fbpx
Korrik 11, 2019

Reagim Publik i GERMIN mbi akuzat e zyrtarit të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS)

Nga Germin-2187 Shikime-Asnjë koment

REAGIM PUBLIK 

Reagim Publik i GERMIN mbi akuzat e zyrtarit të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS), z. Ejup Kamberaj kundrejt Drejtoreshës Ekzekutive të GERMIN, znj. Liza Gashi.

GERMIN reagon ndaj gjuhës ofenduese dhe shpifjeve që udhëheqësi i grupit punues të Projektligjit për Diasporën, z. Ejup Kamberaj ka përdorur më 10 korrik 2019, gjatë komunikimit me drejtoreshën e organizatës sonë, znj. Liza Gashi, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. 

Zyrtari në fjalë, gjatë prezantimit të rekomandimeve të GERMIN për Projektligjin për Diasporën, që lidhet ngushtë me interesat tona shtetëtore, ka reaguar duke përdorur gjuhë degraduese ndaj punës dhe misionit tonë si organizatë. Ai gjatë fjalës së tij është shprehur se “Germin me qëllim që të pengojë diskutimin me publikun për Projektligjin në Konsullatën e Cyrih-ut, ka sjellë një qen brenda objektit të konsullatës”.  Për saktësi ndaj zyrtarit të MDIS-së dhe korrektësi ndaj publikut, GERMIN në asnjë mënyrë nuk ka tentuar asnjëherë që të pengojë procesin e konsultimeve me publikun, përkundrazi ka marrë pjesë në të gjitha punëtoritë për hartimin e projektligjit, dhe ka organizuar edhe 3 takime të tjera fizike në diasporë dhe 4 takime virtuale në kuadër të programit për angazhimin e diasporës në zhvillimin e politikave. Po ashtu, është e rëndësishme të theksohet që përmes këtij programi është arritur të përfshihen në mënyrë direkte rreth 200 pjesëmarrës nga Diaspora dhe indirekte rreth 5,000 persona (emails, newsletters, mediat sociale, takimet virtuale etj) gjatë konsultimeve me diasporën. GERMIN ka luajtur një rol shumë aktiv edhe gjatë punëtorive të organizuara nga MDIS për Projektligjin dhe Projekt-Strategjinë të mbajtura në Durrës, Prishtinë dhe Brod, dhe vazhdimisht i ka ofruar MDIS-së ndihmë teknike dhe profesionale në kuadër të hartimit të politikave për diasporën.

Duam të theksojmë se ky nuk është rasti i parë që zyrtari në fjalë, në diskutimet e hapura për Projektligjin, komunikon në këtë mënyrë. Më tutje, z. Kamberaj edhe gjatë diskutimit publik të mbajtur në Cyrih në tetor të vitit 2018, ia ndërpreu fjalën znj. Gashi, me arsyetimin se “ka folur mjaftueshëm në Kosovë” për këtë temë. Ne e konsiderojmë këtë qasje si jo serioze dhe për më tepër shpifëse, e cila nuk duhet të jetë pjesë e fjalorit të një zyrtari të lartë publik, e aq më pak të një drejtuesi të grupit punues për Projekligjin për Diasporën. 

Përmes këtij reagimi, ne shprehim indijatën tonë për këtë nivel të ulët të shprehjes dhe kërkojmë nga drejtuesit e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike që të ndërmarrin veprimet e duhura që kjo mënyrë e komunikimit të mos përsëritet, pasi që nuk është në të mirë të askujt dhe ndikon negativisht në proceset politikbërëse që kanë për qëllim angazhimin e diasporës. 

Pavarësisht nga ky incident, GERMIN nuk do të zmbrapset nga angazhimi i deritanishëm civil për të gjetur një gjuhë të përbashkët për një ligj sa më përmbajtësor për diasporën tonë.