fbpx
Maj 17, 2018

Organizata jo-qeveritare dhe Filantropia Shqiptare

Nga Germin-2972 Shikime-Asnjë koment

PLANI I VEPRIMIT PËR FILANTROPINË E DIASPORËS

MAJ 17-20, 2018

Krijimi i një Fondacioni Global Shqiptar

QËLLIMI

Qëllimi i këtij komponenti të Planit të Veprimit nga Germin është themelimi dhe zhvillimi i Fondit Global Shqiptar (FGSH) i cili do të promovojë Filantropinë Shqiptare në Diasporë që do të mbështesë organizatat jo-fitimprurëse në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor ku jetojnë shqiptarët. Gjithashtu kemi si qëllim të zhvillojmë një përqasje më të decentralizuar që i përket shekullit 21, krahasuar me përqasjen tradicionale të shekullit të kaluar e cila ishte e centralizuar.

SYNIMET TONA

  1. Krijimi i Fondit Global Shqiptar (FGSH) në SHBA dhe së paku në një shtet tjetër në Bashkimin Europian që të bëjë mbikqyrjen e donacioneve nga shqiptarët anë e mbanë botës, për organizatat jo-fitimprurëse në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi dhe Serbinë Jugore.
  2. Zhvillimi i një platforme dixhitale të filantropisë për mbledhjen e fondeve përmes së cilës komuniteti global shqiptar do të mund të kontribuojë direkt tek organizatat dhe projektet që ata dëshirojnë t’i mbështesin, bazuar në vendndodhjen, sektorin apo çfarëdo kriteri tjetër që ata e konsiderojnë të rëndësishëm.
  3. Në një periudhë më afatgjate të shndërrohet në një fondacion të madh humanitar me disa donatorë të fuqishëm shqiptarë dhe jo-shqiptarë (individë dhe korporata) që do të shërbejë si Fondacion Këshilldhënës për Donatorët dhe do të shpërndajë grante të vogla e të mëdha për organizatat meritore jo-fitimprurëse në Ballkanin Perëndimor.   

FGSH do të ndihmonte organizatat jo-fitimprurëse të mbledhin fonde si më poshtë vijon

  1. Ofrimin e një link-u të besueshëm nga një organizatë e bazuar në diasporë (FGSH), që do të ishte e besueshme prej donatorëve të mundshëm nga Diaspora Shqiptare (dhe të huaj) për të shqyrtuar organizatat donatore lidhur me besueshmërinë, kompetencën, ndikimin dhe transparencën e tyre.
  2. Ofrimin e një mekanizmi për marrjen e donacioneve online për të gjitha organizatat jo-fitimprurëse të Ballkanit Perëndimor që aktualisht nuk ekziston, duke mundësuar dukshëm dhënien e donacioneve dhe uljen e kostove të Filantropisë së Diasporës (duke filluar nga Tarifa prej 1% për donacionet); dhe
  3. Ofrimin e një mekanizmi për donatorët nga Diaspora Shqiptare që të kenë avantazhe  për zbritjen nga taksat, gjë të cilën nuk mund ta kenë kur bëjnë donacione direkte tek organizatat jo-fitimprurëse në Ballkanin Perëndimor.

PROFILI

Kombi Shqiptar numëron rreth 10 milion njerëz të shpërndarë në shumë shtete, dhe një përqindje e lartë e tyre jeton jashtë vendit të tyre të origjinës — Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të zi dhe Serbisë. Si përqindje e popullatës së tërësishme, padiskutim që është Diaspora më e madhe e ndonjë vendi Europian, dhe njëra nga më e madhja në botë me mbi 25% të popullatës të emigruar në 25 vitet e fundit.  

Historikisht, kontributi më i madh financiar i Diasporës, është bërë përmes remitancave. Sidoqoftë, remitancat kanë rënie drastike mbi 50% në 5-10 vitet e fundit, pasi Diaspora është vendosur më shumë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Është e mundshme që të ketë rënie edhe më të madhe përderisa Diaspora Shqiptare vazhdon të jetojë jashtë vendeve të origjinës së tyre.   Eshtë e rëndësishme për t’u vënë në dukje se për shkak të nivelit të lartë të të ardhurave në vendet e emigrimit, krahasuar me vendin e origjinës, padyshim që pasuria më e madhe shqiptare është e përqeëndruar në Diasporë. Lind pyetja, si të tërheqim një pjesë të kësaj pasurie prapa në rajon, që të promovojmë zhvillimin ekonomik e social në shekullin 21.  

Filantropia e Diasporës Shqiptare është një mekanizëm i ketij lloji. Shqiptarët në Diasporë nuk janë të prirur për të investuar shuma të mëdha të pasurisë së tyre në vendet e origjinës duke qenë se rreziku i investimit është i madh, dhe se ato banojnë shumë larg për të patur kohën e nevojshme për të mbikqyrur investimet  — mirëpo shumë prej tyre kanë dëshirën dhe vullnetin që të dhurojnë me qindra apo mijëra dollarë tek organizatat në vendet e tyre të origjinës, sidomos kur tani Diaspora Shqiptare numëron miliona shqiptarë që jetojnë në klasën e mesme të shoqërisë në Europë dhe ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për të lexuar Planin e Veprimit nga Task Forca për Finaltropinë e Diasporës Shqiptare ju lutem klikoni KËTU.