Analiza e Politikave
Analizë e Projektligjit të Diasporës
Date: 05/11/2018
0 Views

Për vite me rradhë, Diaspora vazhdon të jetë kontribues kyç në ekonominë e Republikës së Kosovës, dhe në zhvillimin e saj shoqëror e politik. Sipas burimeve të ndryshme, dëshmohet që afër gjysma e popullatës së Kosovës jeton jashtë territorit të shtetit amë, ​duke e bërë kështu diasporën me origjin​ë​ nga Kosova një numër të konsiderueshëm në Evropë dhe Amerik​ë.​

Shteti i ri i Kosov​ës konsiderohet si një​ nga ​shtet me Diasporën më të madhe në proporcion me numrin e përgjithshëm e qytetarëve brenda vendit. Bazuar në të dhënat nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, mbi 35% të të gjithë popullsisë kishte emigruar në Gjermani dhe më pas në Zvicër me rreth 23% si dhe në Itali mbi 7%.1

Mjetet financiare, përfshirë këtu edhe remitencat e mërgimtarëve, vazhdojnë të kenë ndikim shumëdimensional në shoqërinë tonë. Përveç përmirësimit të drejtpërdrejtë të mirëqenies në Kosovë, migrimi gjithashtu ka ndikim në zhvillimin njerëzor jo vetëm përmes dërgimit të remitancave, por edhe përmes shpenzimeve të diasporës kur ata vizitojnë Kosovën, investimeve, transferit të dijes etj. Në vitin 2017, Remitancat ishin baraz me 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), dhe sipas Bankës Qendrore të Kosovës paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, me vlerë prej 759.2 milionë euro.2

Megjithatë, remitancat paraqesin vetëm një pjesë e potencialit të Diasporës për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës. Mirëpo, shteti i Kosovës duhet të fillojë të analizojë dhe ofrojë ura tjera lidhëse pasiqë ekziston një nevojë që institucionet e Kosovës të përfshijnë në mënyrë aktive pjesëtarët e Diasporës në çështjet sociale e politike.

Në lidhje me këtë, Qeveria e Kosovës në vitin 2011 themeloi Ministrinë e Diasporës duke bërë disa përparime të nevojshme me qëllim të organizimit të diasporës në njohjen dhe rëndësinë e kontributit të tyre. Me hapjen e kësaj Ministrie, filluan të krijohen dhe zhvillohen programe të cilat synojnë të ofrojnë hapësirë për angazhimin e Diasporës në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit. Kësisoji, në vitin 2012 Kuvendi i Republikës së Kosovës miraton bazën ligjore me të cilën obligon Kosovën që të ruajë dhe kultivojë identitetin kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës përmes Ligjit për Diasporën dhe Mërgatën 04/L-0953.

Ky ligj ka definuar Qendrat Kulturore të Diasporës, Mësimin Plotësues në Diasporë dhe krijimin e lidhjeve ekonomike në mes të Diasporës dhe shtetit të tyre amë. Por, me ndryshimin e kompetencave të Ministrisë së Diasporës dhe avancimit të kornizës ligjore për Diasporën, këtë vit Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike(MDIS) ka inicuar Projektligjin për Diasporën, draft i cili parashikon obligimet dhe zotimet e Qeverisë së Kosovës ndaj këtij komuniteti. Është e rëndësishme të potencohet se MDIS edhe në vitin 2017, në koordinim me institucionet e linjës dhe bashkëpunim me shoqërinë civile kishin filluar përpilimin e Projektligjit për Diasporën4. Pas konsultimeve me publikun dhe ndryshimeve në ekzekutiv, projektligji ishte kthyer në pikën zero.

Prandaj, ky punim synon të vë në dukje sfidat e Qeverisë së Kosovës rreth draft-ligjit aktual dhe jepë rekomandime konkrete për përmirësimin e Projektligjit të propozuar për Diasporën.

Për të lexuar rekomandimet e plota nga ana e Germin, ju lutem klikoni KËTU