fbpx
Qershor 14, 2024

Nga Londra në Kosovë për Mirëqenien e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara

Nga Germin-198 Shikime-Asnjë koment

Nga Londra në Kosovë: Fatmire Halili Bunjaku flet për përvojën e saj si eksperte e diasporës e angazhuar në vendin e origjinës.

Vizitat në Kosovë gjatë pushimeve janë bërë tashmë një traditë pothuasje e përvitshme për Fatmire Halili Bunjakun e cila jeton në Britani të Madhe, vend ku familja e saj migroi në vitet e 90-ta

Karriera e Fatmires në Britani u zhvillua në fusha të ndryshme, duke i mundësuar asaj të fitojë përvojë të gjerë dhe të larmishme.

Kam eksperienca të ndryshme, kam punuar në shkolla internacionale, private, shkolla publike me fëmijë që kanë ardhur prej vendeve të ndryshme. I kam ndihmuar të integrohen në sistemin anglez për shkak të gjuhës, që të mësojnë anglisht..

shprehet Fatmirja.

Ajo shton se përvojat e saj përfshijnë edhe punën me fëmijët me aftësi të kufizuara, duke përmendur bashkëpunimet me Amnesty International dhe National Autistic Society.

Këtë vit, ndryshe nga të tjerët, përgjatë datës 15 mars deri më 15 prill, Fatmires iu dha mundësia të kontribuojë në Kosovë duke ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuara përmes Programit për Angazhim Qytetar i cili zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me USAID në Kosovë.Ndërmjetësuar nga GERMIN, ajo është angazhuar me Shoqatën e Fëmijëve Paraplegjikë dhe Paralizë në Kosovë, e njohur si HandiKOS.

Nuk kam qenë asnjëherë e angazhuar në Kosovë që kur jam larguar në 90-tat - ky ishte programi i parë përmes së cilit kam kontribuar profesionalisht në vendin amë.

Fatmire Halili Bunjaku

Gjatë angazhimit katër javor në HandiKOS, Fatmirja ka dhënë kontribut të rëndësishëm në informimin dhe trajnimin e prindërve dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ajo iu ka mësuar atyre forma të reja të trajtimit të rasteve dhe ballafaqimit me problemet emocionale. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka trajnuar 60-70 persona.

Në HandiKOS kam punuar me prindërit fillimisht, duke iu mësuar strategji për tejkalimin e stresit dhe metodat e mësimit. Iu kam treguar se intervenimi i hershëm te fëmija është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse sa më herët të ndihmohet fëmija, aq më i madh është suksesi”shpjegon Fatmirja.

Metodat për kuptimin dhe menaxhimin e emocioneve që mësohen në Britani të Madhe kanë qenë një prej mësimeve kryesore që ajo iu ka transmetuar fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Në Angli përdorin një metodë për kuptimin e emocioneve me ngjyrat e kuqe, e gjelbër dhe në bazë të atyre ngjyrave fëmijët kuptojnë çfarë ndjenja kanë, pastaj mësojnë si ta përballojnë atë situatë” -thekson ajo, teksa shton se një nga momentet më të bukura për të ka qenë mirënjohja e prindërve.

Fatmirja gjatë një ligjerate në HandiKOS

Megjithatë, Fatmirja flet edhe për anën tjetër të medaljes, duke treguar për mungesën e kushteve me të cilat ballafaqohen fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe rastet e stigmatizimit nga shoqëria dhe vetë prindërit e tyre.

Fatkeqësisht, është shumë e dhimbshme që fëmijët stigmatizohen, por unë mendoj se është shumë e rëndësishme të intervenohet sa më herët te fëmijët. Nëse fëmijës i ndihmohet me kohë, ai fëmijë ndryshon” -shprehet Fatmirja.

Ajo nxjerr në pah se"Prindërit që kanë fëmijë me nevoja të veçanta kanë dy rrugë: ose ta pranojnë dhe t’i ndihmojnë, ose ta lënë gjithmonë të varur. Unë besoj se çdo prind dëshiron ta bëjë fëmijën e vet të pavarur. E vetmja mënyrë për ta arritur këtë është intervenimi i hershëm.”

Duke i dhënë Kosovës një pjesë të vetes, Fatmirja ka arritur një nivel të ri të përmbushjes personale, teksa ndihet e lumtur për kontributin që ka dhënë.

Jam shumë e lumtur që mu dha mundësia të kontribuoj në Kosovë dhe mendoj se ka shumë potencial diaspora për të dhënë kontributin e tyre.

FATMIRE HALILI BUNJAKU

Mesazhi i Fatmires tek anëtarët e diasporës eshtë të sjellin kontributin e tyre në vendin amë sepse ka nevojë. Në këtë drejtim, ajo vlërson përvojën e saj: GERMIN më ka mbështetur dhe më ka dheë mundësi për të kontribuar, kështuqë kushdo që ka mundësi, është mirë të kthehen dhe të kontribuojnë" -e përmbledh Fatmirja.

Angazhimi i ekspertëve nga diaspora bëhet në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, i cili zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë. GERMIN është partner i KCSF në realizimin e këtij aktiviteti.