fbpx
Dhjetor 6, 2022

Angazhimi i profesionistëve nga diaspora

Nga Germin-719 Shikime-Asnjë koment

GERMIN lanson versionin BETA të platformës digjitale të Programit për Angazhimin të Profesionistëve nga diaspora. Ky program synon të mbështesë angazhimin e profesionistëve nga diaspora në vendet e origjinës, me qëllim të transferit të njohurive dhe shkathësive në institucione publike, organizata të shoqërisë civile dhe biznese. Programi aktualisht mundëson angazhimin afatshkurtër, duke filluar nga 3 javë deri në 6 muaj.

Platforma mundëson lidhjen mes dy palëve, profesionistëve nga diaspora që duan të kontribuojnë në Kosovë & Shqipëri dhe te entiteteve që shprehin interesim për të angazhuar profesionistë të diasporës nga vendet amë. Platforma mundëson përputhjen automatike të profileve të profesionistëve nga diaspora me nevojat e entiteteve pritëse në vendet amë, në pozitat e shpallura në të.

PLATFORMA

Entitetet vendore që duan të angazhojnë profesionistë nga diaspora, inkurajohen të regjistrohen dhe të publikojnë shpalljet për profilet për të cilat kanë nevojë.

Platforma synon edhe regjistrimin e bizneseve nga diaspora dhe atyre lokale, me qëllim lidhjen dhe rrjetëzimin mes tyre. E njejta procedure e regjistrimit vlen edhe për ta.

Platforma mbron të dhënat e të regjistruarëve sipas standarteve të Rregullores Europiane për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Mirëpresim komentet dhe sygjerimet tuaja në mënyrë që kjo platformë të avancohet në shërbim të forcimit të lidhjeve mes diasporës dhe vendeve amë.

"Angazhimi i Profesionistëve nga Diaspora mbështetet nga CARITAS-i Zviceran në Kosovë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), dhe USAID Kosovo Compete Activity. CARITAS-i Zviceran përmes projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë- MARDI” mbështet angazhimin e profesionistëve nga Diaspora në Institucionet Kosovare në nivel qendror dhe lokal. KCSF në partneritet me USAID në kuadër të projektit “Angazhim Qytetarë - CEA” mbështet angazhimin e profesionistëve nga diaspora në organizata të shoqërisë civile në Kosove. Ndërkohë USAID Kosovo Compete mbështet mentorimin e grave ndërmarrëse nga profesionistë të diasporës.