fbpx
Juni 19, 2019

Rregulli i të bërit biznes: Mendo globalisht, vepro lokalisht

By Germin-28421 Views-No Comment

Shkruan: Ilir Seferi

Pas 20 viteve të çlirimit pushteti qendror është ballafaquar me sfida të shumta për ndërtimin e shtetit duke shpresuar se të qenurit shtet do të thotë se mirëqenia ekonomiko-sociale zgjidhet me automatizëm. Në këtë kontekst gjithçka është monopolizuar me apo pa vetëdije nga pushteti qendror.

Niveli lokal është përqëndruar të jetë i varur nga pushteti qendror dhe të kërkojë në vazhdimësi ndihmë apo edhe donacione nga organizatat e huaja. Për qytetarin kjo krijon përshtypjen se kush është në pushtet qendror do të investonte më shumë në ato komuna prej nga vijnë apo e kanë edhe pushtetin lokal. Rast tipik është “Autostrada e Dukagjinit” e dirigjuar nga Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga AAK, ose Parku i Biznesit në dispozicion për bizneset e rrjetit të bizneseve në Gjermani, afer Malishevës sepse Ministria e Tregtisë është udhëhiqet nga partia Nisma Social Demokrate, lider i të cilës vjen nga Malisheva.

Por, kjo nuk do të thotë se është gjithmonë e dëmshme, por është një indikacion se nuk ka një strategji dhe ekspertizë shtetërore afatgjate.

Avazi i mospërfilljes së Diasporës për bashkë-rregullimin apo bashkë-menaxhmin eventual të situatave dhe strategjive për zhvillim ekonomiko-politik tash e 20 vite po vazhdon. Dhe kjo, jo vetëm prej partive politike, por edhe institucioneve qendrore, ato lokale apo agjencive që do të duhej të bënin një ‘Marshall Plan’ për Kosovën.

Duke e parë këtë trend, dhe me sjelljen e një kulture ndryshe p.sh Germin por edhe kontaktet me rrjetet e bizneseit siç është Besa Foundation dhe Unioni i Bizneseve, për herë të parë duket të ketë lëvizje të duhur në komunën e Prizrenit. Komuna e Prizrenit nuk udhëhiqet nga partitë në pushtet, dhe me automatizëm nuk shpresojnë në investime kapitale nga qendra, prandaj organizimi i Forumit të Bashkë – Investimeve me Diasporën është një përpjekje në drejtim të duhur e cila do të duhej të pasonte nga të gjitha komunat në Kosovë.

Komunat janë njësi të pavarura dhe rrjedhimisht të obliguara të sjellin investime në territorin që e administrojnë. Anëtarët e Fondacionit Besa, në bazë të eksperiencës së tyre, besojnë se ky fillim edhe pse nuk do të sjellë shumë, do të vë në pah domosdoshmërinë e kyçjes direkte të Diasporës në bashkë-vendimmarrje.

Investimi në Kosovë nga Diaspora kërkon jo vetëm dëshirë dhe vullnet, por edhe kushte që janë të pashmangshme për zhvillimin veprimtarisë. Kushtet për zhvillimin normal të biznesit janë: resuret humane profesionale, treg për shitje të produktit, konkurrencë e lirë në mes të sektorëve privat dhe shtetëror, trajtim i shpejtë i konteksteve eventualene nëpër gjykata, larg politikës, taksa dhe dogana të favoreshme, fuqi punëtore e përballueshme, paga minimale të baraspeshuara në të dy sektorët shtetëror dhe privat.

Disa nga këto probleme janë evidente në Kosovë prandaj ne mendojmë që e vetmja mënyrë  e të bërit biznes është bashkëpunimi i kompanive të Diasporës me ato vendore.

Plotësimi i njëra-tjetrës është në favor të produktit kualitativ dhe konkurrent me shtetet e Bashkimit Evropian (BE). Ne kemi propozuar që kompanitë e Diasporës të bashkëpunojnë me kompanitë vendase në formën e Franchising (distributorë), e cila është e vetmja mënyrë që të kemi një situatë win-win.

Në qoftëse kompania nga Diaspora është Franchising-dhënës kurse kompania ekzistuese bëhet Franchising-marrës, atëherë do të kemi një bashkëpunim dhe shkëmbim të know how  BE-Kosovë. Më pas stafi ekzistues do të trajnohet në njërin nga shtetet e BE-së, dhe kësisoji produkti ka shumë gjasë të gjejë treg jo vetëm në Kosovë por edhe në BE. Tjerë faktorë nga kjo simbiozë do të jenë: konkurrenca e thithjes së fuqisë punëtore do të minimizohej,  risku i kapitalit kesh gjithashtu do të minimizohej, produkti do të bëhej shumë më konkurrues se ai që prodhojnë shtetet përrreth.

Rasti konkret është produkti SHELL në Kosovë! Fondacioni Besa i kishte shpalosur në vitin 2017 Konsulatës së Kosovës në Mynih një platformë të tillë. Kjo platformë ngërthen në vete edhe kthimin e të rinjëve, që kanë mësuar profesionin adekuat në vendet e BE-së, duke e pasuruar kështu Kosovën me resurse humane profesionale.

Këta të rinjë do të ktheheshin sepse në Kosovë do të kenë më shumë të hyra si franchisning-marrës sesa të qëndrojnë në BE si punëtorë të kualifikuar.

Per dikë tingëllon paradoksale, mirëpo faktet e këtij plani tregojnë saktë se interesi ekonomik është të jesh i „pavarur nën mbikqyrje“ siç e kemi quajtur ne.

Dështimi më i madh i ekonomisë kosovare ka ndodhur sepse investitori është lodhur deri në palcë duke paguar shuma marramendëse për privatizimin e kompanisë së tenderuar, e cila realisht ka qenë e falimentuar, duke mos pasur pastaj mundësi që të investojë në to.

Gjithashtu nuk është aspak e menqur nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të sjell një ligj gjoja se investimi prej 15 milionë € është me prioritet nacional. Kjo qasje veçse trembë investitorin.

Invstitori kërkon mundësi me infrastrukturë ligjore dhe fizike, kushte të voliteshme, por jo edhe një pengesë 15 milionë €, për t’u quajtur “i vecantë”.

Dhe në fund fare dua të potencoj se në Bajern, Gjermani ekziston një rregull i pashkruar tek bizneset në të cilën thuhet: „Në një shtet ku ka shumë licenca, aty mos investo se ka korrupsion”.

Ilir Seferi është nën-kryetar i Fondacionit BESA, në Bayern të Gjermanisë. Ai është anëtar i grupit punues të Presidentit Paneuropa Bernd Posselt. Poashtu, Iliri është biznismen i sukseshëm në fushën e hotilerisë dhe turizmit.

Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it apo dhe partnerëve të tjerë të projektit.