Diaspora Briefings
Organizimi Rinor dhe Studentor në Diasporë
Date: 24/11/2024
0 Views

Organizimi dhe rrjetëzimi i të rinjve dhe studentëve shqiptarë në diasporë ka qenë dhe mbetet zanafilla e organizimit komunitar në mërgatë dhe burimi i aktivizimit për vendin e origjinës. Të rinjtë dhe studentët në diasporë luajnë një rol të rëndësishëm në raportet mes gjeneratave në diasporë dhe lidhjet me organizatat e institucionet e vendit amë. Pavarësisht këtij potenciali të madh, aktualisht, një sërë sfidash strukturore, sociale dhe politike kufizojnë organizimin rinor dhe studentor në diasporë. Mungesa e koordinimit dhe mbështetjes institucionale, problemet e komunikimit si dhe barrierat “hapësirë-kohë” e bëjnë të vështirë për të rinjtë të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë rrjete të qëndrueshme. Kjo kufizon ndikimin që ata mund të kenë në komunitet dhe në raport me vendin e origjinës.  

 

Sfidat Aktuale   

Të rinjtë dhe studentët shqiptarë në diasporë përballen me një sërë sfidash që pengojnë organizimin e tyre të qëndrueshëm dhe rrjetëzimin efektiv. Një nga problemet më të dukshme është mungesa e strukturave të qëndrueshme në zonat ku nuk ka pasur traditë të organizimit komunitar. Ndonëse ekzistojnë lidhje ndërpersonale dhe studentët shpesh mbajnë kontakte mes tyre, mungesa e një entiteti apo platforme të përbashkët e bën të vështirë koordinimin e aktiviteteve dhe projekteve. Përpjekjet individuale mbeten shpesh të fragmentuara dhe nuk arrijnë të kenë ndikimin e pritur në komunitet apo në lidhjen me vendin e origjinës. Në disa raste, edhe aty ku ka shoqata dhe organizata komunitare, struktura e tyre shpesh është e dobët, dhe mungesa e përkrahjes institucionale dhe financiare përkeqëson situatën.  

Në disa vende, si Zvicra, përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e komuniteteve studentore. Por në vende të tjera, përfaqësitë e mërgatës janë raportuar se shpesh nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në aktivitete publike, duke lënë organizatat pa një partner të besueshëm institucional. Për më tepër, mungesa e mbështetjes financiare nga ndërmarrësit shqiptarë dhe individët, si dhe nga vetë institucionet shtetërore, ka krijuar boshllëqe të mëdha në financimin e projekteve dhe aktiviteteve që do të mund të ndihmonin komunitetin. Kjo situatë shfaqet edhe në rastin e shkollave shqipe në diasporë, të cilat shpesh operojnë me burime të kufizuara.  

Një tjetër sfidë e rëndësishme është ndikimi i politikës në shoqatat dhe organizatat studentore jashtë vendit. Përfshirja e partive politike nga Kosova dhe Shqipëria ka krijuar një ambient polarizues dhe të fragmentuar, ku shpesh shfaqen ndarje të forta që pengojnë aktivitetet e përbashkëta. Shoqata të ndryshme janë kthyer në arenë mbështetjeje për parti politike, duke larguar të rinjtë që dëshirojnë të kontribuojnë në mënyrë të pavarur. Një shembull është shoqata në Gjenevë, ku anëtarët e saj ishin të lidhur ngushtë me një parti politike. Kjo shoqatë jo vetëm që hoqi përkohësisht termat “apolitik” dhe “apartiak” nga statutet e saj, por edhe vazhdoi të përdorë platformat sociale të organizatës për aktivitete politike, edhe pas largimit të anëtarëve të saj. Situata të ngjashme janë raportuar edhe në Lozanë dhe në federatën e studentëve shqiptarë në Zvicër, ku përçarjet politike kanë penguar bashkëpunimin dhe kanë krijuar një ambient të pasigurt për organizata që synojnë të ruajnë një qëndrim të pavarur dhe të përbashkët.  

Përveç kësaj, ndarjet mes shqiptarëve nga trevat e ndryshme të kombit përbëjnë një tjetër sfidë. Shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Çamëria shpesh ndihen të lënë pas dore nga shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo ndjenjë përjashtimi vjen si pasojë e mungesës së përfshirjes së tyre në aktivitetet e organizatave apo ndonjë mbështetje institucionale që i adreson drejtpërdrejt. Kjo sfidë nënvizon nevojën për një qasje më gjithëpërfshirëse nga të gjitha palët për të siguruar që çdo shqiptar, pavarësisht prejardhjes rajonale, të ndihet pjesë e një kombësie të përbashkët dhe të barabartë.  

 

Krijimi i një platforme të përbashkët   

Roli i teknologjisë është një temë shumë e rëndësishme për diasporën. Një numër i madh studentësh shqiptarë janë të orientuar drejt informatikës (programim, inxhinieri, etj.), dhe është në interes kombëtar që aftësitë e tyre të përdoren si zgjidhje për sfidat tona. Teknologjia mund të ndihmojë në kapërcimin e barrierave gjeografike dhe kohore. Përdorimi i platformave digjitale dhe aplikacioneve mobile mund të lehtësojë bashkëpunimin midis studentëve shqiptarë në vende të ndryshme të botës.  

Një shembull i shkëlqyer i organizatave që kanë krijuar platforma virtuale për të mbështetur studentët në mbarë botën janë “NAYORA” – Asambleja Kombëtare e Organizatave Rinore të Republikës së Azerbajxhanit dhe Shoqata Botërore e Rinisë Lituaneze “Pasaulio. Përmes këtyre platformave, këto organizata kanë ndërtuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi, duke ofruar burime edukative dhe mbështetje për të rinjtë, pavarësisht se ku ndodhen. Këto iniciativa kanë ndihmuar në forcimin e lidhjeve mes studentëve dhe kanë promovuar qasjen e barabartë në mundësitë arsimore globale. Por jo vetëm, edhe organizatat shqipatare kanë përdorur platforma virtuale gjatë pandemisë për aktivitete kombëtare dhe kulturore, duke bashkuar shqiptarët në një mjedis virtual. Megjithatë, teknologjia nuk është një zgjidhje e vetme. Mungesa e një platforme të përbashkët për të gjithë studentët shqiptarë në diasporë mbetet një pengesë kryesore. Një aplikacion mobil i dedikuar për rrjetëzim dhe koordinim do të ishte tepër i dobishëm për të bashkuar rininë shqiptare në botë.  

 

Rekomandimet   

Për të adresuar sfidat e organizimit rinor dhe studentor në diasporë, paraqiten disa rekomandime konkrete që mund të kontribuojnë në forcimin e rrjetëzimit, bashkëpunimit dhe ndikimit pozitiv të të rinjve dhe studentëve shqiptarë në diasporë:  

 

1. Krijimi i një platforme të unifikuar për të rinjtë dhe studentët shqiptarë në diasporë: Një nga sfidat kryesore të identifikuara është mungesa e një strukture të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që të unifikojë përpjekjet e të rinjve. Për këtë arsye, është jetike krijimi i një platforme të unifikuar që do të shërbejë si forum për të gjitha shoqatat dhe organizatat studentore shqiptare. Kjo platformë duhet të:  

● Mundësojë ndarjen e përvojave dhe burimeve.  

● Krijojë hapësira për zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe aktivitetet që forcojnë lidhjet akademike, sociale dhe kulturore.  

● Të takohën me njëri tjetrin (edhe kur bëjnë turizem në një qytet)  

Këtu kemi disa shembuj të formatëve teknologjike për bashkimin e mërgatës:  

 

 

Zhvillimi i një aplikacioni mobil dhe platforme digjitale për rrjetëzimin e diasporës rinore shqiptare: Për të adresuar barrierat gjeografike dhe kohore, një aplikacion mobil mund të shërbejë si një zgjidhje efektive për të bashkuar të rinjtë shqiptarë në një hapësirë të përbashkët. Ky aplikacion duhet të ofrojë :  

● Regjistrim të lehtë për studentët dhe të rinjtë shqiptarë në të gjithë botën.  

● Hapësira për ngjarje virtuale, diskutime tematike dhe ndarje përvojash.  

● Mundësi për rrjetëzim profesional, akademik dhe social.  

● Përfshirjen e veçorive që lejojnë bashkëpunimin në projekte të përbashkëta, ndarjen e burimeve dhe krijimin e lidhjeve të forta me vendet e origjinës.  

 

2. Ruajtja e pavarësisë së organizatave rinore nga ndikimet politike : Një nga problemet më të mëdha të identifikuara është ndërhyrja e partive politike, që ka çuar në polarizimin e shoqatave dhe dobësimin e bashkëpunimit midis të rinjve. Për të parandaluar këtë, rekomandohet që:  

● Statutet e organizatave studentore të theksojnë qartë apolitizmin dhe të ndalojnë ndërhyrjet politike.  

● Të krijohen mekanizma mbikëqyrës nga organizatat mëmë për të garantuar pavarësinë e shoqatave dhe organizatave të reja.  

● Institucionet shtetërore dhe diplomatike të ofrojnë mbështetje, por të mbajnë një qëndrim neutral politik në raport me këto organizata.  

 

3. Rritja e përfshirjes së shqiptarëve nga të gjitha trevat (Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina, Mali i Zi dhe Çamëria) : Për të adresuar ndarjet dhe ndjesitë e përjashtimit midis shqiptarëve nga treva të ndryshme, është e domosdoshme që organizatat të jenë gjithëpërfshirëse. Kjo mund të arrihet duke:  

● Krijuar rregulla të brendshme që promovojnë diversitetin dhe përfshirjen.  

● Ofruar hapësira të barabarta për të gjithë shqiptarët, pavarësisht origjinës rajonale.  

● Ndërmarrë iniciativa të veçanta për të inkurajuar pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Çamëria në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.  

 

4. Nxitja e lidhjeve akademike përmes programeve ndërkombëtare si Erasmus+ : Programet ndërkombëtare si Erasmus+ mund të luajnë një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes studentëve shqiptarë në diasporë dhe institucioneve të vendeve amë. Për këtë:  

● Shqipëria dhe Kosova duhet të intensifikojnë përpjekjet për të përfshirë më shumë studentë shqiptarë në këto programe.  

● Shoqatat studentore në diasporë mund të krijojnë partneritete me universitetet vendase për të promovuar mundësitë e shkëmbimeve akademike.  

 

5. Draftimi i një manuali për organizatat e reja : Hapja e organizatave të reja shpesh has në sfida të shumta. Për të lehtësuar këtë proces, mund të krijohet një manual ose udhëzues që përmban:

● Rekomandime për strukturimin dhe menaxhimin e shoqatave.  

● Udhëzime për qasjen ndaj mbështetjes financiare dhe burimeve.  

● Propozime për mënyrat e bashkëpunimit midis shoqatave ekzistuese dhe të rejave.  

 

6. Ngritja e vetëdijes kombëtare për të rinjtë në diasporë : Për të shmangur ndarjet dhe ndjenjën e “menjëanësimit”, është thelbësore që çdo organizatë, institucion dhe individ të punojë për të promovuar një ndjenjë përkatësie kombëtare. Aktivitetet dhe projektet duhet të theksojnë vlerat dhe traditat e përbashkëta, duke inkurajuar një bashkim më të madh midis shqiptarëve.  

 

Këto rekomandime ofrojnë një qasje të plotë për të trajtuar sfidat dhe për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve shqiptarë në diasporë. Përmes bashkëpunimit, organizimit dhe mbështetjes së qëndrueshme, këto iniciativa mund të kenë një ndikim të fortë dhe afatgjatë në zhvillimin e komunitetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit.  

 

Për të adresuar sfidat e organizimit dhe rrjetëzimit të të rinjve shqiptarë në diasporë, është e domosdoshme një qasje më e mirëkoordinuar dhe mbështetje institucionale. Teknologjia mund të luajë një rol të rëndësishëm, por organizimi i qëndrueshëm arrihet përmes një platforme të unifikuar dhe një mbështetjeje të vazhdueshme nga institucionet shtetërore.  

 

Bashkëautorët:  

Arbër Gashi, Përfaqësues i Shoqatë “Shoqëria e Re, Zvicër. Andi Zhaveli, President i Organizatës Studentore Shqiptare – Vlera, Belgjikë.  

 

Ky artikull u realizua me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Qendra për Promovimin Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).  

Të fundit
Lajme të ngjashme
Njoftohuni me zhvillimet, iniciativat dhe diskutimet e fundit lidhur me Avokimin dhe Diplomacinë.
Diaspora Briefings
Potenciali i Pashfrytëzuar i Diasporës: Ndikimi në Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë Ndërkombëtare të Kosovës
Diaspora përfaqëson një nga asetet më të rëndësishme dhe më të vlefshme për vendin amë, pasi ajo krijon lidhje të forta me tregjet ndërkombëtare dhe luan një rol kyç në nxitjen e zhvillimit ekonomik. Në shumë shtete të vogla dhe në zhvillim, diaspora ka kontribuar në promovimin e produkteve dhe shërbimeve vendase, duke hapur mundësi të reja për eksport dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Përveç remitancave, të cilat shpesh përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndikimi i diasporës është gjithashtu i dukshëm në përforcimin e markave kombëtare, krijimin e partneriteteve tregtare dhe shpërndarjen e ekspertizës ndërkombëtare.   Përvoja e diasporës shqiptare, për shembull, ka luajtur një rol të rëndësishëm në prezantimin e produkteve tradicionale si vera, ushqimet organike dhe artizanatet në tregjet ndërkombëtare. Anëtarë dhe rrjete të diasporës kanë kontribuar si ndërmjetësues, duke ndihmuar bizneset lokale të depërtojnë në tregje të reja dhe duke ofruar mundësi për zhvillimin e marrëveshjeve tregtare. Po ashtu, profesionistët e diasporës kanë ndarë njohuritë e tyre për të përmirësuar cilësinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve vendase, duke i mundësuar atyre të përmbushin standardet ndërkombëtare dhe të arrijnë sukses në tregje më të gjera (Facilitating Diaspora Investment).   Megjithëse këto përpjekje kanë dhënë rezultate pozitive, potenciali i plotë i diasporës mbetet ende i pashfrytëzuar. Shpesh mungojnë mekanizmat e qartë për të strukturuar dhe përmirësuar bashkëpunimin ekonomik mes diasporës dhe institucioneve vendase. Një fokus më i madh në fuqizimin e këtij bashkëpunimi do të mundësonte një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve lokale dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik. Ky bashkëpunim mund të kontribuojë në diversifikimin e eksporteve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përforcimin e imazhit ndërkombëtar të vendit amë. Roli i diasporës si një partner strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm të tregtisë ndërkombëtare mbetet thelbësor për rritjen ekonomike dhe integrimin e vendit në ekonominë globale (The Role of Remittances in Developing Countries).  Përmes mbështetjes direkte të diasporës, mund të përmirësohet qasja në tregje të reja dhe të stimulohet shkëmbimi i njohurive dhe teknologjive (Diaspora Nje ure lidhese per zhvillimin ekonomik te Kosoves).   Aktualisht, Kosova përballet me disa sfida në lidhje me integrimin e saj në tregjet ndërkombëtare. Struktura ekonomike e saj dominohet nga importet, ndërsa eksportet mbeten të kufizuara dhe të përqendruara në disa sektorë si përpunimi i metaleve, tekstili dhe produktet bujqësore. Nëse diaspora do të angazhohej më shumë në këto sektorë, do të mundësohej një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e eksportit dhe diversifikimin e tij. Barrierat administrative, mungesa e certifikimeve ndërkombëtare dhe njohja e markave vendore në tregjet globale pengojnë rritjen e eksporteve (Kontributi i diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës).    Në këtë kontekst, diaspora mund të luajë një rol kyç në adresimin e këtyre sfidave përmes disa mënyrave:  1. Vazhdimësia e promovimit të produkteve dhe shërbimeve vendore Diaspora mund të shërbejë si ambasadorë të produkteve dhe shërbimeve të Kosovës, duke promovuar cilësinë dhe veqantin e tyre në vendet ku jetojnë. Kjo mund të përfshijë: Hapjen e dyqaneve me produkte nga Kosova. Organizimin e panaireve dhe eventeve për promovimin e produkteve vendore. Përdorimin e rrjeteve sociale dhe mediave për të rritur ndërgjegjësimin rreth markave vendore. 2. Ndihma për certifikime ndërkombëtare Diaspora mund të ndihmojë në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare duke: Ofruar kontakte për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare. Ndërmjetësuar mes bizneseve në Kosovë dhe organizatave certifikuese. Mbështetur financiarisht për përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të prodhimit. 3. Mbështetja për eksportuesit Ofrojnë trajnime dhe mentorim për eksportuesit e rinj në Kosovë. Ndihmojnë me përgatitjen e dokumentacionit për eksport. Sigurojnë informacion për politikat dhe rregullat tregtare në tregjet e destinacionit. 4. Krijimi i një imazhi pozitiv për Kosovën Diaspora mund të ndihmojë në përmirësimin e perceptimit të Kosovës në nivel ndërkombëtar, duke promovuar: Trashëgiminë kulturore dhe artizanatin unik të Kosovës. Aftësitë dhe talentet e të rinjve të Kosovës në fusha të ndryshme. Stabilitetin dhe potencialin ekonomik të vendit për investime të huaja. 5. Kanalizimi i remitancave për zhvillim Përveç remitancave për konsum, diaspora mund të kanalizojë fonde në projekte ekonomike dhe iniciativat që nxisin eksportet, si: Fondet për mbështetjen e bizneseve start-up. Investime në infrastrukturë që ndihmojnë eksportin (depo, logjistikë, etj.). Konkluzion   Përvoja ndërkombëtare e diasporës, njohuritë profesionale dhe rrjetet e ndërtuara jashtë vendit mund të shërbejnë si burime të rëndësishme për promovimin e eksporteve, rritjen e cilësisë së produkteve vendase dhe krijimin e mundësive për partneritete tregtare. Për më tepër, diaspora ka një rol të rëndësishëm në përmirësimin e imazhit të Kosovës përmes prezantimit të trashëgimisë kulturore dhe potencialit ekonomik në tregjet globale. Megjithatë, mungesa e një mekanizmi të strukturuar për bashkëpunimin mes institucioneve dhe diasporës kufizon ndikimin e saj. Kjo situatë pengon diversifikimin e eksporteve, implementimin e standardeve ndërkombëtare dhe ndërtimin e një imazhi të fuqishëm për Kosovën si një vend me potencial të qëndrueshëm ekonomik. Institucionet e Kosovës duhet të krijojnë politika dhe mekanizma specifikë për të fuqizuar rolin e diasporës si një partner strategjik në zhvillimin ekonomik dhe integrimin në tregjet ndërkombëtare.   Rekomandime   Institucionet e Kosovës duhet të krijojnë një platformë kombëtare për bashkëpunim me diasporën që të mundësojë lidhjen mes bizneseve vendore dhe profesionistëve nga diaspora, të ofrojë informacion mbi tregjet ndërkombëtare dhe të kanalizojë remitancat në projekte të qëndrueshme ekonomike.  Po ashtu, duhet të vendosen mekanizma për përmirësimin e certifikimeve dhe standardeve ndërkombëtare duke financuar trajnime për eksportuesit dhe duke lehtësuar njohjen ndërkombëtare të produkteve vendore. Për më tepër, promovimi i imazhit të Kosovës përmes rrjeteve të diasporës duhet të mbështetet në organizimin e panaireve ndërkombëtare dhe fushatave marketingu që theksojnë cilësinë e produkteve vendore, trashëgiminë kulturore dhe potencialin ekonomik të vendit.   Kjo analizë u realizua me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Qendra për Promovimin Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e kësaj analize është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).
Date: 27/02/2025
0 Views