fbpx
July 24, 2020

Diaspora Flet n’Mynih

By Germin-26491 Views-No Comment

Në takimin virtual “Diaspora Flet n’Mynih” morrën pjesë 22 bashkëatdhetarë të cilët jetojnë dhe veprojnë në Mynih, Gjermani dhe në qytetet përreth. 

Takimi u hap me një prezantim të shkurtër të kryetarit të shoqatës BESA Foundation, Anton Krasniqi, i cili përgëzoi angazhimin e shoqatave si Germin, Dija e.V. dhe shoqatën që ai e udhëheq për angazhimin që bëjnë në të mirë të komunitetit shqiptar. Përkundër angazhimit të palodhshëm të organizatave dhe shoqatave, ai potencoi që angazhimi kapaciteti dhe potenciali i Diasporës shqiptare në vendet amë, mbetet nën nivelin e kënaqshëm të pjesëmarrjes, kjo për shkak të mungesës së vullnetit dhe platformave të ofruara nga politikë-bërësit në vendet e origjinës. Ai poashtu përmendi rëndësinë dhe rolin e madh që e luajnë remitancat e ardhura nga Diaspora në vendet amë dhe që një gjë e tillë nënkupton që rrjedhimisht komuniteti i Diasporës duhet të jetë i përfshirë në vendim-marrje dhe politikë-bërjen ditore në këto vende.

Më pas Kryetari i Shoqërisë DIJA e.V., z. Eshref Januzaj, pas fjalës përshëndetëse, tregoi rreth angazhimit të tij profesional dhe organizatës së akademikëve shqiptar në Mynih. Ai përpos historikut dhe misionit të organizatës, tregoi në mënyrë kronologjike rrugëtimin dhe aktivitetet që ata kanë bërë deri më tani në fuqizimin dhe rrjetëzimin e akademikëve shqiptar në Bavari. Si dhe për aktivitetet dhe projektet e Shoqërisë DIJA që kanë të bëjnë me transferin e dijes dhe investimëve në Kosovë dhe Shqipëri (që nga viti 2010 e deri më tani) Për sa i përket temës së këtij takimi, respektivisht angazhimit të profesionistëve shqiptar të Diasporës në atdhe, ai përmendi disa nga hapat që duhet të merren nga politikë-bërësit, institucionet dhe organizatat pritëse në vendet amë dhe poashtu rëndësinë e zhvillimit të Migrimit Qarkor. Njëri ndër elementet kryesore që këta akterë duhet të bëjnë, është të ofrojnë projekte dhe plane konkrete e strategjike të cilët mundësojnë angazhim serioz dhe kontribuim të sinqertë të Diasporës, e në të njëjtën kohë të mënjanohet qasja folklorike e cila në fund nuk arrin konkretizim. Ai potencoi që ekspertët dhe profesionistët që vijnë nga Diaspora në vendet amë duhet të vlerësohen, respektohen dhe financohen më shumë në vendet pritëse, pasi që shumë shpesh ndodh që ata të mos vlerësohen njëjtë sikurse ekspertë të tjerë të huaj, mbase vetëm pse ekspertët shqiptarë flasin edhe shqip.

Organizatorët lokal të këtij takimi ishin znj .Qamlije Lokaj, e punësuar tek Zyra Federale për migrim dhe refugjatë në Mynih dhe Z. Ilir Seferi dhe, nga kryesia e Shoqatës BESA Foundation prezantoi historikun dhe aktivitetet e kësaj shoqate, duke theksuar faktin që është shoqata e parë si rrjet i biznisneseve shqiptare në Bavari. Z. Seferi numëroi aksionet e shumta humanitare dhe donacionet që kjo shoqatë ka organizauar në ndihmë të vendit amë, poashtu në angazhimin e tyre tek Migrimi Qarkor ku kanë angazhuar nxënës që të mësojnë profesione të ndryshme e më pas eksperiencën e tyre ta përcjellin në Kosovë. Ata theksuan se lidhja emocionale e Diasporës me vendet amë duhet të mirëmbahet dhe mënyra më e mirë është përmes kultivimit dhe ndihmës së “Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar”, pasi që përmes gjuhës arrihet të ruhet një lidhje e tillë. Deri më tani angazhimi dhe ndihma ndaj atdheut ka qenë e pakushtëzuar mirëpo ka ardhur koha që të ketë rezultate konkrete në bashkëpunim atdhe-diasporë. Tash e tutje bashkëpunimi duhet të bëhet në mënyrë financiare dhe jo më në mënyre vullnatare, sidomos në angazhimin e ekspertëve dhe profesionistëve.

Z. Xhelal Dërguti, përfaqësues i Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH përkatësisht DIMAK, përmes një prezantimi në platformën Zoom paraqiti tek pjesëmarrësit informacionet bazike rreth projektit të GIZ-it “Ekspertët e Diasporës”. Ai paraqiti hapat që i përmban procesi, kriteret të cilat duhet të plotësohen nga aplikantët dhe poashtu kushtet që u ofrohen profesionistëve në rast të angazhimit të tyre potencial në Kosovë ose Shqipëri.

Me rastin e pyetësorit të pjesëmarrësve rreth gatishmërisë së tyre për tu angazhuar në vendet amë (Kosovë dhe Shqipëri), ata në shumicë shprehën gatishmëri për të bërë një gjë të tillë në formate të ndryshme. Ndonëse ata shprehën gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar, ata ishin të vetëdijshëm për disa nga sfidat dhe problemet që mund të hasin para ose gjatë angazhimit të tyre.

Ndër sfidat dhe rekomandimet kryesore të cilat u përmendën në këtë takim, kishin të bënin me institucionet pritëse dhe qasjen e tyre ndaj ekspertëve të Diasporës. Shumë nga ekspertët të cilët kishin përvoja me institucionet pritëse treguan që mungon një qasje profesionale dhe respekti për të angazhuarit nga Diaspora. Poashtu nga mungesa e definimit të rolit dhe përgjegjësive të këtyre ekspertëve, ka ndodhur që disa herë ekspertët nga Diaspora të bijnë ndesh me marrëveshjen parimore, nga detyrimi apo trysnia e institucioneve pritese.

Rikanalizimi i remitancave në investime do të sillte shumëfishimin e te ardhurave në vendet amë, andaj nevojiten politika strategjike në zhvillim të vendit me ndihmë të Diasporës.

Poashtu, u theksua që nevojitet të bëhet identifikimi dhe profilizimi i ekspertëve dhe profesionistëve të Diasporës, gjë që do të mundësonte qasjen dhe komunikimin e drejtpërdrejtë të tyre në vendet amë nga institucionet dhe organizatat pritëse.