Tryezë Diskutimi – Fuqizimi i Forcës Punëtore në Kosovë: Kapitali Njerëzor dhe Mentorimi
Date: 24/12/2024
0 Views
Kjo tryezë diskutimi theksoi rolin e kapitalit njerëzor të diasporës në formimin e forcës punëtore të Kosovës. Mentorët e diasporës dhe përfituesit lokalë (mentees) që ishin pjesë e Programit të Mentorimit Peer-to-peer të Diasporës, ndanë disa nga arritjet dhe reagimet mbi ndikimin e programit gjatë viteve.
Në fjalën e tij të mirëseardhjes, Z. Avni Mustafaj, Bashkëkryetar i Bordit të GERMIN, theksoi se këto ngjarje festojnë angazhimin e palëkundur të të gjithë atyre që janë përfshirë në lidhjen e diasporës shqiptare dhe në promovimin e mentorimit dhe angazhimit profesional për fuqizimin e forcës punëtore dhe komunitetit të Kosovës.
Moderatorja jonë e dedikuar, Znj. Fatlume Halili, Menaxhere e Lidhjeve me Ekosistemin në Aktivitetin e Zhvillimit të Forcës Punëtore të Udhehqur nga Privatët i USAID, udhëhoqi me mjeshtri diskutimin, duke siguruar që të ndaheshin perspektiva të ndryshme.
Z. Xhelal Derguti, Koordinator i Projektit të Migracionit dhe Diasporës në GIZ, theksoi rëndësinë e përfshirjes në shkëmbimin e njohurive dhe aftësive nga diaspora. Ai theksoi se përshtatja e programeve për të adresuar sfidat specifike të grupeve të grave dhe atyre jo-majoritare, duke krijuar mundësi të barabarta, e rrit dukshëm ndikimin shoqëror dhe ekonomik të këtyre iniciativave.
Mentorët e diasporës ndanë histori tërheqëse mbi përvojat e tyre të mentorimit:
Agnesa Belegu, Dizajnerja e Lojërave e Nivelit të Lartë dhe Darsej Rizaj, Bashkëthemelues dhe CEO i Digital School, folën për punën e tyre në përmirësimin e sistemit të mësimit të gamifikuar, Houses 2.0. Fokusi në zhvillimin e narrativës dhe angazhimin e lojtarëve ka ndihmuar shkollën të krijojë një mjedis dinamik mësimor që balancojnë përmbajtjen edukative me elementët e gamifikimit si qëllimet, ndërveprimin dhe feedback-un. Kërkimi dhe zhvillimi (R&D) është një hap i rëndësishëm drejt këtij drejtimi.
Shkelqim Sina, Zhvillues i Softuerëve i Nivelit të Lartë, diskutoi udhëheqjen e tij për mësuesit në Shkollën e Mesme Lutfi Musiqi për krijimin e një aplikacioni për gjurmimin e mungesave të nxënësve. Aplikacioni jo vetëm që përmirësoi efikasitetin administrativ, por rriti edhe besimin e mësuesve në integrimin e teknologjisë në rutinën e përditshme, raporton Adil Jusufi, mësues në shkollë.
Erblin Gashi, Drejtor Ekzekutiv i Kompanisë Eurofruti, ndau informacione mbi se si mentorimi në lidhje me certifikimin organik, paketimin dhe markimin ka mundësuar kompaninë e tij të konkurrojë më efektivisht në tregjet lokale dhe evropiane. Edhe pse nuk mundi të merrte pjesë, Ilda Bruzja ndau refleksionet e saj, duke theksuar: “Mentorët e diasporës janë thellësisht të motivuar nga mundësia për të dhënë pas, dhe ndikimi i tyre forcohet kur homologët lokalë janë të hapur për të zbatuar ide dhe strategji inovative.”
Panelistët përfunduan duke theksuar vlerën e mentorimit në lidhjen e ekspertizës globale me nevojat lokale dhe rëndësinë e përshtatjes së qasjeve në kontekstin unik të Kosovës. Mundësitë për t’u bashkuar, për të angazhuar në diskutime dhe për të bashkëpunuar u theksuan si të rëndësishme për zhvillimin e aftësisë për të reaguar dhe për t’u përshtatur me sfidat e forcës punëtore dhe për të sjellë zgjidhje me ndikim.
Ky diskutim dhe Programi i Mentorimit Peer-to-Peer të Diasporës mbështeten nga Aktiviteti i të USAID-it për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore në Kosovë përmes Sektorit Privat, i zbatuar nga IREX, në partneritet me GERMIN.
Të fundit
Lajme të ngjashme
Njoftohuni me zhvillimet, iniciativat dhe diskutimet e fundit lidhur me Avokimin dhe Diplomacinë.
News
Avokimi dhe Diplomacia Digjitale e Diasporës – Shtysë për Transformimin e Kosovës
Shkruan: Arieta Dragusha
Në një botë globalisht të ndërlidhur, ku informacioni dhe komunikimi përhapen me shpejtësi të jashtëzakonshme, avokimi dhe diplomacia digjitale janë shndërruar në mjete të domosdoshme, veçanërisht për shtete të vogla si Kosova. Roli i diasporës në këto procese shkon përtej një mbështetjeje simbolike, duke u bërë një forcë kyçe në promovimin e interesave kombëtare, forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nxitjen e politikave zhvillimore. Me miliona shqiptarë të shpërndarë anembanë botës, diaspora përfaqëson një potencial ende të pashfrytëzuar plotësisht për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të kontribuar në transformimin e Kosovës.
Ky artikull, i bazuar në diskutimet e mbajtura gjatë tryezës - Avokimi dhe Diplomacia Publike e Diasporës - organizuar nga Germin në dhjetor 2024, analizon evolucionin e avokimit dhe diplomacisë digjitale, ndikimin konkret të diasporës në politikën dhe ekonominë e Kosovës, si dhe sfidat dhe rekomandimet për të maksimizuar këtë ndikim. Synimi është të nxjerrim në pah se si teknologjia, politika dhe angazhimi qytetar mund të bashkohen për të krijuar një strategji efektive, e cila e pozicionon Kosovën më fuqishëm në skenën ndërkombëtare
Diplomacia Digjitale dhe Transformimi i Avokimit
Gjatë dekadës së fundit, interneti dhe platformat digjitale kanë hapur horizonte të reja për avokim dhe diplomaci. Në të kaluarën, diplomacia ishte fushë ekskluzive e institucioneve shtetërore, por sot diaspora ka mundësinë të ndikojë drejtpërdrejt në politikat ndërkombëtare përmes përdorimit strategjik të mediave sociale dhe fushatave të koordinuara. Këto platforma kanë lehtësuar krijimin e rrjeteve me profesionistë që formësojnë opinionet për Kosovën, duke e bërë diasporën një aktor të rëndësishëm në ndërtimin e narrativës globale për vendin.
Gjatë tryezës, Behar Xharra - bashkë-themelues i Germin, ndau rrëfimin e tij mbi fillesat e diplomacisë digjitale në Kosovë, duke theksuar sesi, në vitin 2010, kur Kosova ishte ende një shtet i ri, imazhi i saj në internet dominohej nga histori negative – lufta, politika dhe sfidat e shtetndërtimit. Ai theksoi se atëherë diplomacia po shndërrohej në një hapësirë digjitale dhe se ishte thelbësore të veprohej si qytetarë digjitalë për të ndryshuar këtë narrativë.
Xharra tregoi se Kosova kishte një diasporë si kapital diplomatik të pashfrytëzuar – individë që flasin gjuhë të huaja, janë votues në vendet ku jetojnë dhe kanë ndikim në komunitetet e tyre. Për të përmbysur narrativën negative, ai dhe ekipi i tij krijuan KosovoDiaspora, një blog i dedikuar për të promovuar histori suksesi nga diaspora dhe për të ndërtuar një imazh pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Duke punuar me diasporën, ata kuptuan se potenciali i saj mbetej i papërdorur në zhvillimin e Kosovës. Kjo çoi në themelimin e Germin si një platformë e cila synon të fuqizojë dhe angazhojë strategjikisht diasporën në proceset zhvillimore të vendit.
Përtej promovimit të imazhit të Kosovës, Xharra theksoi se diplomacia digjitale u ka mundësuar diasporës jo vetëm të sfidojë narrativa të pasakta, por edhe të mbrojë interesat e saj dhe të nxjerrë në pah histori suksesi që e pozicionojnë Kosovën si një faktor relevant në rajon. Kjo qasje e re ka transformuar mënyrën se si Kosova dhe diaspora e saj ndërveprojnë me botën, duke e bërë diasporën një aktor të rëndësishëm në diplomacinë publike të vendit.
Ka shumë histori suksesi të kosovarëve që jetojnë jashtë dhe kanë arritur në fusha si biznesi, media, arti, sporti dhe madje edhe politika. Shfrytëzimi dhe forcimi i pozitës së tyre shoqërore jashtë vendit, si dhe mundësitë për angazhim publik si ambasadorë joformalë dhe fytyra publike të Kosovës, në një mënyrë të koordinuar dhe strategjike, mund të japë një kontribut të madh në përpjekjet e Kosovës për Diplomacinë Publike. [Beyond Remittances PUBLIC DIPLOMACY AND KOSOVO‘S DIASPORA, Behar Xharra and Martin Wählisch, 2012, pg. 34]
Integrimi i Diasporës në Hartimin e Politikave
Në shumë vende, diaspora ka luajtur një rol kyç në ndihmën për hartimin e politikave dhe reformat institucionale. Kosova nuk duhet te bëj përjashtim. Përmes projekteve të ndryshme, ekspertët kosovarë të diasporës mund te japin kontribut konkret në reforma ligjore, strategji ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve të ndryshëm [Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tashmë ka një program angazhimi për profesionistët e diasporës, i cili synon të ndërlidhë ata duke u ofruar hapësirë dhe mundësi për përfshirje në MPJD. Ky program gjashtëmujor u mundëson profesionistëve të diaspoFdeyrës të shkëmbejnë njohuritë dhe përvojat e tyre në kuadër të diplomacisë publike, me fokus në diplomacinë e diasporës, diplomacinë qytetare dhe atë ekonomike - www.cdfellowship.com]. Përfshirja e profesionistëve me përvojë ndërkombëtare në mekanizmat e vendimmarrjes sjellë njohuri të reja dhe ndihmon në krijimin e politikave të harmonizuara me standardet ndërkombëtare. Germin ka një rrjet të gjerë dhe shumë efektiv të profesionistëve të ndryshëm, të cilët mund të kontribuojnë dhe të angazhohen si në shoqërinë civile ashtu edhe në institucionet e vendit. [Programi - Angazhimi i Profesionistëve nga Diaspora (EDP)]
Diplomacia Sportive si Mjet Avokimi
Sporti është një nga mekanizmat më të fuqishëm për ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për promovimin e një imazhi pozitiv për një vend. Kosova, përmes sportistëve të saj të suksesshëm, ka fituar njohje dhe respekt në skenën ndërkombëtare. Sportistët arrijnë të depërtojnë në tregje ndërkombëtare dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi përtej politikës. Për më tepër, suksesi i Kosovës në sport ka ndihmuar edhe në promovimin e barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale, e kjo sipas Elvira Dushkut, Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, shihet edhe në përbërjen e vet kësaj federate.
Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, janë vlerësuar si ndër futbollistët më të mirë të vendit. Një tjetër lojtare me origjinë kosovare, Fatmire Bajramaj, pjesë e ekipit gjerman të futbollit për femra, u nominua si Lojtarja e Vitit nga FIFA në 2010, një çmim që i jepet futbollistes më të mirë në botë. [Beyond Remittances ... pg. 66]
Roli i Diplomacise Ekonomike dhe Sociale
Përtej diplomacisë tradicionale dhe avokimit në platforma digjitale, diaspora shqiptare ka një ndikim të rëndësishëm ekonomik. Gjatë tryezës së fundit, Bahri Cani, gazetar në Deutsche Welle, theksoi kontributin e bizneseve të drejtuara nga shqiptarë në diasporë, të cilat punësojnë një numër të madh punëtorësh dhe ndihmojnë në promovimin e lidhjeve ndërkombëtare. Këto biznese nuk vetëm që krijojnë vende pune dhe zhvillojnë tregtinë ndërkombëtare, por gjithashtu përmirësojnë perceptimin global për Kosovën dhe Shqipërinë, duke i dhënë një dimension praktik diplomacisë ekonomike.
Investimet e drejtpërdrejta nga diaspora, krijimi i lidhjeve biznesore dhe transferimi i njohurive janë elementë kyç që mund të kontribuojnë në një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik. Për këtë arsye, është e rëndësishme që këto iniciativa të institucionalizohen dhe të mbështeten nga politikat qeveritare dhe platformat e bashkëpunimit.
Ndikimi social dhe filantropik
Diaspora shqiptarë është një nga komunitetet më aktive në aspektin filantropik. Përmes remitancave, ajo ka qenë një shtyllë mbështetëse për ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë. Megjithatë, ndikimi i saj mund të shkoj përtej ndihmës financiare duke përfshirë iniciativa që fuqizojnë sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe përfshirjes sociale. Në këtë kontekst, Germin ka luajtur një rol të rëndësishëm në mobilizimin e këtyre resurseve, duke krijuar mekanizma që kanalizojnë kontributin e diasporës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës dhe Shqipërisë. [Programi - Angazhimi i Profesionisteve te Diaspores, Germin]. Nëpërmjet projekteve të ndryshme, Germin ka mundësuar lidhjen e profesionistëve të diasporës me institucionet vendase, duke krijuar platforma për shkëmbimin e ekspertizës dhe investimeve.
Kontributi në Transferimin e Njohurive
Një nga aspektet më të rëndësishme të angazhimit të diasporës është transferimi i njohurive dhe ekspertizës. Germin po nxit transferimin e njohurive dhe aftësive nga diaspora në Kosovë përmes rrjeteve profesionale dhe platformave bashkëpunuese. Deri më tani, mbi 100 profesionistë nga fusha të ndryshme kanë kontribuar me mentorim dhe angazhim profesional, ndërsa mbi 500 të tjerë janë regjistruar në platformën online të Germin. Përmes projekteve të ndryshme Germin fuqizon gratë në politikë, lidh investitorët dhe sipërmarrësit e diasporës me sektorë kyç ekonomikë dhe ndihmon OJQ-të në Kosovë duke adresuar mungesën e ekspertizës. Këto iniciativa jo vetëm që forcojnë lidhjet me diasporën, por kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Sfidat e Diasporës në Angazhimin në Diplomacinë Publike dhe Digjitale
Një nga sfidat më të mëdha që pengon përfshirjen efektive të diasporës në zhvillimin e Kosovës është mungesa e një strategjie të qartë dhe të koordinuar. [Analiza e Nevojave dhe Identifikimi i Problemeve të Diasporës Kosovare, Germin 2024, fq. 10]. Edhe pse ekzistojnë shumë iniciativa individuale dhe projekte të veçuara, nuk ka ende një mekanizëm të centralizuar dhe institucionalizuar që të orientojë dhe strukturojë kontributin e diasporës në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Kjo mungesë e strategjisë shpesh e bën të vështirë maksimizimin e ndikimit të diasporës, pasi angazhimet e saj mbeten të fragmentuara dhe të kufizuara në nisma të veçanta pa një qasje të integruar.
Një tjetër pengesë e rëndësishme janë barrierat institucionale dhe burokratike që diaspora has kur tenton të angazhohet në projekte ose të investojë në Kosovë. Proceset administrative të ndërlikuara, mungesa e lehtësirave ligjore dhe procedurat shpesh të paqarta dekurajojnë shumë profesionistë dhe investitorë të diasporës nga një përfshirje më e madhe. [ Harnessing the Potential of the KOSOVAR DIASPORA’S ECONOMIC CONTRIBUTIONS, Germin 2024, fq.45] Këto sfida burokratike jo vetëm që e pengojnë angazhimin aktiv të diasporës, por gjithashtu dëmtojnë perceptimin e saj mbi mundësitë e ofruara nga shteti për të kontribuar në zhvillimin e vendit.
Një problem tjetër i rëndësishëm është mungesa e koordinimit midis aktorëve të ndryshëm që punojnë me dhe për diasporën. Organizatat e ndryshme të shoqërisë civile, institucionet shtetërore dhe grupet e diasporës shpesh veprojnë në mënyrë të pavarur dhe pa një bashkëpunim të strukturuar. Kjo shpërndarje e përpjekjeve çon në mungesë të sinergjisë dhe zvogëlon ndikimin e mundshëm që diaspora mund të ketë përmes një qasjeje të unifikuar dhe të mirëplanifikuar. Pa një mekanizëm efektiv bashkëpunimi dhe koordinimi, shumë nga potencialet e diasporës mbeten të pashfrytëzuara plotësisht.
Përveç sfidave të brendshme, një problem i rëndësishëm mbetet edhe mënyra se si Kosova perceptohet në arenën ndërkombëtare. Edhe pse ka pasur përparime të konsiderueshme në forcimin e diplomacisë publike dhe në promovimin e Kosovës si një vend në zhvillim me potencial të lartë, imazhi i saj global ende përballet me sfida. Narrativa ndërkombëtare për Kosovën shpesh dominohet nga çështje politike dhe jo nga arritjet e saj në fusha si inovacioni, ekonomia apo përfshirja e diasporës. Për këtë arsye, është e nevojshme një qasje më strategjike në avokimin ndërkombëtar, e cila jo vetëm që mbron interesat e Kosovës, por gjithashtu ripërcakton mënyrën se si vendi prezantohet në sytë e komunitetit ndërkombëtar.
Përfundime dhe Rekomandime
Avokimi dhe diplomacia digjitale e diasporës përfaqësojnë mjete të fuqishme për të ndikuar në zhvillimin e Kosovës dhe për të forcuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare. Teknologjia, ekspertiza dhe rrjetet globale të diasporës mund të shërbejnë si katalizatorë për ndërtimin e politikave të qëndrueshme, përmirësimin e imazhit të vendit dhe fuqizimin e diplomacisë publike.
Për të shfrytëzuar maksimalisht këtë potencial, është tejet e rëndësishme një strategji e qartë dhe e mirëkoordinuar midis institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe vetë diasporës. Institucionalizimi i angazhimit të diasporës dhe përdorimi strategjik i diplomacisë digjitale mund ta pozicionojnë Kosovën si një aktor më të fuqishëm në skenën globale. Duke kanalizuar energjinë dhe kapacitetet e diaspores drejt ndryshimeve të prekshme dhe inovacionit, Kosova mund të sigurojë një rol më aktiv dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e saj kombëtar dhe ndërkombëtar.
Për të maksimizuar ndikimin e diasporës dhe për ta shndërruar atë në një faktor kyç në zhvillimin e Kosovës, është thelbësore institucionalizimi i përfshirjes së saj në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një platformë të dedikuar për të koordinuar angazhimin e ekspertëve të diasporës në hartimin e politikave dhe projekteve zhvillimore. Kjo platformë duhet të funksionojë si një urë lidhëse midis institucioneve publike, sektorit privat dhe profesionistëve të diasporës, duke siguruar një mekanizëm të qartë për identifikimin e nevojave dhe përfshirjen e ekspertizës ndërkombëtare në proceset vendimmarrëse të Kosovës.
Për më tepër, rritja e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare është një hap i domosdoshëm për të siguruar që angazhimi i diasporës të jetë pjesë e strategjive të zhvillimit të vendit. Duke e lidhur diasporën me institucione dhe rrjete globale, Kosova mund të përfitojë nga njohuritë, përvojat dhe kontaktet ndërkombëtare të profesionistëve të saj. Kjo do të ndihmonte në transferimin e njohurive, lehtësimin e mundësive të reja për punësim dhe investime, si dhe në krijimin e partneriteteve të qëndrueshme në fusha si inovacioni, teknologjia dhe edukimi.
Një aspekt tjetër kyç është lehtësimi i investimeve të diasporës, i cili do të inkurajonte angazhimin ekonomik të saj në Kosovë. Krijimi i mekanizmave të qartë ligjorë dhe administrativë për investitorët nga diaspora është një domosdoshmëri për të nxitur më shumë projekte zhvillimore dhe për të ulur barrierat që shpesh pengojnë investimet. Reforma në procedurat e regjistrimit të bizneseve, sigurimi i mbështetjes financiare për investitorët dhe garantimi i një mjedisi të favorshëm për investime do ta bënin Kosovën një destinacion më tërheqës për kapitalin e diasporës.
Së fundmi, zhvillimi i diplomacisë digjitale si një strategji shtetërore është një hap thelbësor për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të promovuar interesat e saj në botë. Qeveria dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të investojnë në trajnime, platforma dhe fushata të strukturuara që forcojnë aftësinë e institucioneve dhe qytetarëve për të përdorur mjetet digjitale në avokim dhe diplomaci publike. Përmes një qasjeje më strategjike dhe të koordinuar, Kosova mund të fuqizojë praninë e saj në arenën ndërkombëtare, të ndikojë në perceptimet globale dhe të sigurojë mbështetje më të madhe për çështjet e saj në nivel ndërkombëtar.
Ky artikull u realizua me mbështetje nga projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor,” zbatuar nga Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Qendrën për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM), me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi e vetme e Germin si zbatues i projektit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).
Date: 17/03/2025
0 Views
Diaspora Professionals
Potenciali i Pashfrytëzuar i Diasporës: Ndikimi në Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë Ndërkombëtare të Kosovës
Diaspora përfaqëson një nga asetet më të rëndësishme dhe më të vlefshme për vendin amë, pasi ajo krijon lidhje të forta me tregjet ndërkombëtare dhe luan një rol kyç në nxitjen e zhvillimit ekonomik. Në shumë shtete të vogla dhe në zhvillim, diaspora ka kontribuar në promovimin e produkteve dhe shërbimeve vendase, duke hapur mundësi të reja për eksport dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Përveç remitancave, të cilat shpesh përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndikimi i diasporës është gjithashtu i dukshëm në përforcimin e markave kombëtare, krijimin e partneriteteve tregtare dhe shpërndarjen e ekspertizës ndërkombëtare.
Përvoja e diasporës shqiptare, për shembull, ka luajtur një rol të rëndësishëm në prezantimin e produkteve tradicionale si vera, ushqimet organike dhe artizanatet në tregjet ndërkombëtare. Anëtarë dhe rrjete të diasporës kanë kontribuar si ndërmjetësues, duke ndihmuar bizneset lokale të depërtojnë në tregje të reja dhe duke ofruar mundësi për zhvillimin e marrëveshjeve tregtare. Po ashtu, profesionistët e diasporës kanë ndarë njohuritë e tyre për të përmirësuar cilësinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve vendase, duke i mundësuar atyre të përmbushin standardet ndërkombëtare dhe të arrijnë sukses në tregje më të gjera (Facilitating Diaspora Investment).
Megjithëse këto përpjekje kanë dhënë rezultate pozitive, potenciali i plotë i diasporës mbetet ende i pashfrytëzuar. Shpesh mungojnë mekanizmat e qartë për të strukturuar dhe përmirësuar bashkëpunimin ekonomik mes diasporës dhe institucioneve vendase. Një fokus më i madh në fuqizimin e këtij bashkëpunimi do të mundësonte një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve lokale dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik. Ky bashkëpunim mund të kontribuojë në diversifikimin e eksporteve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përforcimin e imazhit ndërkombëtar të vendit amë. Roli i diasporës si një partner strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm të tregtisë ndërkombëtare mbetet thelbësor për rritjen ekonomike dhe integrimin e vendit në ekonominë globale (The Role of Remittances in Developing Countries). Përmes mbështetjes direkte të diasporës, mund të përmirësohet qasja në tregje të reja dhe të stimulohet shkëmbimi i njohurive dhe teknologjive (Diaspora Nje ure lidhese per zhvillimin ekonomik te Kosoves).
Aktualisht, Kosova përballet me disa sfida në lidhje me integrimin e saj në tregjet ndërkombëtare. Struktura ekonomike e saj dominohet nga importet, ndërsa eksportet mbeten të kufizuara dhe të përqendruara në disa sektorë si përpunimi i metaleve, tekstili dhe produktet bujqësore. Nëse diaspora do të angazhohej më shumë në këto sektorë, do të mundësohej një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e eksportit dhe diversifikimin e tij. Barrierat administrative, mungesa e certifikimeve ndërkombëtare dhe njohja e markave vendore në tregjet globale pengojnë rritjen e eksporteve (Kontributi i diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës).
Në këtë kontekst, diaspora mund të luajë një rol kyç në adresimin e këtyre sfidave përmes disa mënyrave:
1. Vazhdimësia e promovimit të produkteve dhe shërbimeve vendore
Diaspora mund të shërbejë si ambasadorë të produkteve dhe shërbimeve të Kosovës, duke promovuar cilësinë dhe veqantin e tyre në vendet ku jetojnë. Kjo mund të përfshijë:
Hapjen e dyqaneve me produkte nga Kosova.
Organizimin e panaireve dhe eventeve për promovimin e produkteve vendore.
Përdorimin e rrjeteve sociale dhe mediave për të rritur ndërgjegjësimin rreth markave vendore.
2. Ndihma për certifikime ndërkombëtare
Diaspora mund të ndihmojë në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare duke:
Ofruar kontakte për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.
Ndërmjetësuar mes bizneseve në Kosovë dhe organizatave certifikuese.
Mbështetur financiarisht për përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të prodhimit.
3. Mbështetja për eksportuesit
Ofrojnë trajnime dhe mentorim për eksportuesit e rinj në Kosovë.
Ndihmojnë me përgatitjen e dokumentacionit për eksport.
Sigurojnë informacion për politikat dhe rregullat tregtare në tregjet e destinacionit.
4. Krijimi i një imazhi pozitiv për Kosovën
Diaspora mund të ndihmojë në përmirësimin e perceptimit të Kosovës në nivel ndërkombëtar, duke promovuar:
Trashëgiminë kulturore dhe artizanatin unik të Kosovës.
Aftësitë dhe talentet e të rinjve të Kosovës në fusha të ndryshme.
Stabilitetin dhe potencialin ekonomik të vendit për investime të huaja.
5. Kanalizimi i remitancave për zhvillim
Përveç remitancave për konsum, diaspora mund të kanalizojë fonde në projekte ekonomike dhe iniciativat që nxisin eksportet, si:
Fondet për mbështetjen e bizneseve start-up.
Investime në infrastrukturë që ndihmojnë eksportin (depo, logjistikë, etj.).
Konkluzion
Përvoja ndërkombëtare e diasporës, njohuritë profesionale dhe rrjetet e ndërtuara jashtë vendit mund të shërbejnë si burime të rëndësishme për promovimin e eksporteve, rritjen e cilësisë së produkteve vendase dhe krijimin e mundësive për partneritete tregtare. Për më tepër, diaspora ka një rol të rëndësishëm në përmirësimin e imazhit të Kosovës përmes prezantimit të trashëgimisë kulturore dhe potencialit ekonomik në tregjet globale. Megjithatë, mungesa e një mekanizmi të strukturuar për bashkëpunimin mes institucioneve dhe diasporës kufizon ndikimin e saj. Kjo situatë pengon diversifikimin e eksporteve, implementimin e standardeve ndërkombëtare dhe ndërtimin e një imazhi të fuqishëm për Kosovën si një vend me potencial të qëndrueshëm ekonomik. Institucionet e Kosovës duhet të krijojnë politika dhe mekanizma specifikë për të fuqizuar rolin e diasporës si një partner strategjik në zhvillimin ekonomik dhe integrimin në tregjet ndërkombëtare.
Rekomandime
Institucionet e Kosovës duhet të krijojnë një platformë kombëtare për bashkëpunim me diasporën që të mundësojë lidhjen mes bizneseve vendore dhe profesionistëve nga diaspora, të ofrojë informacion mbi tregjet ndërkombëtare dhe të kanalizojë remitancat në projekte të qëndrueshme ekonomike.
Po ashtu, duhet të vendosen mekanizma për përmirësimin e certifikimeve dhe standardeve ndërkombëtare duke financuar trajnime për eksportuesit dhe duke lehtësuar njohjen ndërkombëtare të produkteve vendore. Për më tepër, promovimi i imazhit të Kosovës përmes rrjeteve të diasporës duhet të mbështetet në organizimin e panaireve ndërkombëtare dhe fushatave marketingu që theksojnë cilësinë e produkteve vendore, trashëgiminë kulturore dhe potencialin ekonomik të vendit.
Kjo analizë u realizua me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Qendra për Promovimin Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e kësaj analize është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).
Date: 27/02/2025
0 Views
News, Latest
OriginAL Hap Aplikimet për Grupet e 2025
OriginAL me kënaqësi njofton hapjen zyrtare të aplikimeve për grupet e vitit 2025. Ky program unik edukativ dhe kulturor fton të rinjtë shqiptarë të moshës 18 deri në 24 vjeç në një udhëtim të zbulimit, lidhjes dhe zhvillimit personal.
Pjesëmarrësit e OriginAL do të angazhohen në përvoja të ndryshme, duke eksploruar trashëgiminë kulturore, historinë, gjuhën dhe traditat e Kosovës dhe Shqipërisë. Programi synon të forcojë ndjenjën e identitetit tek pjesëmarrësit dhe të thellojë kuptimin e tyre mbi rrënjët paraardhëse.
Për herë të parë këtë vit, OriginAL ofron fleksibilitet duke u lejuar aplikuesve të zgjedhin periudhën në të cilën dëshirojnë të marrin pjesë. Kjo risi siguron që më shumë të rinj të mund të jenë pjesë e kësaj mundësie që ndryshon jetën në një kohë që përshtatet më mirë me oraret e tyre.
Kriteret e Përshtatshmërisë:
Të jenë me prejardhje shqiptare.
Mosha ndërmjet 18 dhe 24 vjeç.
Interes për eksplorimin kulturor dhe historik.
Si të Aplikoni:
Për të aplikuar apo për më shumë detaje mbi kriteret e aplikimit dhe programit, ju lutemi klikoni në linkun më poshtë.
APLIKO KETU
Date: 25/02/2025
0 Views
Diaspora Professionals
Diaspora si urë biznesi: Qasja në tregjet ndërkombëtare përmes rrjeteve të mërgatës
Shkruan: Fitim Adili
Në tekstin që vijon, do të gjeni ide dhe propozime mbi mënyrat e bashkëpunimit midis bizneseve të Kosovës dhe rrjeteve të mërgatës, me synim zgjerimin e tyre në tregjet ndërkombëtare.
Të krijosh biznes në Kosovë që ka klientë edhe ndërkombëtarë nuk është e lehtë.
Sidomos deri në kohën kur është bërë liberalizimi i vizave për Kosovën, marrja e një vize për një event, takim B2B, apo panair për të prezantuar një produkt, ka qenë shumë e vështirë për shkak të procedurave të shumta. Fatmirësisht, këtë problem nuk e kanë më ndërmarrësit dhe ndërmarrëset nga Kosova. Tani, rruga është e hapur për të depërtuar në të gjitha tregjet botërore.
Cilat janë rrugët që një biznes nga Kosova mund të ndjekë për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare? Një nga rrugët më të ndjekura nga shumë biznese është përpjekja për të marrë klientë ndërkombëtarë përmes lidhjeve me të afërmit në diasporë. Shpesh, vëllai, motra apo kushëriri ofrojnë njohje me klientë ndërkombëtarë për ndërmarrësit nga Kosova. Në disa raste, vetë mërgimtarët bëhen klientë të të afërmve të tyre në Kosovë, dhe, për shkak të vendndodhjes së tyre si biznes jashtë vendit, konsiderohen si klientë ndërkombëtarë. Kjo mund të përdoret më vonë si portofolio për bizneset nga Kosova, duke lehtësuar fitimin e klientëve ndërkombëtarë të nacionaliteteve të tjera, si gjermanë, amerikanë etj më lehtë.
Sipas një statistike të publikuar nga Albinfo, bazuar në të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës, në botë jetojnë rreth 850,000 shqiptarë nga Kosova. Të gjithë këta 850,000 potencialisht mund të jenë "ambasadorë" të Kosovës në aspektin pozitiv. Nëse do të ekzistonte një frymë e re, ku secili anëtar i diasporës do të merrte përgjegjësi personale për të promovuar Kosovën si vend të përshtatshëm për investime, kjo do ta lehtësonte ndjeshëm procesin e biznesbërjes për ndërmarrësit në Kosovë.
Liberalizimi i vizave ka sjellë një rritje të qarkullimit të njerëzve dhe investitorëve vitet e fundit. Ajo që do të ndihmonte më tej është që individët me ndikim më të madh në rrjetet sociale të luajnë një rol më aktiv, duke ofruar qasje më të madhe për bizneset nga Kosova në tregjet e huaja.
Personat me influencë dhe rëndësia e brendit personal
Ka shumë përkufizime për brendin. E njëri prej tyre është që: shuma e gjithë eksperiencave të audiencës me kompaninë/produktin. Imazhi. Reputacioni. Besueshmëria. E të njejtat mundemi me i thënë edhe për brendin personal - vetëm se këtu kemi të bëjmë me një person të vetëm.
Në vitet e fundit, vërehet një tendencë e shtuar për të shfrytëzuar brendin personal, dhe kjo mundësi do të ishte shumë e dobishme për shqiptarët e Kosovës në diasporë që të promovojnë Kosovën si vend ideal për investime. Në diasporë ka shumë persona me ndikim, sidomos në fushën e artit dhe muzikës si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha apo në fushën e Artit si Fadil Berisha. Shume prej tyre përmendin Kosovën në intervistat apo podcast që marrin pjesë. Nëse Kosova vazhdon e përmendet gjithmonë e më shumë në mënyrë direkte ose indirekte do ndikonin
Informata të dobishme janë kyçe. Nganjëherë vetëm një kontakt, një informatë për një panair të caktuar, apo një mundësi biznesi jashtë vendit mund të hapë shumë dyer për bizneset kosovare. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që bizneset të bashkëpunojnë më shumë mes vete, veçanërisht ato të së njëjtës fushë. Për shembull, nëse një biznes nga Kosova që prodhon dyer dhe dritare ka depërtuar në tregje të huaja, kjo tregon se ka ende hapësirë për më shumë prodhues në atë treg. Këtu është thelbësore që bizneset prodhuese apo shërbyese të bashkëpunojnë mes vete, të krijojnë rrjete biznesesh fillimisht brenda Kosovës e pastaj edhe me diasporën, qoftë në formë odash, komunitetesh, organizatash, apo edhe takimesh joformale për të ndarë ide dhe për të bashkëpunuar.
Shumë biznese nga Kosova janë përballur me vështirësi në transport. Edhe në këtë aspekt, diaspora mund të ndihmojë duke ofruar mbështetje për gjetjen e zgjidhjeve më të mira logjistike në bashkëpunim me institucionet në Kosovë.
Rekomandime:
Krijimi i komuniteteve/rrjeteve profesionale/specializuara: Krijimi i komuniteteve dhe rrjeteve ndërmjet Kosovës dhe diasporës është shumë i rëndësishëm për bizneset në Kosovë, por edhe për investitorët dhe rrjetet e diasporës. Komunitetet e fokusuara në biznesbërje do të ndihmonin ndjeshëm depërtimin e bizneseve kosovare në tregjet e huaja. Po e rëndësishme gjithashtu që këto rrjete të jenë me specifike dhe më profesionale (më të ngushta në fushëveprim).
Krijimi i një platforme lidhëse: Një platformë që lidh bizneset e diasporës me bizneset në Kosovë, si dhe investitorët e huaj me ato kosovare, do të ishte ndihmë e madhe për të gjithë. Platforma duhet të përfshijë informata të detajuara për llojet e bizneseve, kapacitetet dhe madhësinë e tyre, për të lehtësuar vendimmarrjen e investitorëve.
Përmirësimi i komunikimit: Konsullatat dhe ambasadat duhet të ndihmojnë në promovimin e brendit të Kosovës. Gjithashtu, komunikimi ndërmjet rrjeteve të diasporës dhe bizneseve në Kosovë, si dhe mes institucioneve dhe bizneseve, duhet të jetë shumë më i mirë.
Organizimi i konferencave dhe takimeve B2B: Takime të shpeshta B2B do të ndihmonin njohjen dhe bashkëpunimin mes bizneseve, si dhe eksplorimin e mundësive të reja.
Shfrytëzimi i platformave ekzistuese: Përveç krijimit të një platforme të re, duhet shfrytëzuar edhe platformat ekzistuese si AlbanianYellowPages.com dhe Albinfo.ch, të cilat ofrojnë qasje në rrjetet e diasporës.
Platformat e ndryshme e lehtesojnë komunikimin si: rrjeti i bizneseve ne diaspore, mergata-info ose platforma Rrefim Suksesi.
Kjo analizë u realizua me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Qendra për Promovimin Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e kësaj analize është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).