Avokimi & Diplomacia
Ruajtja e Gjuhës Shqipe në Diasporë – Një Detyrë Kombëtare
Date: 12/02/2025
0 Views

Gjuha shqipe, si shenja më e dukshme e identitetit tonë kombëtar, është një pasuri e pashmangshme që duhet ruajtur dhe përhapur jo vetëm brenda kufijve të vendeve amë, por gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Sot, në një kohë globalizimi, ruajtja e gjuhës amtare në diasporë është një detyrë që kërkon angazhim, bashkëpunim dhe strategji të qëndrueshme. Megjithëse ka pasur përpjekje të vlefshme vullnetare nga mësuesit dhe shoqatat shqiptare në të gjithë botën, sfidat që paraqet organizimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë në ditët e sotme janë të shumta dhe komplekse. Mësimi i gjuhës shqipenuk është thjesht një çështje arsimore, por një përpjekje për ruajtjen e identitetit kulturor dhe kundër asimilimit.

Sfidat Kryesore në Ruajtjen dhe Mësimin e Gjuhës Shqipe Jashtë Atdheut

 

Një nga sfidat më të mëdha që përballin mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë është mungesa e një sistemi të unifikuar të mësimdhënësve dhe organizimit të tyre. Në shumë vende, mësimi i gjuhës shqipe është i varur nga nismat vullnetare të mësuesve dhe shoqatave lokale. Kjo ka çuar në një mungesë të koordinimit dhe në plane të ndryshme mësimore që ndonjëherë nuk përshtaten me nevojat e nxënësve. Për shembull, në Gjermani, ku ekzistojnë shumë komunitete shqiptare, mësimi i gjuhës shqipe nuk është i standardizuar. Disa mësues punojnë me plane të miratuara nga Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa të tjerë krijojnë materiale nga e para. Kjo mungesë e një qasjeje të njëtrajtshme e bën të vështirë për nxënësit të ndjekin një rrugëtim të qartë në mësimin e gjuhës së tyre amtare.

 

Një problem tjetër i madh është mungesa e mbështetjes financiare dhe institucionale. Shumë mësues punojnë në baza vullnetare, pa pagesë dhe pa ndihmë nga shtetet ku jetojnë. Në disa raste, edhe kur ekziston një ligj që lejon mësimin e gjuhës shqipe, procedurat burokratike dhe mungesa e financimit e bëjnë të vështirë zbatimin e tij. Për shembull, në Turqi, ku ekziston një marrëveshje midis qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Turqisë për mësimin e gjuhës shqipe, shkollat publike janë të pezulluara deri në vitin 2025. Kjo lë mësuesit dhe prindërit në një gjendje të pasigurt, duke e bërë të vështirë ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës në këtë vend.

 

Problemet me tekstet dhe kurrikulën janë një tjetër pengesë. Edhe pse ekziston një kurrikulë e miratuar nga Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, tekstet shkollore nuk janë gjithmonë të përshtatshme për nevojat e nxënësve në diasporë. Në shumë raste, nxënësit vijnë nga familje ku gjuha shqipe nuk flitet në mënyrë aktive, gjë që kërkon një qasje më të specializuar dhe materiale më të përshtatura. Për më tepër, shumëllojshmëria e klasave të nxënësve, ku nxënësit e moshave dhe niveleve të ndryshme të njohurive ndajnë të njëjtën mjedis mësimor, e bën mësimdhënien edhe më të vështirë.

 

Rekomandime për Ruajtjen dhe Përhapjen e Gjuhës Shqipe Jashtë Atdheut

 

Për të kapërcyer këto sfida, është e nevojshme të krijohet një plan i qartë dhe i koordinuar. 

  1. Së pari, duhet të krijohet një planprogram i unifikuar që të zbatohet në të gjitha vendet ku ka mësim plotësues të gjuhës shqipe. Ky planprogram duhet të jetë fleksibël dhe të përshtatet me nevojat e ndryshme të nxënësve në diasporë. Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jenë në krye të kësaj përpjekjeje, duke siguruar që të gjithë mësuesit të kenë qasje në materialet dhe burimet e nevojshme.

 

  1. Një tjetër hap i rëndësishëm është rritja e mbështetjes financiare dhe institucionale nga shtetet amë. Mësuesit në diasporë duhet të kenë mundësinë të punojnë në kushte më të mira, me pagesa dhe ndihmë logjistike. Kjo përfshin edhe ndihmën për nostrifikimin e diplomave, në mënyrë që mësuesit të mund të integrohen në sistemet arsimore lokale. Përveç kësaj, duhet të forcohet bashkëpunimi midis Shqipërisë, Kosovës dhe shteteve ku jetojnë shqiptarët, në mënyrë që gjuha shqipe të futet si lëndë zgjedhore në shkollat lokale.

 

  1. Përmirësimi i teksteve shkollore dhe krijimi i një platforme digjitale janë dy hapa të tjerë të rëndësishëm. Tekstet duhet të përshtaten më mirë me nevojat e nxënësve në diasporë, duke marrë parasysh shumëllojshmërinë e klasave dhe nivelieve të njohurive të gjuhës shqipe. Një platformë digjitale do të lehtësonte komunikimin midis mësuesve dhe do të mundësonte shkëmbimin e materialeve dhe përvojave. Kjo do të ishte veçanërisht e dobishme për mësuesit që punojnë në vende të ndryshme dhe që kanë nevojë për një burim të përbashkët informacioni.

 

  1. Trajnimet dhe seminarët e rregullt për mësuesit në diasporë janë gjithashtu thelbësore. Këto trajnime duhet të fokusohen në mësimdhënien në klasa heterogjene dhe në përdorimin e teknologjisë në arsim. Përveç kësaj, duhet të krijohen mundësi për certifikimin e gjuhës shqipe, në mënyrë që ajo të ketë një vlerësim ndërkombëtar dhe të njohur si një gjuhë e rëndësishme në nivel global.

 

Përfundim

 

Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një detyrë kombëtare që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve insititucional dhe jo-formal, një qasje të mirëstrukturuar dhe mbështetje të qëndrueshme. Pa një program të unifikuar, mbështetje institucionale dhe materiale të përshtatura për nevojat e nxënësve, përpjekjet individuale mbeten të fragmentuara dhe të vështira për t’u zhvilluar në nje periudhe afatgjate. Koordinimi mes institucioneve arsimore në Shqipëri dhe Kosovë, financimi i mësimdhënies, trajnimi i mësuesve dhe digjitalizimi i burimeve janë hapa thelbësorë për të siguruar vazhdimësinë e gjuhës shqipe si pjesë e identitetit kulturor dhe kombëtar. Për të pasur rezultate konkrete, është e domosdoshme një angazhim më i madh institucional dhe një bashkëpunim i qëndrueshëm midis të gjitha palëve të përfshira.

 

Ky artikull u realizua me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin  Perëndimor” të zbatuar nga Qendra për Promovimin Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Institutin për Demokraci  dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e
Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).

Të fundit
Lajme të ngjashme
Njoftohuni me zhvillimet, iniciativat dhe diskutimet e fundit lidhur me Avokimin dhe Diplomacinë.
News, Latest
OriginAL Hap Aplikimet për Grupet e 2025
OriginAL me kënaqësi njofton hapjen zyrtare të aplikimeve për grupet e vitit 2025. Ky program unik edukativ dhe kulturor fton të rinjtë shqiptarë të moshës 18 deri në 24 vjeç në një udhëtim të zbulimit, lidhjes dhe zhvillimit personal.   Pjesëmarrësit e OriginAL do të angazhohen në përvoja të ndryshme, duke eksploruar trashëgiminë kulturore, historinë, gjuhën dhe traditat e Kosovës dhe Shqipërisë. Programi synon të forcojë ndjenjën e identitetit tek pjesëmarrësit dhe të thellojë kuptimin e tyre mbi rrënjët paraardhëse.   Për herë të parë këtë vit, OriginAL ofron fleksibilitet duke u lejuar aplikuesve të zgjedhin periudhën në të cilën dëshirojnë të marrin pjesë. Kjo risi siguron që më shumë të rinj të mund të jenë pjesë e kësaj mundësie që ndryshon jetën në një kohë që përshtatet më mirë me oraret e tyre.   Kriteret e Përshtatshmërisë: Të jenë me prejardhje shqiptare. Mosha ndërmjet 18 dhe 24 vjeç. Interes për eksplorimin kulturor dhe historik.   Si të Aplikoni: Për të aplikuar apo për më shumë detaje mbi kriteret e aplikimit dhe programit, ju lutemi klikoni në linkun më poshtë. APLIKO KETU
Date: 25/02/2025
0 Views