Analiza e Politikave
Përmbledhje: VOTIMI NGA JASHTË VENDIT 2021
Date: 10/05/2021
0 Views

Me 12 maj 2021, organizata GERMIN organizoi tryezën e rrumbullakët ku u publikua raporti i Votimit nga Jashtë në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura me 14 shkurt 2021. 

Në këtë ngjarje ku morrën pjesë përfaqësues të institucioneve përgjegjëse si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Avokati i Popullit, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të diasporës, u prezantua raporti i GERMIN për procesin e votimit nga jashtë vendit, ku u theksuan problemet e përsëritura në procesin e votimit nga jashtë, të cilat kanë ndikuar edhe në këto zgjedhje, duke vështirësuar votimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. 

Në hyrje të tryezës, Sihana Bejtullahu prezantoi aktivitetet e GERMIN për avokim mbi votën e diasporës, me theks të veçantë vëzhgimin e procesit të votimit nga jashtë gjatë Zgjedhjeve të mbajtura me 14 shkurt 2021. Duke prezantuar raportin mbi votimin jashtë vendit – 2021, Lirim Krasniqi nga GERMIN theksoi që pjesëmarrja e diasporës në vendimmarrje përmes votës është shumë e rëndësishme për shkak se, ndër tjerash, për një vend si Kosova, përfshirja e diasporës në proceset politike është mjet i rëndësishëm për të mbajtur të forta lidhjet me qytetarët jashtë vendit. Votimi i diasporës është edhe mjet shtesë për ruajtjen e përkatësisë kombëtare dhe shtetërore, gjë që theksohet edhe në raportin e Komisionit të Venedikut për Votimin Jashtë Vendit të vitit 2011. Z. Krasniqi prezantoi kornizën aktuale ligjore për votim nga jashtë, e cila garanton të drejtën e votës për të gjithë qytetarët pa dallime përkatësie apo vendbanim. Mirëpo, ushtrimi i kësaj të drejtë nga qytetarët nga jashtë edhe në këto zgjedhje ka kaluar me shumë probleme, duke vështirësuar votimin e tyre. Gjithsesi, pavarësisht afateve të shkurtëra për regjistrim dhe votim nga jashtë, vërehet një trend i rritjes së votuesve nga jashtë, gjë që tregon interesin e diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje në Kosovë, u shpreh z. Krasniqi. Ai prezantoi të dhënat mbi rezultatet e votimit nga jashtë në këto zgjedhje, ku për herë të parë janë publikuar të dhënat për partitë, kandidatët dhe ndikimin e votave të diasporës në totalin e votave të marra nga to. 

Një element i rëndësishëm që trajton raporti i GERMIN i votimit nga jashtë në këto zgjedhje, është vlerësimi i kostos së votimit nga jashtë. Sipas këtij vlerësimi, kostoja financiare e organizimit të operacionit të votimit nga jashtë për KQZ-në është 6.1 euro/votues, ndërsa për votuesit është rreth 6 herë më lartë apo 35 euro/votues. Në fund, z. Krasniqi prezantoi 3 alternativat e dala nga ky raport për votimin jashtë vendit në Kosovë, duke theksuar përparësitë dhe mangësitë e secilës: Votimi fizik në misionet diplomatike të Kosovës; Zgjerimi i mundësive për votim përmes postës (mundësimi i dërgimit të postës në misione diplomatike: dhe Votimi Elektronik. Të trija këto alternativa sipas GERMIN duhet të shqyrtohen me qëllim të gjetjes së një modeli sa më të përshtatshëm që mundëson votim sa më të lehtë për qytetarët që jetojnë jashtë vendit në Kosovë. 

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se e drejta e votimit nga jashtë është një e drejtë kushtetuese, për ushtrimin e së cilës institucionet përkatëse duhet të ofrojnë mundësitë e nevojshme. Ai theksoi se Institucioni i Avokatit të Popullit ka hartuar një raport të detajuar të vitit 2018, drejtuar Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Z. Qelaj, duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), tha se Votimi Jashtë Vendit nuk është obligativ për shtetet, mirëpo kur ai mundësohet përmes legjislacionit, shteti duhet të marrë të gjitha masat që të ofrojë mundësi të barabarta votimi për qytetarët që jetojnë jashtë shtetit sikurse të tjerët që votojnë normalisht brenda shtetit. 

Burim Ahmetaj, kryeshef i Sekretariatit të KQZ, shtoi se në këto zgjedhje numri i lartë i aplikuesve dhe votuesve nga jasthë ka vështirësuar shumë punën e KQZ. Ai tha se nga 175 mijë emaile me aplikime, janë printuar mbi 1 milion fletë me dokumente nga aplikimet. Z. Ajmetaj shtoi se “afatet shumë të shkurtra për përgatitjen dhe zbatimin e operacioneve zgjedhore kanë ndikuar në punën e KQZ lidhur me votimin jashtë vendit, sidomos procesi i verifikimit ka ndikuar në shkaktimin e vonesave në operacionet zgjedhore. Ai theksoi se KQZ do të rishikojë problemet e hasura për të gjetur dhe adresuar pengesat dhe për të përmirësuar punën në zgjedhjet e ardhshme. 

I ftuar në këtë tryezë ishte edhe juristi Taulant Hodaj nga zyra ligjore Hodaj & Partners, i cili konsideroi që praktika e deritanishme për votimin jashtë vendit në Kosovë ka elemente të kufizimit të të drejtave zgjedhore të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi. Një element tjetër ndikues janë edhe afatet shumë të shkurtra, të cilat kanë ndikuar në këtë kufizim. Ai tha, se së bashku me GERMIN, janë duke përgatitur një opinion ligjor për institucionin e Avokatit të Popullit, i cili do të vlerësojë aspektin meritor të shkeljeve të pretenduara dhe potencialisht ta ngrisë rastin në Gjykatën Kushtetuese. Z. Hodaj tha se është shumë e rëndësishme që të kemi një vendim kredibil nga një institucion shtetëror lidhur aspektit meritor të shkeljeve dhe kufizimeve ndaj të drejtës së votës nga jashtë nga praktikat e deritanishme në Kosovë. 

Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), potencoi që fluksi i madh i votuesve nga Diaspora dhe koha e shkurtër për t’u përgatitur për një proces të tillë, e tregojnë nevojën e një reformë të re zgjedhore e cila do të përfshinte tërë procesin, qysh nga hapat e parë të regjistrimit, aplikimit e më pas edhe votimit në zgjedhje nga jashtë vendit mirëpo gjithmonë duke ruajtur integritetin e këtij procesi të ndjeshëm. 

Eugen Cakolli nga rrjeti i organizatave Demokracia në Veprim, theksoi që angazhimi i votuesve nga vendi, ka treguar nje interesim te jashtezakonshem dhe rritje shumë të madhe në pjesëmarrje në zgjedhjet në Kosovë. Sipas tij, 15% e votuesve nga jashtë nuk kanë pasur asnjë dokument apo lidhje konkrete me shtetin e Kosovës, prej të cilëve shumë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës e të tjerë prej të cilëve kanë pasur vetëm dokumente të UNMIK-ut, dhe këtu kemi hasur në diskriminim ndaj qytetarëve që jetojnë në Kosovë të cilët kanë vetëm dokumente të UNMIK-ut, dhe nuk kanë të drejtë vote me dokumente të tilla. Procesi administrativ dhe teknik i verifikimit ka qenë operacioni i vetëm i cili nuk është përmbyllur në kohë nga KQZ, për cfarë ky institucion duhet të japë përgjegjësi. Poashtu sipas DNV, ky është njëri nga operacionet më të pambrojtura dhe më të cënueshëm nga i gjithë procesi. 

Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherish anëtare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe Diasporë potencoi që projektligji për zgjedhje tanimë përmban plot nga rekomandimet e marra për lehtësimin e procesit të votimit nga jashtë mirëpo nuk ka kaluar në votim tek Kuvendi i Kosovës. Grupi parlamentar i LVV, përmes raportit të fundit nga organizata  GERMIN do të mundohet të përfshijë edhe propozimet e rekomandimet e dalura nga ky raport e t’i aranzhojë ato me projektligjin aktual. 

Muhamet Idrizi, pjesëtar nga diaspora theksoj se debatet e manipulimeve me votën nga diaspora, duhet të shuhet sepse nuk kemi ndonjë vendim të shpalljes së fajsisë nga gjykata në këto zgjedhje. Idrizi kërkoj që shteti i Kosovës në momentin që ka lejuar votën e diasporës, duhet t’a mundësoj votimin për qytetarët nga jashtë vendit me kushte të barabarta si të atyre që jetojnë në Kosovë. Ai bëri thirrje që diaspora mos të bëhet lojë politike dhe të trjatohet si shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të vendit, ashtu sic edhe është. 

Hilmi Gashi, anëtar i Bordit të GERMIN si dhe asambleist në Kantonin e Bernit në Zvicërr, prezantoj shembullin se si Zvicrra e organizon procesin e votimit nga jashtë si dhe se sa me seriozitet trajtohet kjo temë atje. Ai bëri thirrje për respektimin e procedurave dhe legjislacionit në fuqi në këtë formë të rrisim besimin e qytetarëve në institucionet e vendit, e specifikisht në KQZ. Mungesa e transparencës është shqetesim për qytetarët jashtë vendit, me vendimet e ndryshme për pjesëmarrje ose jo në cilke të ndryshme zgjedhore. Në fund i bëri lutje për KQZ se nëse legjislacioni ju lejon disa vendime, mos i përkeqësoni ato me interpretime të ndryshme. Si përfundim të mirret raporti i GERMIN, përvoja e KQZ, dhe e qytetarëve si shembull për përmirësimin e gjithë procesit për zgjedhjet e ardhshme. 

Duke marrë parasysh rëndësinë e diasporës për Kosovën, me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve jashtë vendit në vendimmarrje, Organizata GERMIN në Analizën e publikuar në tre gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, ndër tjerash, jep këto rekomandime si alternativa për përmirësimin e procesit të votimit nga jashtë Kosovës

  1. VOTIMI FIZIK NË MISIONET DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 

Ky model votimi kërkon miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht kapitullit 14 (kreu XIV) të këtij ligji. Këto ndryshime janë paraparë në draftin ekzistues të miratuar në Komisionin për Legjislacion gjatë legjislaturës së 6-të dhe nevojitet votimi/miratimi tyre me votën e shumicës së deputetëve të Kuvendit. Me këto ndryshime vendoset baza ligjore për mundësimin e votimit nëpër ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Por, për zbatimin e tij nevojitet gjithashtu edhe draftimi dhe miratimi i legjislacionit plotësues/dytësor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për realizimin e këtij modeli nevojitet që Ministria e Punëve të Brendshme duhet të bashkëpunoj me Komisionin Qendor të Zgjedhjeve që të vendos një kod identifikues për shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit në regjistrin civil, sikurse që ekziston kodi për shtetasit që nxjerrin dokumente të Republikës së Kosovës në ambasada dhe konsullata jashtë vendit. Ky model kërkon gjithashtu të shqyrtohet edhe aspekti i përfaqësimit të votuesve dhe gjithë sistemit zgjedhor vendor – aktualisht proporcional kombëtar. Shumë shtete që përdorin këtë model kanë krijuar zona të veçanta zgjedhore për votuesit jashtë vendit dhe kuota specifike të përfaqësimit. Gjithashtu, duhet të specifikohet për cilat lloje të zgjedhjeve lejohet kjo formë votimi pasi që mund të ketë implikime organizative, financiare dhe të sigurisë (p.sh. sistemi me dy raunde në zgjedhjet lokale do të ishte vështirë i realizueshëm përmes këtij modeli jashtë vendit.). 109 shtete aktualisht përdorin këtë formë të votimit nga jashtë. 

 

  1. ZGJERIMI I MUNDËSIVE PËR VOTIM PËRMES POSTËS 

Përveç mundësisë aktuale të votimit, zgjerimi i mundësive për votim përmes postës mund të përfshij edhe mundësinë e dërgimit e postës në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vendin rezident të qytetarëve jashtë vendit. Kjo pasiqë afatet e shkurtra shpesh po e pamundësojnë dërgimin e zarfeve me fletëvotime në kohë në adresë të KQZ-së, prandaj duhet të krijohet mundësia që vota me postë të dërgohet në misionin diplomatik/konsullor në të njejtin shtet, krahas mundësisë për dërgimin e postës në adresë të KQZ-së. Votat përmes postës arrijnë shumë më shpejtë brenda territorit të një shteti. Ndërsa të njejtat, misioni diplomatik apo konsullor mund t’ia dërgojë me postë diplomatike KQZ-së. Kështu do të zgjeroheshin mundësitë aktuale të votimit dhe procesi do të përshpejtohej. 

Poashtu, formave aktuale të aplikimit për regjistrim si votues nga jashtë vendit, rekomandohet t’u shtohet edhe një platformë elektronike në uebfaqen e KQZ-së e cila do të mundësonte aplikimin online për regjistrim (web-based). Një platformë e tillë do të: (1) lehtësonte dhe thjeshtësonte në krahasim me formën aktuale manuale duke qenë se nuk do të kishte nevojë për printim/plotësim të formularit; (2) zvogëlonte mundësitë e gabimeve në futjen e të dhënave, duke qenë se ajo mund të konfigurohet që të mos pranojë të dhënat e gabuara dhe aplikuesit do të mund të korrigjonin të dhënat e tyre; (3) menjanonnte mbingarkesën e e-mailit zyrtar të KQZ-së që ka qenë problem në zgjedhjet e kaluara. 

  1. VOTIMI ELEKTRONIK 

Votimi elektronik nga diaspora do të ishte i shpejtë dhe efikas. Sidoqoftë, tekonologjia informative, infrastruktura dhe masat përcjellëse të sigurisë paraqesin sfida serioze për zbatim të sukseshëm. Ndërhyrja nga akterë të jashtëm në procesin zgjedhor, siç ka ndodhur në disa vende, paraqet një rrezik të lartë për manipulim të rezultateve. Votimi elektronik është posaçërisht i rrezikuar nga hakingu apo manipulimi digjital. Përgatitja e një sistemi nga zeroja që do të mbronte informatat e votuesve dhe transmetimin e të dhënave është e komplikuar. Poashtu, nevojitet një kornizë ligjore për caktimin e kriterve për identifikimin e votuesve (për shembull lexues smart të letërnjoftimeve) që do të përdorinin votimin elektronik. Estonia është një shtet ku një e katërta e votuesve përdorin internetin për të votuar dhe mund të shërbejë si shembull studimi i mundshëm për Kosovën për të vlerësuar potencialin dhe sfidat e votimit elektronik. 

Publikimi i këtij raporti dhe organizimit të kësaj tryeze u mbështet nga Ambasada Zvicerane, programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’ bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida). Partner i këtij projekti është edhe Fondacioni “Friedrich Ebert (FES)” – Zyra në Prishtinë. Përmbajtja e këtij raporti është përgjegjsi e GERMIN dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF, SDC, Sida apo FES. 

 

Të fundit
Lajme të ngjashme
Njoftohuni me zhvillimet, iniciativat dhe diskutimet e fundit lidhur me Avokimin dhe Diplomacinë.
Avokimi & Diplomacia
Avokimi dhe Diplomacia Digjitale e Diasporës – Shtysë për Transformimin e Kosovës
Shkruan: Arieta Dragusha   Në një botë globalisht të ndërlidhur, ku informacioni dhe komunikimi përhapen me shpejtësi të jashtëzakonshme, avokimi dhe diplomacia digjitale janë shndërruar në mjete të domosdoshme, veçanërisht për shtete të vogla si Kosova. Roli i diasporës në këto procese shkon përtej një mbështetjeje simbolike, duke u bërë një forcë kyçe në promovimin e interesave kombëtare, forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nxitjen e politikave zhvillimore. Me miliona shqiptarë të shpërndarë anembanë botës, diaspora përfaqëson një potencial ende të pashfrytëzuar plotësisht për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të kontribuar në transformimin e Kosovës.   Ky artikull, i bazuar në diskutimet e mbajtura gjatë tryezës - Avokimi dhe Diplomacia Publike e Diasporës - organizuar nga Germin në dhjetor 2024, analizon evolucionin e avokimit dhe diplomacisë digjitale, ndikimin konkret të diasporës në politikën dhe ekonominë e Kosovës, si dhe sfidat dhe rekomandimet për të maksimizuar këtë ndikim. Synimi është të nxjerrim në pah se si teknologjia, politika dhe angazhimi qytetar mund të bashkohen për të krijuar një strategji efektive, e cila e pozicionon Kosovën më fuqishëm në skenën ndërkombëtare   Diplomacia Digjitale dhe Transformimi i Avokimit   Gjatë dekadës së fundit, interneti dhe platformat digjitale kanë hapur horizonte të reja për avokim dhe diplomaci. Në të kaluarën, diplomacia ishte fushë ekskluzive e institucioneve shtetërore, por sot diaspora ka mundësinë të ndikojë drejtpërdrejt në politikat ndërkombëtare përmes përdorimit strategjik të mediave sociale dhe fushatave të koordinuara. Këto platforma kanë lehtësuar krijimin e rrjeteve me profesionistë që formësojnë opinionet për Kosovën, duke e bërë diasporën një aktor të rëndësishëm në ndërtimin e narrativës globale për vendin.   Gjatë tryezës, Behar Xharra - bashkë-themelues i Germin, ndau rrëfimin e tij mbi fillesat e diplomacisë digjitale në Kosovë, duke theksuar sesi, në vitin 2010, kur Kosova ishte ende një shtet i ri, imazhi i saj në internet dominohej nga histori negative – lufta, politika dhe sfidat e shtetndërtimit. Ai theksoi se atëherë diplomacia po shndërrohej në një hapësirë digjitale dhe se ishte thelbësore të veprohej si qytetarë digjitalë për të ndryshuar këtë narrativë.   Xharra tregoi se Kosova kishte një diasporë si kapital diplomatik të pashfrytëzuar – individë që flasin gjuhë të huaja, janë votues në vendet ku jetojnë dhe kanë ndikim në komunitetet e tyre. Për të përmbysur narrativën negative, ai dhe ekipi i tij krijuan KosovoDiaspora, një blog i dedikuar për të promovuar histori suksesi nga diaspora dhe për të ndërtuar një imazh pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare.   Duke punuar me diasporën, ata kuptuan se potenciali i saj mbetej i papërdorur në zhvillimin e Kosovës. Kjo çoi në themelimin e Germin si një platformë e cila synon të fuqizojë dhe angazhojë strategjikisht diasporën në proceset zhvillimore të vendit.   Përtej promovimit të imazhit të Kosovës, Xharra theksoi se diplomacia digjitale u ka mundësuar diasporës jo vetëm të sfidojë narrativa të pasakta, por edhe të mbrojë interesat e saj dhe të nxjerrë në pah histori suksesi që e pozicionojnë Kosovën si një faktor relevant në rajon. Kjo qasje e re ka transformuar mënyrën se si Kosova dhe diaspora e saj ndërveprojnë me botën, duke e bërë diasporën një aktor të rëndësishëm në diplomacinë publike të vendit.   Ka shumë histori suksesi të kosovarëve që jetojnë jashtë dhe kanë arritur në fusha si biznesi, media, arti, sporti dhe madje edhe politika. Shfrytëzimi dhe forcimi i pozitës së tyre shoqërore jashtë vendit, si dhe mundësitë për angazhim publik si ambasadorë joformalë dhe fytyra publike të Kosovës, në një mënyrë të koordinuar dhe strategjike, mund të japë një kontribut të madh në përpjekjet e Kosovës për Diplomacinë Publike. [Beyond Remittances PUBLIC DIPLOMACY AND KOSOVO‘S DIASPORA, Behar Xharra and Martin Wählisch, 2012, pg. 34]   Integrimi i Diasporës në Hartimin e Politikave   Në shumë vende, diaspora ka luajtur një rol kyç në ndihmën për hartimin e politikave dhe reformat institucionale. Kosova nuk duhet te bëj përjashtim. Përmes projekteve të ndryshme, ekspertët kosovarë të diasporës mund te japin kontribut konkret në reforma ligjore, strategji ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve të ndryshëm [Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tashmë ka një program angazhimi për profesionistët e diasporës, i cili synon të ndërlidhë ata duke u ofruar hapësirë dhe mundësi për përfshirje në MPJD. Ky program gjashtëmujor u mundëson profesionistëve të diaspoFdeyrës të shkëmbejnë njohuritë dhe përvojat e tyre në kuadër të diplomacisë publike, me fokus në diplomacinë e diasporës, diplomacinë qytetare dhe atë ekonomike - www.cdfellowship.com]. Përfshirja e profesionistëve me përvojë ndërkombëtare në mekanizmat e vendimmarrjes sjellë njohuri të reja dhe ndihmon në krijimin e politikave të harmonizuara me standardet ndërkombëtare. Germin ka një rrjet të gjerë dhe shumë efektiv të profesionistëve të ndryshëm, të cilët mund të kontribuojnë dhe të angazhohen si në shoqërinë civile ashtu edhe në institucionet e vendit. [Programi - Angazhimi i Profesionistëve nga Diaspora (EDP)]   Diplomacia Sportive si Mjet Avokimi   Sporti është një nga mekanizmat më të fuqishëm për ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për promovimin e një imazhi pozitiv për një vend. Kosova, përmes sportistëve të saj të suksesshëm, ka fituar njohje dhe respekt në skenën ndërkombëtare. Sportistët arrijnë të depërtojnë në tregje ndërkombëtare dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi përtej politikës. Për më tepër, suksesi i Kosovës në sport ka ndihmuar edhe në promovimin e barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale, e kjo sipas Elvira Dushkut, Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, shihet edhe në përbërjen e vet kësaj federate.    Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, janë vlerësuar si ndër futbollistët më të mirë të vendit. Një tjetër lojtare me origjinë kosovare, Fatmire Bajramaj, pjesë e ekipit gjerman të futbollit për femra, u nominua si Lojtarja e Vitit nga FIFA në 2010, një çmim që i jepet futbollistes më të mirë në botë. [Beyond Remittances ... pg. 66]   Roli i Diplomacise Ekonomike dhe Sociale    Përtej diplomacisë tradicionale dhe avokimit në platforma digjitale, diaspora shqiptare ka një ndikim të rëndësishëm ekonomik. Gjatë tryezës së fundit, Bahri Cani, gazetar në Deutsche Welle, theksoi kontributin e bizneseve të drejtuara nga shqiptarë në diasporë, të cilat punësojnë një numër të madh punëtorësh dhe ndihmojnë në promovimin e lidhjeve ndërkombëtare. Këto biznese nuk vetëm që krijojnë vende pune dhe zhvillojnë tregtinë ndërkombëtare, por gjithashtu përmirësojnë perceptimin global për Kosovën dhe Shqipërinë, duke i dhënë një dimension praktik diplomacisë ekonomike.   Investimet e drejtpërdrejta nga diaspora, krijimi i lidhjeve biznesore dhe transferimi i njohurive janë elementë kyç që mund të kontribuojnë në një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik. Për këtë arsye, është e rëndësishme që këto iniciativa të institucionalizohen dhe të mbështeten nga politikat qeveritare dhe platformat e bashkëpunimit.   Ndikimi social dhe filantropik   Diaspora shqiptarë është një nga komunitetet më aktive në aspektin filantropik. Përmes remitancave, ajo ka qenë një shtyllë mbështetëse për ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë. Megjithatë, ndikimi i saj mund të shkoj përtej ndihmës financiare duke përfshirë iniciativa që fuqizojnë sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe përfshirjes sociale. Në këtë kontekst, Germin ka luajtur një rol të rëndësishëm në mobilizimin e këtyre resurseve, duke krijuar mekanizma që kanalizojnë kontributin e diasporës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës dhe Shqipërisë. [Programi - Angazhimi i Profesionisteve te Diaspores, Germin]. Nëpërmjet projekteve të ndryshme, Germin ka mundësuar lidhjen e profesionistëve të diasporës me institucionet vendase, duke krijuar platforma për shkëmbimin e ekspertizës dhe investimeve.   Kontributi në Transferimin e Njohurive   Një nga aspektet më të rëndësishme të angazhimit të diasporës është transferimi i njohurive dhe ekspertizës. Germin po nxit transferimin e njohurive dhe aftësive nga diaspora në Kosovë përmes rrjeteve profesionale dhe platformave bashkëpunuese. Deri më tani, mbi 100 profesionistë nga fusha të ndryshme kanë kontribuar me mentorim dhe angazhim profesional, ndërsa mbi 500 të tjerë janë regjistruar në platformën online të Germin. Përmes projekteve të ndryshme Germin fuqizon gratë në politikë, lidh investitorët dhe sipërmarrësit e diasporës me sektorë kyç ekonomikë dhe ndihmon OJQ-të në Kosovë duke adresuar mungesën e ekspertizës. Këto iniciativa jo vetëm që forcojnë lidhjet me diasporën, por kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.   Sfidat e Diasporës në Angazhimin në Diplomacinë Publike dhe Digjitale   Një nga sfidat më të mëdha që pengon përfshirjen efektive të diasporës në zhvillimin e Kosovës është mungesa e një strategjie të qartë dhe të koordinuar. [Analiza e Nevojave dhe Identifikimi i Problemeve të Diasporës Kosovare, Germin 2024, fq. 10]. Edhe pse ekzistojnë shumë iniciativa individuale dhe projekte të veçuara, nuk ka ende një mekanizëm të centralizuar dhe institucionalizuar që të orientojë dhe strukturojë kontributin e diasporës në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Kjo mungesë e strategjisë shpesh e bën të vështirë maksimizimin e ndikimit të diasporës, pasi angazhimet e saj mbeten të fragmentuara dhe të kufizuara në nisma të veçanta pa një qasje të integruar.    Një tjetër pengesë e rëndësishme janë barrierat institucionale dhe burokratike që diaspora has kur tenton të angazhohet në projekte ose të investojë në Kosovë. Proceset administrative të ndërlikuara, mungesa e lehtësirave ligjore dhe procedurat shpesh të paqarta dekurajojnë shumë profesionistë dhe investitorë të diasporës nga një përfshirje më e madhe. [ Harnessing the Potential of the KOSOVAR DIASPORA’S ECONOMIC CONTRIBUTIONS, Germin 2024, fq.45] Këto sfida burokratike jo vetëm që e pengojnë angazhimin aktiv të diasporës, por gjithashtu dëmtojnë perceptimin e saj mbi mundësitë e ofruara nga shteti për të kontribuar në zhvillimin e vendit.   Një problem tjetër i rëndësishëm është mungesa e koordinimit midis aktorëve të ndryshëm që punojnë me dhe për diasporën. Organizatat e ndryshme të shoqërisë civile, institucionet shtetërore dhe grupet e diasporës shpesh veprojnë në mënyrë të pavarur dhe pa një bashkëpunim të strukturuar. Kjo shpërndarje e përpjekjeve çon në mungesë të sinergjisë dhe zvogëlon ndikimin e mundshëm që diaspora mund të ketë përmes një qasjeje të unifikuar dhe të mirëplanifikuar. Pa një mekanizëm efektiv bashkëpunimi dhe koordinimi, shumë nga potencialet e diasporës mbeten të pashfrytëzuara plotësisht.   Përveç sfidave të brendshme, një problem i rëndësishëm mbetet edhe mënyra se si Kosova perceptohet në arenën ndërkombëtare. Edhe pse ka pasur përparime të konsiderueshme në forcimin e diplomacisë publike dhe në promovimin e Kosovës si një vend në zhvillim me potencial të lartë, imazhi i saj global ende përballet me sfida. Narrativa ndërkombëtare për Kosovën shpesh dominohet nga çështje politike dhe jo nga arritjet e saj në fusha si inovacioni, ekonomia apo përfshirja e diasporës. Për këtë arsye, është e nevojshme një qasje më strategjike në avokimin ndërkombëtar, e cila jo vetëm që mbron interesat e Kosovës, por gjithashtu ripërcakton mënyrën se si vendi prezantohet në sytë e komunitetit ndërkombëtar.   Përfundime dhe Rekomandime   Avokimi dhe diplomacia digjitale e diasporës përfaqësojnë mjete të fuqishme për të ndikuar në zhvillimin e Kosovës dhe për të forcuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare. Teknologjia, ekspertiza dhe rrjetet globale të diasporës mund të shërbejnë si katalizatorë për ndërtimin e politikave të qëndrueshme, përmirësimin e imazhit të vendit dhe fuqizimin e diplomacisë publike.   Për të shfrytëzuar maksimalisht këtë potencial, është tejet e rëndësishme një strategji e qartë dhe e mirëkoordinuar midis institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe vetë diasporës. Institucionalizimi i angazhimit të diasporës dhe përdorimi strategjik i diplomacisë digjitale mund ta pozicionojnë Kosovën si një aktor më të fuqishëm në skenën globale. Duke kanalizuar energjinë dhe kapacitetet e diaspores drejt ndryshimeve të prekshme dhe inovacionit, Kosova mund të sigurojë një rol më aktiv dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e saj kombëtar dhe ndërkombëtar.   Për të maksimizuar ndikimin e diasporës dhe për ta shndërruar atë në një faktor kyç në zhvillimin e Kosovës, është thelbësore institucionalizimi i përfshirjes së saj në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një platformë të dedikuar për të koordinuar angazhimin e ekspertëve të diasporës në hartimin e politikave dhe projekteve zhvillimore. Kjo platformë duhet të funksionojë si një urë lidhëse midis institucioneve publike, sektorit privat dhe profesionistëve të diasporës, duke siguruar një mekanizëm të qartë për identifikimin e nevojave dhe përfshirjen e ekspertizës ndërkombëtare në proceset vendimmarrëse të Kosovës.   Për më tepër, rritja e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare është një hap i domosdoshëm për të siguruar që angazhimi i diasporës të jetë pjesë e strategjive të zhvillimit të vendit. Duke e lidhur diasporën me institucione dhe rrjete globale, Kosova mund të përfitojë nga njohuritë, përvojat dhe kontaktet ndërkombëtare të profesionistëve të saj. Kjo do të ndihmonte në transferimin e njohurive, lehtësimin e mundësive të reja për punësim dhe investime, si dhe në krijimin e partneriteteve të qëndrueshme në fusha si inovacioni, teknologjia dhe edukimi.   Një aspekt tjetër kyç është lehtësimi i investimeve të diasporës, i cili do të inkurajonte angazhimin ekonomik të saj në Kosovë. Krijimi i mekanizmave të qartë ligjorë dhe administrativë për investitorët nga diaspora është një domosdoshmëri për të nxitur më shumë projekte zhvillimore dhe për të ulur barrierat që shpesh pengojnë investimet. Reforma në procedurat e regjistrimit të bizneseve, sigurimi i mbështetjes financiare për investitorët dhe garantimi i një mjedisi të favorshëm për investime do ta bënin Kosovën një destinacion më tërheqës për kapitalin e diasporës.   Së fundmi, zhvillimi i diplomacisë digjitale si një strategji shtetërore është një hap thelbësor për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të promovuar interesat e saj në botë. Qeveria dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të investojnë në trajnime, platforma dhe fushata të strukturuara që forcojnë aftësinë e institucioneve dhe qytetarëve për të përdorur mjetet digjitale në avokim dhe diplomaci publike. Përmes një qasjeje më strategjike dhe të koordinuar, Kosova mund të fuqizojë praninë e saj në arenën ndërkombëtare, të ndikojë në perceptimet globale dhe të sigurojë mbështetje më të madhe për çështjet e saj në nivel ndërkombëtar.   Ky artikull u realizua me mbështetje nga projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor,” zbatuar nga Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Qendrën për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM), me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi e vetme e Germin si zbatues i projektit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).  
Date: 17/03/2025
0 Views