fbpx
June 28, 2024

Analiza e Nevojave dhe Identifikimi i Problemeve të Diasporës Kosovare

By Germin-1391 Views-No Comment

“Analiza e nevojave dhe identifikimi i problemeve të diasporës kosovare” quhet raporti analitik i realizuar nga GERMIN në kuadër të projektit "Diaspora për avancimin e politikëbërjes në Kosovë."

Raporti studimor bazohet në një rishikim të detajuar të hulumtimeve dhe analizave ekzistuese, të dhënave zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), procesverbalet e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë si dhe intervistave me anëtarët e diasporës.

Sfidat dhe mundësitë

Investimet dhe potenciali ekonomik: Kontributet financiare të diasporës vijnë kryesisht përmes remitancave. Megjithatë, ka nevojë për informacion dhe udhëzim më të mirë, stabilitet politik dhe ligjor dhe sundim të ligjit për të inkurajuar investime më të rëndësishme.

Arsimi dhe ruajtja e kulturës: Raporti thekson mungesën e arsimit plotësues të institucionalizuar në gjuhën shqipe dhe nevojën që qendrat kulturore të ruajnë lidhjen e diasporës me trashëgiminë e tyre.

E drejta e votës: Sigurimi i të drejtës së votës së diasporës mbetet një sfidë për shkak të barrierave ligjore dhe administrative.

Analiza krahasuese: Studimi krahason strategjitë e angazhimit të diasporës së Kosovës me modele të suksesshme nga Moldavia, Kroacia dhe Izraeli.

Rekomandimet

Raporti ofron një sërë rekomandimesh specifike për MPJD-në dhe KKPJD-në për të rritur angazhimin e diasporës ku ndër më të rëndësishmet janë:

  1. Reforma të Politikave: Krijimi dhe implementimi i politikave që adresojnë nevojat dhe interesat e diasporës, duke përfshirë lehtësimin e investimeve dhe përmirësimin e infrastrukturës ligjore.
  2. Koordinim më i Mirë: Përmirësimi i koordinimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave të diasporës për të siguruar një qasje të përbashkët dhe efektive.
  3. Krijimi i Kushteve të Favorshme për Investime: Sigurimi i stabilitetit politik dhe ligjor, si dhe ofrimi i informacionit dhe mbështetjes për investitorët potencialë nga diaspora.

Përmbledhje

Gjetjet e raportit nënvizojnë rëndësinë e një përpjekjeje të koordinuar ndërmjet diasporës dhe qeverisë për të shfrytëzuar potencialin e plotë të kontributeve të diasporës në zhvillimin afatgjatë të Kosovës. Për të arritur këtë, është thelbësore që qeveria të ndërmarrë hapa konkret dhe të vazhdojë dialogun dhe bashkëpunimin me diasporën.

Ky raport u realizua me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Qendra për Promovimin Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e këtij raporti është përgjegjësi vetëm e GERMIN si zbatues i projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëvpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).