Angazhimi i të rinjve nga diaspora dhe Kosova në programe arsimore është thelbësor për të adresuar mospërputhjen midis kualifikimeve të të rinjve dhe kërkesave të tregut të punës në Kosovë. Shumë studentë diplomohen pa fituar aftësitë e nevojshme për të pasur sukses në tregun e sotëm të punës. Për të kapërcyer këtë boshllëk, nevojitet një partneritet publik-privat, dhe Germin beson fuqishem që mund të udhëheq këto përpjekje. Duke shfrytëzuar teknologjitë bashkëkohore të informacionit dhe platformat e bashkëpunimit virtual, Germin ndihmon të rinjtë të pajisen me aftësitë e nevojshme për të arritur sukses.
OriginAL është një program që ofron një tur edukativ dhe kulturor për të rinjtë e diasporës shqiptare në vendet e tyre të origjinës. Ky program përfshin përvoja vullnetare dhe ka si qëllim të motivojë pjesëmarrësit të zbulojnë dhe lidhen me rrënjët e tyre. OriginAL është një program i pavarur, i nisur në vitin 2022 nga GERMIN dhe Global Albanians Foundation, me synime shumë ambicioze për të ndryshuar mënyrën se si brezat e rinj të diasporës e perceptojnë vendin e tyre të origjinës.
Një tjetër iniciativë është projekti i UNICEF-it "Avancimi i partneritetit me diasporën për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë", i cili siguroi praktika të paguara për 50 të rinj në 21 kompani të diasporës. Germin gjithashtu bashkëpunoi me Agjencinë Gjermane për Zhvillim (GIZ) për të angazhuar profesionistë të diasporës shqiptare në angazhime afatshkurtra në vendet e tyre përmes platformës Engaging Diaspora Professionals.
Përmes këtyre përpjekjeve, Germin krijon lidhje mes të rinjve të diasporës dhe vendeve të tyre të origjinës, duke siguruar që aftësitë dhe përvoja e fituar jashtë vendit të investohen në vendlindje, duke kontribuar në një forcë punëtore më të fortë dhe më të kualifikuar për të ardhmen.