fbpx
May 9, 2019

Prizreni lanson për herë të parë platformën dhe forumin për investime nga Diaspora

By Germin-18301 Views-No Comment

Komuna e Prizrenit së bashku me Organizatën jo-qeveritare GERMIN, sot, më 7 maj 2019 lansuan projektin “Forumi i Bashkë-Investimë dhe Rrjetëzimit”, që synon të tërheqë investimet e huaja dhe nga Diaspora në qytetin e Prizrenit. Me mbështetjen e Komunës së Prizrenit, shoqatat e biznesit (Shoqata e Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit- SHZAP, Asociacioni i Biznesmenëve dhe Zejtarëve – ESNAF) dhe Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, përmes këtij Forumi synohet tërheqja e investitorëve nga jashtë dhe diaspora si dhe krijimi i lidhjeve të reja tregtare për bizneset vendore.

Në ambientet e Komunës së Prizrenit u prezantuan qëllimet e këtij projekti dhe uebfaqes së investimeve (investinprizren.com).  Ky forum pritet të mbahet në datat 5, 6 dhe 7 korrik 2019.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, shprehi vullnetin dhe gatishmërinë e Komunës për të promovuar investimet nga Diaspora dhe investitorët tjerë të huaj. Kryetari Haskuka theksoi se potenciali i diasporës për investime duhet të kanalizohet  në fusha që gjenerojnë punësim dhe të ardhura e jo vetëm konsum. Ai falenderoi pjesëmarrësit dhe Organizatën Germin për lehtësimin e këtij procesi si dhe tha së Komuna është hapur për bashëkpunim dhe mikpritje të investitorëve.

“Forumi i Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit” do të fokusohet në ofrimin e një pasqyrë sa më të qartë për investitorët e jashtëm dhe nga Diaspora, si dhe për mundësitë zhvillimore dhe biznesore që i ofron qyteti i Prizrenit.  Tërheqja e kompanive të huaja dhe nga Diaspora për të investuar në Prizren është një nga synimet kryesore për t’u arritur përmes këtij bashkëpunimi, siç është edhe krijimi i mundësive për të lidhur prodhuesit vendor me partnerë në tregjet e jashtme” – u shpreh Drejtoresha e GERMIN, Liza Gashi gjatë lansimit të projektit.

Te pranishmit i përshëndeti edhe Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, e cila e mirëpriti këtë iniciativë dhe informoi pjesëmarrësit rreth trajnimeve përgatitore për eksport dhe B2B që kjo organizatë do t’i bëjë në Prizren gjatë muajit Maj, të cilat do t’i shërbejnë bizneseve lokale për të zgjeruar kapacitetet biznesore.

Ndërkohë, në emër të Unionit të Biznesve Shqiptare-Gjermane, Bekim Brestovci, e përshëndeti këtë projekt dhe informoi të pranishmit rreth bizneseve anëtare të Unionit dhe projektet që janë duke i planifikuar në Kosovë. Ai gjithashtu tha se janë të hapur për bashkëpunim dhe krijimin e urave të komunikimit për  të kontribuuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Lirim Krasniqi, Menaxher i Projektit nga Germin, prezantoi informatat më të hollësishmë rreth punëve të këtij projekti, të gjeturat nga hulumtimi mbi identifikimin e sektorëve strategjik në Prizren dhe datat e Forumit. Gjithashtu, u prezantuar platforma www.investinprizren.com e cila do të përditësohet me të dhëna rreth ambientit biznesor në Prizren.

Platforma www.investinprizren.com, nga sot do të shërbej si pikë kontakti dhe informacioni për të interesuarit për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe gjithashtu do të përditësohet në vazhdimësi me informacione rreth  mundësive që i ofron qyteti i Prizrenit.

Përfitues të këtij programi/projekti do të jenë qytetarët, bizneset dhe institucionet e Komunës së Prizrenit të mandatuara për zhvillim ekonomik, si dhe kompanitë me potencial investues nga jashtë dhe nga diaspora. Në këtë forum, që pritet të jenë më shumë se 40 investitorë nga diaspora, të cilët kanë shprehur interesimin e tyre për të qenë bashkë-krijues për të ardhmen e Prizrenit.’

#InvestinPrizren

Facebook Fanpage: Invest in Prizren!