

Shkruan: Fitim Adili
Në tekstin që vijon, do të gjeni ide dhe propozime mbi mënyrat e bashkëpunimit midis bizneseve të Kosovës dhe rrjeteve të mërgatës, me synim zgjerimin e tyre në tregjet ndërkombëtare.
Të krijosh biznes në Kosovë që ka klientë edhe ndërkombëtarë nuk është e lehtë.
Sidomos deri në kohën kur është bërë liberalizimi i vizave për Kosovën, marrja e një vize për një event, takim B2B, apo panair për të prezantuar një produkt, ka qenë shumë e vështirë për shkak të procedurave të shumta. Fatmirësisht, këtë problem nuk e kanë më ndërmarrësit dhe ndërmarrëset nga Kosova. Tani, rruga është e hapur për të depërtuar në të gjitha tregjet botërore.
Cilat janë rrugët që një biznes nga Kosova mund të ndjekë për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare? Një nga rrugët më të ndjekura nga shumë biznese është përpjekja për të marrë klientë ndërkombëtarë përmes lidhjeve me të afërmit në diasporë. Shpesh, vëllai, motra apo kushëriri ofrojnë njohje me klientë ndërkombëtarë për ndërmarrësit nga Kosova. Në disa raste, vetë mërgimtarët bëhen klientë të të afërmve të tyre në Kosovë, dhe, për shkak të vendndodhjes së tyre si biznes jashtë vendit, konsiderohen si klientë ndërkombëtarë. Kjo mund të përdoret më vonë si portofolio për bizneset nga Kosova, duke lehtësuar fitimin e klientëve ndërkombëtarë të nacionaliteteve të tjera, si gjermanë, amerikanë etj më lehtë.
Sipas një statistike të publikuar nga Albinfo, bazuar në të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës, në botë jetojnë rreth 850,000 shqiptarë nga Kosova. Të gjithë këta 850,000 potencialisht mund të jenë “ambasadorë” të Kosovës në aspektin pozitiv. Nëse do të ekzistonte një frymë e re, ku secili anëtar i diasporës do të merrte përgjegjësi personale për të promovuar Kosovën si vend të përshtatshëm për investime, kjo do ta lehtësonte ndjeshëm procesin e biznesbërjes për ndërmarrësit në Kosovë.
Liberalizimi i vizave ka sjellë një rritje të qarkullimit të njerëzve dhe investitorëve vitet e fundit. Ajo që do të ndihmonte më tej është që individët me ndikim më të madh në rrjetet sociale të luajnë një rol më aktiv, duke ofruar qasje më të madhe për bizneset nga Kosova në tregjet e huaja.
Personat me influencë dhe rëndësia e brendit personal
Ka shumë përkufizime për brendin. E njëri prej tyre është që: shuma e gjithë eksperiencave të audiencës me kompaninë/produktin. Imazhi. Reputacioni. Besueshmëria. E të njejtat mundemi me i thënë edhe për brendin personal – vetëm se këtu kemi të bëjmë me një person të vetëm.
Në vitet e fundit, vërehet një tendencë e shtuar për të shfrytëzuar brendin personal, dhe kjo mundësi do të ishte shumë e dobishme për shqiptarët e Kosovës në diasporë që të promovojnë Kosovën si vend ideal për investime. Në diasporë ka shumë persona me ndikim, sidomos në fushën e artit dhe muzikës si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha apo në fushën e Artit si Fadil Berisha. Shume prej tyre përmendin Kosovën në intervistat apo podcast që marrin pjesë. Nëse Kosova vazhdon e përmendet gjithmonë e më shumë në mënyrë direkte ose indirekte do ndikonin
Informata të dobishme janë kyçe. Nganjëherë vetëm një kontakt, një informatë për një panair të caktuar, apo një mundësi biznesi jashtë vendit mund të hapë shumë dyer për bizneset kosovare. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që bizneset të bashkëpunojnë më shumë mes vete, veçanërisht ato të së njëjtës fushë. Për shembull, nëse një biznes nga Kosova që prodhon dyer dhe dritare ka depërtuar në tregje të huaja, kjo tregon se ka ende hapësirë për më shumë prodhues në atë treg. Këtu është thelbësore që bizneset prodhuese apo shërbyese të bashkëpunojnë mes vete, të krijojnë rrjete biznesesh fillimisht brenda Kosovës e pastaj edhe me diasporën, qoftë në formë odash, komunitetesh, organizatash, apo edhe takimesh joformale për të ndarë ide dhe për të bashkëpunuar.
Shumë biznese nga Kosova janë përballur me vështirësi në transport. Edhe në këtë aspekt, diaspora mund të ndihmojë duke ofruar mbështetje për gjetjen e zgjidhjeve më të mira logjistike në bashkëpunim me institucionet në Kosovë.
Rekomandime:
- Krijimi i komuniteteve/rrjeteve profesionale/specializuara: Krijimi i komuniteteve dhe rrjeteve ndërmjet Kosovës dhe diasporës është shumë i rëndësishëm për bizneset në Kosovë, por edhe për investitorët dhe rrjetet e diasporës. Komunitetet e fokusuara në biznesbërje do të ndihmonin ndjeshëm depërtimin e bizneseve kosovare në tregjet e huaja. Po e rëndësishme gjithashtu që këto rrjete të jenë me specifike dhe më profesionale (më të ngushta në fushëveprim).
- Krijimi i një platforme lidhëse: Një platformë që lidh bizneset e diasporës me bizneset në Kosovë, si dhe investitorët e huaj me ato kosovare, do të ishte ndihmë e madhe për të gjithë. Platforma duhet të përfshijë informata të detajuara për llojet e bizneseve, kapacitetet dhe madhësinë e tyre, për të lehtësuar vendimmarrjen e investitorëve.
- Përmirësimi i komunikimit: Konsullatat dhe ambasadat duhet të ndihmojnë në promovimin e brendit të Kosovës. Gjithashtu, komunikimi ndërmjet rrjeteve të diasporës dhe bizneseve në Kosovë, si dhe mes institucioneve dhe bizneseve, duhet të jetë shumë më i mirë.
- Organizimi i konferencave dhe takimeve B2B: Takime të shpeshta B2B do të ndihmonin njohjen dhe bashkëpunimin mes bizneseve, si dhe eksplorimin e mundësive të reja.
- Shfrytëzimi i platformave ekzistuese: Përveç krijimit të një platforme të re, duhet shfrytëzuar edhe platformat ekzistuese si AlbanianYellowPages.com dhe Albinfo.ch, të cilat ofrojnë qasje në rrjetet e diasporës.
Platformat e ndryshme e lehtesojnë komunikimin si: rrjeti i bizneseve ne diaspore, mergata-info ose platforma Rrefim Suksesi.
Kjo analizë u realizua me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Qendra për Promovimin Shoqërisë Civile (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA). Përmbajtja e kësaj analize është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).



