fbpx
Mars 11, 2022

NËNSHKRIMI I KONTRATËS SË BASHKËPUNIMIT MES CARITASIT ZVICERAN NË KOSOVË DHE ORGANIZATËS PARTNERE GERMIN

Nga Germin-1632 Shikime-Asnjë koment

Projekti: MARDI (Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë), Kosovë Caritasi Zviceran në Kosovë përmes projektit MARDI (Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë) ka nënshkruar kontratë bashkëpunimi për implementim të projektit me organizatën partnere GERMIN.

Nënshkrimi i kësaj kontrate ka për qëllim “Përdorimin e Njohurive dhe Kapitalit Financiar të Diasporës për të Ndikuar në Zhvillim Ekonomik të Komunave Kosovare” në kuadër të Projektit MARDI. Ky projekt do të implementohet në periudhë tre vjeçare në tërë Kosovën, dhe implementon edhe dy komponente të tjera: Ngritjen e Kapaciteteve për Komuna dhe Përkrahjen e Nevojave të Migrantëve dhe Integrimin e tyre në vend.

Ndër aktivitetet kryesore të bashkëpunimit me organizatën partnere GERMIN përfshijnë, prezantimin dhe informimin e komunitetit biznesor të diasporës veçanërisht në Zvicër, Austri dhe Gjermani.

Partneriteti përshfinë edhe ofrimin e ndihmës në shkëmbimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit të ndërmarrësve Kosovarë dhe atyre të tjerë përmes: takimeve biznes-më-biznes, platformave rrjetëzuese, si dhe nga angazhimi i profesionistëve të diasporës për shkëmbim të njohurive dhe përvojave të tyre.

E veçanta e këtij projekti është edhe identifikimi dhe financimi i projekteve investuese më të kërkuara mbi bazën 50/50 (barazi 1+1). Kjo do të bëhet përmes fondeve publike të komunës/qeverisë përkatëse dhe investitorit të diasporës në fusha të ndryshme – Partneritet Publiko/Privat.

Ky bashkëpunim arrihet falë kontributit financiar të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe komunave të targetuara në projekt.

GERMIN si organizatë partnere, është organizatë joqeveritare e cila mundëson përdorimin e teknologjisë dhe kanaleve të tjera për ta lidhur dhe angazhuar diasporën. GERMIN ka për qëllim që diaspora të ketë një rol aktiv si partnerë në proces të bashkë-krijimit, për përmirësim të zhvillimit socio-ekonomik dhe demokratizim të Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. GERMIN ka një eksperiencë të gjerë në implementim të projekteve të zhvilluara në terren me diasporën duke përdorur metoda të ndryshme të angazhimit.

Caritasi Zviceran në Kosovë mirëpret bashkëpunimin me organizatën partnere GERMIN për të kontribuar në zhvillim të objektivave të projektit me fokus të veçantë me diasporë.