artana, Vushtria… si dhe oazat e bukura natyrore që rrallë kush i ka për të rritur dëshirën që ata të investojnë në turizmin kulturor dhe në agroturizëm”, shton Hysaj.

Veç këtyre, përfaqësues të OJQ Germin thonë se “Është shumë e rëndësishme që shteti ynë të bëjë identifikimin e nevojave dhe potencialeve të diasporës tonë.
-Qeveria e Kosovës në planet e veprimit dhe strategjitë qeveritare duhet ta përfshijë diasporës si pjesë e proceseve politikëbërëse.
-Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mekanzima për të përfituar nga eksperienca e shqiptarëve të diasporës dhe të shfrytëzojë kapacitetet profesionale të tyre.
-Po ashtu duhet të përpilohet një Strategji afatgjate për ta mbajtur të gjallë lidhjes mes diasporës së atdheut, sepse vit pas viti po vërejmë një shkëputje sidomos nga gjeneratat e dyta, treta”, theksohet nga Germin.

Kujtojmë se edhe këtë vit në qytete të ndryshme të Kosovës po mbahen aktivitetet nën moton ‘Ditët e Diasporës’ që shënohen me manifestime të ndryshme./Arbenita Bungu/

Artikull i publikuar në portalin Gazeta e Re: https://www.gazetaere.com/mergimtaret-te-nencmuar-ne-atdheun-e-tyre/