GERMIN ka përcjellur edhe një ankesë tek Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP në lidhje me 1806 pakot e patrajtuara të fletëvotimeve nga bashkëqytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit, të cilat janë refuzuar pa kaluar asjnë procedurë verifikimi nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Të gjitha këto pako janë nisur si dërgesa postare para afatit përfundimtar për dërgimin e pakove postare të vendosur nga KQZ-ja, përkatësisht nga data 19 shtator deri më datën 5 tetor 2019, gjë që mund të vërtëtohet në bazë të vulës postare në datën e nisjes. Gjithashtu, 1806 pakot në fjalë kanë ardhur në KQZ përpara se të nisej verifikimi dhe numërimi i 4639 të tjerave që ishin objekt i ankesës së parë të LVV-së, e cila do të thotë se përfshirja në numërim e 1806 pakove të reja nuk do të kishte vonuar procedimi i pakove të tjera. Mostrajtimi i këtyre pakove të fundit bie në kundërshtim me aktgjymin e Gjykatës Supreme A.A.UZH.nr. 20/2019 të datës 30.10.2019, si dhe me aktgjykimin më të hershëm të kësaj Gjykate, A.A.-U.ZH.nr. 19/2019 të datës 25.10.2019.
“Prandaj, kërkojmë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që sipas mandatit që ia jep Ligji mbi Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 115.1, dhe në bazë të aktgjykimeve A.A.UZH. nr. 20/2019 dhe A.A.UZH. nr. 19/2019 të Gjykatës Supreme, të ndërmarrë veprime konkrete dhe të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar 1.806 pakot e mbetura me fletëvotime të ardhura përmes postës.”
Ankesën mund ta lexoni KËTU.