fbpx
Qershor 16, 2022

Dita Ndërkombëtare e Remitancave Familjare

Nga Germin-1087 Shikime-Asnjë koment

16 qershori është Dita Ndërkombëtare e Remitancave Familjare (IDFR), që u caktua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Çdo vit OKB-ja cakton një temë për të shënuar këtë ditë. Për vitin 2022 tema kryesore për Ditën Ndërkombëtare të Remitancave Familjare është “Rimëkëmbja dhe qëndrueshmëria përmes përfshirjes digjitale dhe financiare”.

Kjo ditë shënohet për të vlerësuar punën e 200 milionë migrantëve, grave dhe burrave, që dhurojnë para tek më shumë se 800 milionë anëtarë të familjes.

Nuk ka numra të saktë se sa shqiptarë të Kosovës, jetojnë jashtë vendit, por supozohet të jetë diku mbi 900 mijë persona. Sipas raportit të Institutit Riinvest me titull “Diaspora dhe Politikat e Migracionit”, shumica e shqiptarëve të Kosovës jetojnë në Gjermani (39%), Zvicër (23%), Austri (7%), Mbretëri të Bashkuar (5%), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (3.5%), Kroaci, Francë, Kanada (nga 2% secila).

Kjo ditë është e rëndësishme sidomos për Kosovën. Diaspora e Kosovës, iu është gjetur vendlindjes në ditët më të vështira të saj. Në kohë lufte e paslufte. Ende, 23 vjet pas luftës diaspora shqiptare nga Kosova është ndër motorët kryesor të ekonomisë së vendit.

Marr për bazë numrin e madh të shqiptarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, edhe remitancat janë në nivel të lartë. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës, trajektorja e remitancave tregon një rritje të vazhdueshme ndër vite. Në vitin 2021 janë pranuar më shumë se 1 miliard euro, ndërsa në vitin 2011 ishin më pak se 500 milionë euro.

Natyra e remitancave mund të jetë: 1) Remitancat individuale, kur dërgohen për ekonomi familjare, 2) Remitancat kolektive, kur grumbullohen dhe dërgohen nga një komunitet i caktuar në shtetin resident në vendin e origjinës, 3) Filantropia, kur anëtarët e diasporës bëjnë donacione individuale për në vendin e origjinës.

Në muajin mars të këtij viti GERMIN ka realizuar një raport me titullin “Remitancat në Kosovë - Shuma të mëdha, diskutim i vogël” – ku ka analizuar opinionet e anëtarëve të diasporës lidhur me dërgimin e remitancave në Kosovë.

Ky raport hodhi dritë mbi faktin që çdo e treta ekonomi familjare pranon remitanca, e shumë familje janë të varura nga to, duke e pasur si burim të vetëm të të ardhurave.

Ajo çfarë është vërejtur dukshëm në pyetësorin që ka realizuar GERMIN, është gjithashtu vlerësimi për shpenzimin e remitancave dhe dallimin ndërmjet asaj se ku do të duhej të shpenzoheshin. Respodentët janë shprehur që shteti i Kosovës duhet ta shoh me shqetësim arsyen se si përdoren remitancat. Sipas tyre, remitancat kryesisht përdoren në konsum të produkteve ushqimore dhe kujdes shëndetësor.

Gjithashtu, gjatë diskutimeve që i ka pasur GERMIN përgjatë viteve me përfaqësuesit e diasporës, është kuptuar që shteti i Kosovës nuk ka aplikuar ndonjë politikë të duhur që të kanalizojë remitancat drejt zhvillimit të vendit.