fbpx
Ermina Lekaj-Prljaskaj at the Croatian Parliament
Mars 22, 2024

'Zëri' i Shqiptarëve në Parlamentin Kroat

Nga Germin-560 Shikime-Asnjë koment

Ermina Lekaj Prljaskaj është deputetja e parë me origjinë shqiptare në Kuvendin e Republikës së Kroacisë. Me origjinë nga Kosova, e rritur dhe e shkolluar në Kroaci, zonja Lekaj-Prljaskaj është një nga personalitetet më aktive të diasporës shqiptare dhe zëri i shqiptarëve në parlamentin kroat.

Ermina Lekaj Prljaskaj flet për punën e saj si ‘zëri’ i diasporës shqiptare në Kroaci. Ajo është deputetja e parë dhe e vetme shqiptare në Parlamentin e Republikës së Kroacisë dhe ka qenë zëri i komunitetit shqiptar për tre mandate në institucionin më të lartë legjislativ të shtetit kroat. Me origjinë nga Kosova, por e rritur dhe e shkolluar në Kroaci, zonja Lekaj-Prljaskaj është një nga personalitetet më aktive të diasporës shqiptare. Në një intervistë ekskluzive për GERMIN, ajo flet për rolin e shqiptarëve në shoqërinë kroate, sfidat e komunitetit, marrëdhëniet me vendet e origjinës dhe rrugëtimin e saj në parlamentin kroat.

Intervistuesi: Si e vlerësoni në përgjithësi integrimin e komunitetit shqiptar në Kroaci dhe rolin e tyre në institucionet shtetërore dhe shoqërinë kroate?

Znj. Lekaj-Prljaskaj: Shqiptarët janë mirë të integruar jo në shoqërinë kroate dhe këtë e dëshmon roli dhe kontributi i tyre ndër vite. Kurse përfaqësimi i shqiptarëve në nivelin institucional shtetëror, me ardhjen time si deputete ka ndryshuar për të mirë. Përveç avancimit të pozitës në nivel parlamenti, është rritur edhe pjesëmarrja e të rinjve shqiptarë në institucione. Këtë gjë e kam adresuar në mandatin tim të parë, me arsyetimin që rinia jonë është gjenerata e dytë dhe e tretë këtu, e cila ka përfituar dhe arritur shkollim superior. Prandaj kjo gjë duhet të reflektohet edhe në përfshirjen e tyre në institucionet publike kroate.

Intervistuesi: Shqiptarët në Kroaci kanë qenë vazhdimisht të organizuar në periudha të ndryshme kohore. Si është gjendja aktuale e organizimit të komunitetit pavarësisht formave, përmes shoqatave apo individëve?

Znj. Lekaj-Prljaskaj: Shqiptarët prej kohës së ish-Jugosllavisë kanë qenë të organizuar, duke e filluar nga Shoqata e Studentëve “Shkëndija”, të cilët kanë qenë aktivë jo vetëm kulturalisht por edhe politikisht. Ndërkohë gjatë viteve të 90-ta janë themeluar shoqatat në çdo prefekturë. Shoqatat dhe organizimet e tjera socio-kulturore kanë mobilizuar kontributin ekonomik dhe social të shqiptarëve në Kroaci. Përtej ekonomisë dhe kulturës, shqiptarë kanë dhënë edhe një kontribut të madh gjatë Luftës Atdhetare në Kroaci. Po të njëjtit shqiptarë, të cilët kanë dhënë kontribut në luftën e Kroacisë, kanë vazhduar me angazhimin e tyre edhe gjatë luftës në Kosovë, duke dhënë një mbështetje të madhe për rezistencën e popullit tonë atjë.

Sot organizimi komunitar ka avancuar për nga struktura dhe forma. Ne kemi shumë qendra kulturore në të gjithë Kroacinë, dhe tani kemi një qendër multi-funksionale në zemër të Zagrebit, kryeqytetit kroat. Gjithsesi, pjesëmarrja nuk është në nivelin që do të dëshironim.

Znj. Lekaj-Prljaskaj takohet me bashkëdrejtorin e Germin, Lirim Krasniqi në Zagreb në Shkurt 2024.

Marrëdhëniet me Shtetet Amë dhe Rreziku i Asimilimit

Intervistuesi: Në relacion me vendet amë, Kosovën, Shqipërinë dhe vendet tjera, cili është raporti dhe niveli i shkëmbimeve dhe mbështetjes?

Znj. Lekaj-Prljaskaj: Komunikimi me vendet amë aktualisht çalon pak sa i përket mbështetjes për komunitetin shqiptar këtu. Në nivel zyrtara, unë mund të them se e kam komunikimin e mirë, por i cili ka hapësirë të përmirësohet tutje. Mirëpo kur flas për komunitetin tonë, ka zhgënjim dhe pritshmëri më të larta.

Shtetet tona amë duhet të bëjnë më shumë sidomos për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, traditave sepse mungesa e mbështetjes nënkupton rrezik asimilimi sidomos për gjeneratat e reja.

Për të qenë të qartë, ne nuk kërkojmë nga shtetet amë mbështetje materiale por angazhim përmes projekteve të ndryshme si lobimi për forcimin e pozitës së shqiptarëve kety, ngritjen e vetëdijes së pjesëtarëve të diasporës për të mos u asimiluar. Pra, nevojitet angazhim që e forcon pjesën e identitetit shqiptar në kontekst të shekullit XXI.

Intervistuesi: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Kroaci?

Një nga sfidat, siç e përmenda më lart, është niveli i ulët i përfshirjes së rinisë sonë. Edhe pse ka shumë shoqata, ekzistojnë arsye të ndryshme, duke filluar prej arsyeve subjektive, mirëpo edhe atyre objektive që bëjnë që rinia jonë të mos jetë shumë e angazhuar në komunitet apo edhe institucione. 

Përveç kësaj, rreziku i asimilimit është sfidë më vete. Në këtë drejtim nevojitet të veprojmë sa më shumë me gjeneratat e reja, duke filluar nga fëmijët të çerdhe. Këtu me ardhjen time në parlamentin kroat kam vërejtur se pakica tjera, një gjë nga to qëmë lë shumë përshtypje është pakica çeke, e cila është qe 300 vjet në Kroac dhe i kanë të organizuara shumë mirë organizimet komunitare, i kanë çerdhet për fëmijë, i kanë shkollat fillore të mësimit plotësues në gjuhën çeke, etj. 

Kurse, ne si shqiptarë kemi arritur vetëm të kemi në 17 shkolla mësimin plotësues, me një numër shumë të vogël të nxënësve që marrin pjesë në mësimin plotësues. Një problematikë këtu është edhe mungesa e angazhimit të prindërve, të cilët duhet të jenë më të përkushtuar më fëmijët sidomos për mësimin e gjuhës shqipe. Pra, familja duhet të ketë rol më të madh, jo vetëm për pjesëmarrje në aktivitete, por në punë të përditshme për kultivmin e gjuhës dhe traditave tona kombëtare.

Për komunitetin shqiptar, pa marrë parasysh se ku gjendet, mesazhi im është që të punojmë ta luftojmë asimilimin, mos ta harrojmë vendin prej nga vijmë.

Zgjedhjetdhe Mandati i Katërt në Parlamentin Kroat

Intervistuesi: Zgjedhjet Parlamentare do të mbahen së shpejti në Kroaci. Cilat janë pritshmëritë tuaja për një mandat të katërt?

Znj. Lekaj-Prljaskaj: Zgjedhjet janë pak specifike këtu sa i përket zgjedhjes së zgjedhjes së deputetit të pakicës. Në këtë drejtim pres padyshim mbështetjen e gjithë votuesve shqiptarë, por edhe votuesve tjerë. Edhe pse e kam mbështetjen prej të gjitha shoqatave, ajo çfarë është më e rëndësishme është puna në terren, pra komunikimi me votuesit dhe që ditën e zgjedhjeve të gjithë dalin të votojnë që mos të lejojmë që pas sa viteve ta humbim vendin tonë në parlament. Unë jam deputete e një një grupi specifik, ku përveç shqiptarëve hyjne edhe boshnjakët, maqedonët, sllovenët dhe malazezët. Ka rrezik që ne ta humbim vendin tonë nëse nuk jemi të unifikuar. Duke e pa punën dhe të arriturat që janë bërë deri tani, komunitetet tjera etnike kanë filluar të angazhohen jashtëzakonisht shumë që të kenë përfaqësuesin e tyre në parliament. Në këtë drejtim është shumë e rëndësishme që të mos ketë përçarje në mesin e shqiptarëve. Jam i bindur se ne shqiptarët do të jemi të bashkuar edhe në këtë proces.