fbpx
Maj 18, 2022

GERMIN DHE GAF LANSOJNË PROGRAMIN “ORIGINAL” NË TIRANË

Nga Germin-1485 Shikime-Asnjë koment

Në një ngjarje gala, të premten më 6 maj në Tiranë u lansua programi ‘OriginAL’ nga organizata “GERMIN” dhe “Fondacioni Global Shqiptar” (GAF).

Në këtë ngjarje morën pjesë mbi 80 përfaqësues institucionesh vendore dhe ndërkombëtare, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile. Para të pranishmëve u prezantuan sukseset e GERMIN dhe mbi të gjitha u lansua programi OriginAL. Ky program, ka për qëllim që të rinjve të diasporës tu sigurojë eksperiencë të paharrueshme në Kosovë e Shqipëri.

Anila Hyka-Smorgrav, bashkëkryesuese e bordit të GERMIN, tregoi rrugëtimin e saj në organizatë.

“GERMIN është një nga organizatat e dashura dhe i gjithë bordi është jo i mrekulluar por i dashuruar dhe i lidhur shumë. Ne duam të bëjmë maksimumin për t’i ndihmuar si grup”, u shpreh Hyka-Smorgrav.

Ndërsa, bashkëkryesuesi tjetër i bordit të GERMIN, Avni Mustafaj, kur mori fjalën rrëfeu një histori personale se si babai i tij u largua nga Shqipëria për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë viteve 60-ta. Mustafaj tregoi se i ati në moshën 18 vjeçare ishte në mesin e 30 të burgosurve në Korçë, prej të cilëve vetëm tre mbijetuan.

Sipas Mustafaj, ai është rritur me këtë histori dhe për vite ishte ndier i zemëruar për atë se çfarë i kishte ndodhur babait të tij. Por gjërat morën rrjedhë tjetër kur vizitoi Shqipërinë për herë të parë.

“Më 3 maj 1992 kur avioni u ul në Shqipëri i gjithë ai zemërim u shndërrua në pyetjen ‘Çfarë ka ndodhur këtu?’. Niveli i varfërisë dhe izolimi, njerëzit dukeshin sikur po i ndiqnin dhe papritur ndjeva sikur gjeta një vend që më duhej, që të kuptoj dhe procesoj gjithçka. Dhe tani teksa flasim me njëri – tjetrin, të gjithë ne anëtarët e bordit kuptojmë që kemi pasur të njëjtën dhimbje, diçka që na solli në Shqipëri dhe Kosovë”.

Mustafaj u shpreh se një prej mënyrave për të mbushur atë boshllëk është pikërisht kontributi për GERMIN.

Në këtë ngjarje, folës ishte edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi, i cili shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me OriginAL-in.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që më jepet kjo mundësi që të jem pjesë e këtij momenti. Ky është një projekt i munguar, një projekt që do të ketë ndikim në breza”, u shpreh Durmishi.

Këtë ngjarje e përshëndeti edhe nënkryetarja e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Elisabeta Katiaj, e cila shprehu rëndësinë e bashkëpunimit me GERMIN, si një partner strategjik.

Bashkë-drejtoresha e GERMIN, Sihana Bejtullahu, tregoi për aktivitetet e GERMIN prej vitit 2014 kur edhe është themeluar. Ajo tregoi historikun dhe arsyen pse u vendosë ky emër për organizatën.

“Emër i inspiruar nga një novelë e titulluar Germinal dhe që do të thotë fara e mbjellë, me idenë që të zhvillohet në një lule dhe kjo është ideja se si ka filluar Germin”.

Kurse bashkë-drejtuesi i GERMIN, Lirim Krasniqi, shpalosi para të ftuarve se çfarë është OriginAL-I dhe si lindi ideja që të krijohet një program i tillë që u ofron të rinjve të diasporës të shijojnë vendin e tyre të origjinës, prej një prizmi tjetër.

“OriginAL do të thotë të gjesh rrënjët e tua, të gjesh origjinën shqiptare dhe është i dedikuar për të rinjtë e diasporës shqiptare nga mosha 18 vjeç deri në 24 vjeç”, u shpreh Krasniqi.

OriginAL është i inspiruar nga programi ‘Birthright Israel’ dhe për këtë qëllim i ftuar në ngjarje ishte edhe Ambasadori i Izraelit në Republikën e Shqipërisë, Noah Gal Gendler.

OriginAL synon që të ofrojë një përvojë arsimore dhe kulturore për të gjithë të rinjtë e diasporës të cilët për disa ditë do të vizitojnë vendet më të rëndësishme historike në Kosovë e Shqipëri.

Qëllimi është që të forcojë ndjenjën e tyre të identitetit me vendin e tyre të origjinës.

Thirrja për aplikime për pjesëmarrësit do të hapet në muajin maj, ndërsa udhëtimi dyjavor do të ndodhë në datat 10-22 gusht, 2022.