On Tuesday, October 5, 2021, GERMIN organized the third lecture entitled “IT Sector and Opportunities for Development” with speaker Arianit Fazliu.
Ligjërata "Sektori i IT-së dhe mundësitë për zhvillim" e prezantuar nga Arianit Fazliu krijoi një diskutim produktiv në mes të pjesëmarrësve dhe folësit. Z. Fazliu u ofroi ekspertizën e tij brenda industrisë të rinjve nga Kosova dhe Shqipëria si dhe nga komuniteti i diasporës. Arianiti gjatë ligjerimit u fokusua vazhdimisht në gjendjen aktuale të sektorit të IT brenda Kosovës, mundësitë që ofron tregu, si dhe kërkesën e madhe që ka tregu lidhur me profesionin e IT-së. Më tutje, Z. Fazliu u angazhua në ofrimin e këshillave praktike si për shembull qasja në trajnime online apo në akademi vendore, gjuhët më të kërkuara programuese dhe si të përvetësohen ato, shkathtësitë që sot kërkohen në treg e të tjera.
Ekperiencat dhe vështirësitë personale që Z. Fazliu i ndau me pjesëmarrësit, i dhanë diskutimin një frymë inspiruese dhe të orientuar kah zgjidhjet praktike. Duke qenë Inxhinier Softueri me profesion, Fazliu dhe partneri i tij Faton Selishta themeluan KUTIA-n, kompani e cila tani është ndër konkurrentet kryesore në tregun e IT -së në Kosovë dhe më gjerë. Mësimet e marra gjatë rrugëtimit të tij, ai i ndau me pjesëmarrësit dhe kësisoji ofroi shembuj të mirë se si të fillosh një biznes, si të fitosh klientë ndërkombëtarë, menaxhimi i stafit e të tjera. Sipas Arianitit sektori i IT-së jo vetëm që është në zhvillim e sipër në Kosovë, mirëpo edhe janë duke u krijuar strategji lidhur me edukimin fillor për fushën e IT-së duke treguar kështu që e tashmja dhe e ardhmja pa diskutim që është digjitalizimi.
Gjatë diskutimit kishte interes edhe nga pjesëmarrësit që të diskutohen detaje më të hollësishme lidhur me nënsektoret e IT-së, si për shembull data science apo gjuhë specifike programuese, të cilat pastaj u diskutuan hollësisht.
Ligjërata mbi temën “Sektori i IT-së dhe mundësia për Zhvillim” u mbajt në kuadër të projektit "Rrjeti i Organizatave dhe Shoqatave Rinore" i mbështetur nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve të Republikës së Kosovës dhe do të pasohet nga një sërë leksionesh mbi tema të ndryshme me folës nga diaspora dhe Kosova. Qëllimi i projektit është lidhja e grupeve rinore dhe studentore të Kosovës me ato në diasporë, si dhe forcimi i kapaciteteve të të rinjve që punojnë në këto organizata.