GERMIN në bashkëpunim me Bankën Botërore Shqipëri organizuan takimin virtual: Remitancat - një gjurmë për zhvillim. Kjo ngjarje mblodhi së bashku 56 pjesëmarrës në ZOOM dhe mbi 30 në Facebook Live nga anëtarët shqiptarë të diasporës në Itali dhe palët kryesore të interesit që kanë të bëjnë me dërgesat e parave në Shqipëri.
Edlira Dashi: Sic dihet 1.2 million shqiptarë jetojnë jashtë RSH dhe cdo vit ata dërgojnë 1.4 miliard dollarë remitanca, ose 10% e GDP-së së vendit. Pavarësisht problemeve ekonomike për shkak të pandemisë remitancat duket se nuk kanë rënë gjatë këtij viti dhe vazhdojnë të jenë në një nivel mjaft të lartë dhe domethënës për shqipërinë. Ky fluks kaq i madh shpesh herë është më i lartë se investimet e huaja direkte dhe shpesh herë kalon edhe asistencën zyrtare që vjen nga vende të ndryshme partnere. Kështu remitancat janë një burim i sigurtë dhe i stabilizuar për financimin e familjeve shqiptare. Mesatarisht remitancat përbëjnë rreth ⅓ e buxhetit të familjeve shqiptare të cilat i përfitojnë ato. Një pjesë e rëndësishme e këtyre familjeve i kanë remitancat si një burim kyç të jetesës së tyre. Por, pavarësisht se sa të rëndësishme remitancat janë, ato sërish mbeten një burim i kushtueshëm financimi. Për të dërguar një shumë prej 200$ në Shqipëri, një shqiptar i diasporës harxhon rreth 16$. Italia është një nga burimet kryesore të remitancave për Shqipërinë dhe është një nga vendet me koston më të ulët. Po ashtu duhet patur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e këtyre remitancave kanalizohet në burime jo zyrtare. Dërgesa e parave në mënyrë elektronike nuk është e përdorshme në Shqipëri dhe kryesisht dërgesat bëhen përmes bankave dhe kompanive të transfertave të parave, me një kosto të lartë.
Ilir Gëdeshi: Gati 57% e popullsisë së RSH ndodhet jashtë vendit. Kryesisht kjo popullsi është e përqëndruar në Greqi dhe Itali, por 10 vjeçarin e fundit kjo lëvizje po kanalizohet më tepër drejt Gjermanisë, Anglisë, SHBA, dhe Kanadasë. Pra, kemi një zhvendosje të flukseve të emigrimit shqiptar, duke kaluar nga vendet që kanë të ardhura më të ulra, drejt vendeve me të ardhura më të larta. Rrjedhimisht, kjo do të pasqyrohet në perspektive edhe tek remitancat. Studimet e bëra për remitancat fillojnë nga fundi i viteve 90’ duke pasqyruar modele të ndryshme të migrimit. Në vitet 90’ kryesisht emigronin meshkuj të cilët vendoseshin në shtetin pritës në mënyrë të paligjshme. Pas disa vitesh kur ata pajiseshim me dokumentat përkatëse kishin mundësinë të tërhiqnin dhe familjen. Kështu një emigrant në vitet 90’ dërgonte remitanca për të gjithë familjen. Ne fillim të viteve 2000 ndërkohë ky model ndryshon pasi ata emigrantë tërhiqnin familjen e tyre, pra gruan dhe fëmijët me bashkim familjar, dhe kështu ata dërgonin më pak remitanca, sepse tashmë dërgonin vetëm për prindërit. Me fillimin e krizës ekonomike, remitancat filluan të binin për shkak të krizës dhe për shkak të rënjes së fluksit të emigrimit. Kjo tendencë filloi të ndryshojë kur bota, kryesisht Greqia dhe Italia filluan të dalin nga kriza. Megjithatë tani vihen re disa tendenca të reja. Emigrimi ka filluar të drejtohet drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Europës Perëndimore dhe rrjedhimisht duke patur të ardhura më të larta mund të dërgojnë më shumë remitanca. Konkretisht nga një studim i bërë në vitet 2010-2011 u vu re që remitancat e dërguara në Shqipëri ishin më të ulta në krahasim me Kosovën, pasi shqiptarët e Shqipërisë ishin vendosur kryesisht në Greqi dhe Itali, ndërsa shqiptarët e Kosovës ishin vendosur në vende si Gjermania, vendet Nordike apo Anglia. Ajo që vlen të përmendet është qe vihet re që edhe shqiptarët e Shqipërisë edhe shipqtarët e Kosovës të ardhurat e kursimit i kanë në vendin ku jetojnë. Pra në rast se dërgojnë një njësi remitancë, kursejnë ne vendin e emigrimit 5.5 njësi. Pra kjo është një sasi potenciale e cila në kushte të favorshme ekonomike dhe sociale në Shqipëri mund të dërgohet në formën e remitancave. Po ashtu me rëndësi është të përmendet mënyra e përdorimit të remitancave. Nga të gjitha anketat që janë bërë që nga vitet 90’ tregojnë se remitancat përdoren pak për investime dhe pjesa me e madhe e tyre përdoret për konsum. Akoma në ditët tona kjo tezë mbizotëron, dhe pjesa më e madhe e remitancave përdoret për konsum. Emigrimi sot në Shqipëri vazhdon të jetë mjaft i lartë dhe kryesisht po largohen të rinjë të shkolluar drejt vendeve me perëndimore. Kjo mund të përkthehet si një mundësi që në të ardhmen remitancat të jenë dhe më të larta në qoftë se në Shqipëri do të ekzistojnë kushtet e përshtatshmë për investimin e tyre. Kjo do të ishte një rritje cilësore e remitancave pasi një pjesë e mirë e tyre do të investohej në ekonominë e vendit. Rrugët kryesore të dërgimit të remitancave, në vitet 90’ mbizotëronin rrugët informale, në vitet 2000 filluan të marrin epërsi rrugët formale, nëpërmjet agjencive të transferimit të parave dhe bankave, por kostoja e tranferimit të parave nëpërmjet këtyre agjencive vazhdon të jetë e lartë dhe kjo ndikon negativisht.
Vat Marashi: Ajo që është me rëndësi është të krijohet një klimë bashkëpunimi për mënyrën e konceptimit të rritjes së sasisë së investimeve të emigracionit. Kjo pasi për sa kohë remitancat do të shkojnë vetëm për konsum, natyrisht kjo nuk krijon ndonjë rritje të madhe për tregun shqiptar. Investimet japin një impakt tjetër, por këtu duhen patur parasysh disa elementë të tjerë si besimi, ligjet, lehtësirat që krijohen. Duhet të jemi besimplotë por gjithsesi duhet punuar shumë. Interesante është që pavarësisht situatave që kanë ndikuar në ekonomi, remitancat nuk kanë patur ndonjë rënje të ndjeshme këtë vit krize. E rëndësishme do të ishte që këto vizione apo ligje komunikimi, sigurie për investimet, t’i forcojmë e t’i rregullojmë. Grupimet e emigrantëve kanë vizone për të ardhmen dhe janë të angazhuar të punojnë për to.
Fatos Cocoli, ekspert për çështjet ekonomike në Ministrinë e Diasporës deklaroi tre nevoja kryesore. Së pari, inkurajoni dhe shtoni transferimin e parave nga diaspora përmes kanaleve zyrtare. Së dyti, orientimi në lidhje me shpenzimin e këtyre parave në mënyrë më efektive dhe së fundmi, për të qenë në gjendje të tërheqin kursime të reja të diasporës në kanalet bankare ose investimet e vendit.
Diskutimi u përqendrua më pas tek audienca e cila ishte e angazhuar gjatë gjithë takimit në bisedë. Pyetjet nga audienca u përgjigjën nga panelistët dhe një diskutim i gjërë u bë. Po ashtu u vleresua pjesa e interesimit të tyre për të organizuar takime tjera të radhës me pikë synim të diskutimit të cështjeve sociale. Interesimi i tyre për bashkëpunime ishte mëse i qartë andaj GERMIN shihet si një shtysë e madhe tek idet e tyre për t’i realizuar në vendin amë.
GERMIN në bashkëpunim me Bankën Botërore po organizon një seri eventesh me Diasporën Shqiptare në të gjithë botën dhe ekspertë të sektorit financiar në Shqipëri për të diskutuar sfidat dhe mundësitë në lidhje me remitancat, si një katalizator i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik.
Eventi është zhvilluar në kontekstin e Project Greenback, përbërësi i edukimit financiar të Programit të Remitancave dhe Pagesave (RPP), financuar nga Sekretariati Zviceran i Çështjeve Ekonomike (SECO) dhe implementuar nga Banka Botërore në partneritet me Bankën e Shqipërisë.