Infographics
Angazhimi i Profesionistëve nga Diaspora në vendet amë: Takim me komunitetin shqiptar në rajonin e Hamburgut në Gjermani
Date: 06/08/2020
0 Views

Në takimin virtual të mbajtur me datën 05 gusht 2020, “Diaspora Flet n’Hamburg” morën pjesë 21 bashkëatdhetarë të cilët jetojnë dhe veprojnë në Hamburg, Gjermani dhe në qytetet përreth. Takimi filloi me njoftimin e pjesëmarrësve dhe prezantimet individuale.

Diskutimi u hap me një prezantim të shkurtër të kryetarit të shoqatës ODA në Hamburg, z. Muhamet Idrizi, i cili në pika të shkurtra shpjegoi se si është themeluar kjo organizatë, duke theksuar programet e saj kryesore siç janë: Edukimi, Ndihma për Rininë, Bashkëpunimi Ndërmjet Popujve. Gjithashtu, ai potencoi bashkëpunimin dhe njoftimin me organizatën GERMIN, duke shprehur kënaqësinë me mundësitë dhe meritat që ka GERMIN për lidhjen e Diasporës me vendin amë. Muhameti ndau përvojën e tij për angazhimin si profesionist nga diaspora në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë e tij për angazhim në MPJD.

Znj. Suela Kalia përfaqësuese e GIZ për Shqipëri bëri prezantimin e programit Migrimi dhe Diaspora “Si mund të kontribuoj Diaspora shqip-folëse në vendlindjen e saj”, si dhe qëllimin e programit të GIZ dhe CIM. Ajo foli për kthimin afatshkurtër, dhe kriteret për të marrë pjesë, ku grupi i synuar janë antarët e diasporës shqiptare që kanë vullnet për të kontribuar në vendin e origjinës. Kjo është e mundur për ata që kanë studiuar apo kanë punuar në Gjermani për së paku 2 vite, dhe kthehen për të kontribuar në vendin e origjinës me njohuritë dhe përvojën e fituar atje.

Znj. Sihana Bejtullahu, Bashkë-Drejtoreshë Ekzekutive në Germin prezantoj Organizatën GERMIN për pjesëmarrësit e rinj. Ajo njoftoi ata se konferenca “Diaspora Flet” këtë vit do të mbahet online në muajin nëntor 2020. Po ashtu ftoipjesëmarrësitpër bashkëpunim nëse kanë ndonjë ide të cilën mund ta realizojmë së bashku,uke shpalosur kështu edhe mundësitë që ofron projekti i Germin që ka për qëllim të lidhë nevojat e institucioneve me ekspertët (profesionistët) nga diaspora

Z. Xhelal Derguti përfaqësues i GIZ për Kosovë pas prezantimit nga znj. Suela Kalia dhe Germinit, ka shtjelluar më tej bashkpunimin me organizatën Germin për sjelljen e profesionistëve nga diaspora në Kosovë dhe në Shqipëri. Ai ka theksuar se pandemia e ka penguar realizimin e projektit kur ishte në intensitetin e tij më të madh. Mirëpo, me zbutjen e masave lidhur me pandeminë, pret që të realizohet angazhimi i profesionistëve nga diaspora në vendet e origjinës, duke ftuar edhe emra të rinj të bëhen pjesë e tij. Për ekspertët e diasporës pritjet janë më të mëdha, dhe përvoja e punës e kontrollohet nga CIM, dhe procedurat në këtë drejtim janë strikte. Më tej ai ka shtuar se nuk ka përjashtime sa i përket sektorëve të ekspertizës (p.sh. nëse dikush punon si automekanik, në ndërtimtari, apo është mjeshtër i ujësjellësit). Ai ka treguar se qëllimi i programit nuk është që të punoni pa ndërprerë në mënyrë vullnetare, por edhe që t’i krijoni apo rikrijoni lidhjet me vendin e origjinës. I pyetur rreth mundësisë për punë praktike në vendin e origjinës, ai tregon se praktika ka dështuar për shkak të pandemisë, ku ishte e paraparë që t’u mundësohej studentëve në diasporë që të angazhohen në vendet e origjinës në institucionet apo në organizatat për një periudhë nga 3-6 muaj. Gjithashtu u ka bërë thirrje të interesuarve për t’u angazhuar në vendin e origjinës që të informohen me kohë, sepse çështjet burokratike marrin kohë, dhe nuk është një mendim që mund të merret shpejtë, por duhet të mendohet më heret.

Znj. Fjolla Duraku u shpreh e kënaqur që mund të vijnë edhe emrat e rinjë dhe ka qenë e interesuar të dijë më shumë rreth programit. Ajo shprehet e indunjuar me moszhvillimin e institucioneve komunale në aspektin teknologjik, ku ka hasur në probleme në marrjen e dokumenteve. Gjithashtu shton që ata që kanë studiuar në Kosovë dhe kanë kaluar në Gjermani, kanë përparësi në aspektin e gjuhës, dhe do të ishtë mirë që të ketë më shumë takime virtuale në mënyrë që të përmirsohen në aspektin gjuhësorë ata të cilët kanë pengesa.

Znj. Donika Mehmeti ka folur rreth përvojës pas përfundimit të studimeve juridike, ku u mundësohet vizita në gjyqe, avokaturë, dhe se përfundimi i provimit të jurispudencës të njihet si përvojë pune. Ajo ka treguar për eksperiencën 3 mujore në Kosovë dhe takimin me avokat, gjykatës, për çështje rreth zbatimit të ligjeve gjë e cila e ka ndihmuar lidhur me profesionalizimin e saj. Ajo ka kërkuar krijimin e rrjetit të profesionistëve të rinjë, për organizimin e ndonjë takimi qoftë edhe në mënyrë virtuale, dhe ka kërkuar që rrjeti i profesionistëve të jetë në lidhje me fushën përkatëse, p.sh profesionistët juristë nga Gjermania të shkëmbejnë përvojat me profesionistët jurist nga Kosova. Gjithashtu ka shprehur interesim për tu angazhuar në të ardhmen.

Z. Lulzim Veliu si një ish- i angazhuar në programin EDP ka treguar për projektin në bashkpunim me programin e GIZ në shkollën profesionale Gjin Gazulli, ku kanë trajnuar disa prej nxënësve dhe 2 mësimdhënës, e poashtu edhe në Universitetin Polis të Tiranës, dhe për trajnimin në qendrën e kompetencës në Skenderaj. Ai treguar se si ka arritur që të bëjë ndryshimin e kurrikulës mësimore. E po ashtu që nga tetori do ta bëjnë një projekt me një organizatë jo-qeveritare në Prishtinë si ICK, me ekspertë të diasporës dhe me financimin përmes Ministrisë së Arsimit.

Krejt në përfundim të takimit z. Lirim Krasniqi, Bashk-Drejtor Ekzekutiv në GERMIN shton se potenciali profesional që mungon në Kosovë dhe Shqipëri mund të gjendet tek diaspora edhe në bazë të hulumtimit të fundit që ka bërë Germin. Angazhimi në vendin e origjinës nuk duhet të shihet më si punë vullnetare, mirëpo si punë profesionale, dhe profesionisti nga diaspora duhet të trajtohet si ekspert i një fushe të caktuar i cili bashkë me njohuritë, lidhet më tej me vendin e origjinës. Në këtë drejtim ai shtoi se profesionistët nga diaspora nuk duhet të ndihen keq nëse kërkojnë kompensim për punën të cilën e bëjnë, sepse vetë angazhimi i tyre profesional është kontribut për vendin amë.