October 6, 2020

Takimi Virtual- Menaxhimi i COVID-19

By Germin-55 Views-No Comment

Në takimin virtual “Menaxhimi i COVID-19 morrën pjesë 32 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania. Ky takim trajtoi mundësitë, sfidat e bashkëpunimit dhe angazhimin profesional në vendet e origjinës për menaxhimin e situatës me COVID-19 dhe minimizimin e dëmeve shëndetësore.

Fillimisht takimi u hap nga bashkë-drejtori ekzekutiv i Germin z. Lirim Krasniqi, i cili prezantoi panelistët si dhe shkurt foli rreth programeve, misionit dhe vizionit të GERMIN.

Dr. Marsela Ceno ishte në cilësinë e Kryetares së Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, ishte panelistja e parë që foli lidhur me përvojat e saja personale, ku potencoi se qysh në fund të muajit shkurt kanë krijuar ekipet e asistencës, të cilat në mënyrë online kanë ofruar asistencë për të gjithë shqiptarët në Gjermani. Ajo po ashtu tha se mjekët shqiptarë që veprojnë në Gjermani, kanë vullnet që të japin ndihmën e tyre në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Veriore, e këtë ndihmë ajo tha se deri më tani kanë pasur mundësi ta japin vetëm përmes asistencës virtuale. “Asistenca online që ofruam në momentet e para të pandemisë u prit nga publiku i gjerë me shumë interes”, tha ajo. Po ashtu, Dr. Marsela Ceno tha se po ashtu kanë gjetur mbështetje nga Ministria e Diasporës ku është bërë pasqyrimi i të gjithë punës së Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani.

Kurse Z. Erion Dasho – drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në organizaten Menaxhment4health në Frankfurt – lidhur me menaxhimin e pandemisë, tha se pandemia COVID-19 në Shqipëri është menaxhuar keq, e po ashtu kritikoi edhe numrin e vogël të testeve në këtë vend. Po ashtu, ai tha se qysh kur filloi kjo sfidë, ata kanë qenë të organizuar me shumë kolegë në gjithë botën dhe kanë ofruar menjëherë ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë, sepse është parë që kapacitetet në Shqipëri janë shumë të vogla, kurse Kosova ka qenë pak më mirë. Pra këto kapacitete në Shqipëri nuk ishin në nivel për ta menaxhuar siç duhet pandeminë. Përveq pandemisë z. Dasho ndau eksperiencën e tij lidhur me Shoqatën e Mjekëve Shqipëtar në Gjermani ku tha që mbi 1 mijë mjekë vetëm nga Shqipëria ndodhen në Gjermani, ndërkohë që në Shqipëri kanë mbetur rreth 3 mijë mjekë. Pra, bëhet fjalë për një e katërta e mjekëve shqiptarë ndodhet sot në Gjermani, nënkuptohet është pjesa më vitale, kryesisht ata që sapo e kanë nisur karrierën si mjekë ose ata që janë në mes të karrierës së tyre. Po ashtu potencoi që Shqipëria është vendi i fundit në Evropë nga numri i testeve për 1 milion banorë dhe nuk e justifikon me asnjë lloj parametri. “Pra, nuk është se jemi vendi më i varfër, nuk është që jemi vendi më i paorganizuar”, tha ai.

Pjesë e këtyre diskutimeve virtuale ka qenë edhe zëvendësdrejtoresha në Kolegjin Heimerer, znj. Naime Brajshori, e cila ka folur rreth implementimit të projektit “Reagim për COVID-19”. Ajo tha se pandemia e ka gjetur Kosovën të papërgatitur në resurse humane dhe në pjesën e pajisjeve. Pra këto mungesa kanë rënduar direkt klinikat, institucionet të cilat janë marrë direkt me pacientët me sëmundje të tjera. Lidhur me projektin “Reagim për COVID-19” tregoj hapat e fitimit të mbështetur nga The Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ). Ky projekt është si thirrje urgjente për institucionet për t’i mbështetur të gjitha institucionet në botë dhe ka të bëjë me përditësimin dhe përmirësimin e qëndrueshëm të sigurisë së stafit shëndetësor dhe higjienës spitalore në Kosovë. I gjithë qëllimi i këtij projekti është përgatitja e stafit, resurseve humane brenda institucioneve shëndetësore të Kosovës në kujdesin sekondar dhe terciar në spitalet regjionale që të kenë struktura të qëndrueshme.

Pjesë e diskutimit ishte edhe Drejtori i Institutit Europës Juglindore për Politika Sociale dhe Shëndet, Z. Petrit Beqiri, i cili tha se që nga fillimi i pandemisë kanë organizuar ligjërata, tryeza e diskutime online. Këto mënyra si më kreativet për të ndikuar në shoqëri dhe si një dritare e vetme sidomos në kohën e pandemisë, duke i shfrytëzuar kështu për të dhënë maksimumin në ndikimin në shoqëri.

Dr. Eriona Heta – Specialiste në Kërkim-Zhvillim dhe Projekt Menaxhere në Myriamed në Gjermani foli rreth nismës së Germin në lidhje me pandeminë. Organizata Germin në bashkëpunim me Global Albanians Foundation ka themeluar grupimin global të profesionistëve mjekësorë. Në këtë grupim janë rreth 100 profesionistë të përfshirë. Ky grupim ka për qëllim të ofrojë asistencën e tyre në aspekte të ndryshme të sistemeve shëndetësore (menaxhim, përmirësimi i shëndeti mendor, metodat e testimit etj). Në kuadër të kësaj, ky grupim po ndërmerr një studim të plotë rreth nevojave dhe experiencave të profesionistëve mjekësore, i cili do ndiqet nga një studim i popullatës.

Gjatë këtij takimi ka pasur reagime dhe diskutime edhe nga pjesëmarrësit prej të cilëve ishte edhe Dr. Kujtim Pllana, ku tha se janë 12 mjekë nga Kosova që disa herë kanë tentuar të bashkëpunojnë me institucionet mirëpo nuk kanë gjetur mbështetje. Kjo mungesë e mbështetjes mund të shihet se egziston nga një drojë e tyre, ku e shohin si një rrezik potencial për qëllimet e tyre qofshin ato politike ose në pjesën shëndetësore. Po ashtu ai potencoi që të 12 mjekët kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe se janë të gatshëm gjithmonë që ti ndajnë përvojat dhe njohuritë e tyre në mënyrë vullnetare. Po ashtu z. Pllana permendi edhe një rast tjetër ku një doktor nga India së bashku me disa doktorë të tjerë nga Kosova kishin shkuar në Pejë për të kryer disa ndërhyrje kirurgjikale që nuk bëhen në Kosovë, mirëpo të cilit më vonë kanë marrur një letër ku i’u është thënë se nuk është e lejuar që ai të ushtrojë profesionin dhe se nuk është i akredituar në Kosovë dhe që në qoftë se ai vazhdon me procedurën, ai do të përballet me ligjin.

Leave a Comment