fbpx
Shtator 27, 2023

Angazhimi i Diasporës: Takim rrjetëzimi në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin

Nga Germin-616 Shikime-Asnjë koment

Më 21 shtator 2023, në hapësirat e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, organizuam takimin rrjetëzues dhe njoftues me profesionistë nga diaspora në Gjermani. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i mundësive për angazhim në vendin amë, përkatësisht në Komunat e Kosovës, partnere në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë” (MARDI) të CARITAS-it Zviceran në Kosovë. Ky aktivitet mblodhi dhjetëra profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët përmes pjesëmarrjes dhe kontributit të tyre shprehën gatishmërinë për t’u angazhuar në Kosovë.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti e përshëndeti këtë ngjarje duke ofruar mbështetjen e plotë të Ambasadës së Kosovës për nisma të tilla. Nërkohë, bashkë-drejtuesit e GERMIN, Sihana Bejtullahu dhe Lirim Krasniqi theksuan se potencialet intelektuale e profesionale të diasporës sonë përbëjnë njërin prej aseteve më të çmuara të kombit tonë, prandaj krijimi i hapësirës për ta në institucionet e vendit amë ka rëndësi të madhe zhvillimore.

Ndërkohë, Shpetim Shujaku nga projekti MARDI i CARITAS-i Zviceran në Kosovë, së bashku me Blerta Mexhuanin nga GERMIN prezantuan detajet e këtij projekti dhe mundësitë që ofrohen për profesionistët e interesuar nga diaspora për të kontribuar në komunat e Kosovës.

Transferi dhe shkëmbimi i njohurive dhe shkathësive është pjesë e një prej shtyllave programore të GERMIN. Përmes “Angazhimit të Profesionistëve nga Diaspora” (EDP), ne synojmë të ndërmjetësojmë kontributet profesionale dhe intelektuale nga diaspora në institucione dhe organizata në vendet amë. Më shumë detaje rreth programit mund të gjenden në: https://diasporaprofessionals.germin.org/ 

Kjo ngjarje u realizua edhe falë mbështetjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin dhe Organizatës së Akademikëve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare në Berlin (OASA).