fbpx
Korrik 1, 2019

Lëri ankesat dhe fjalët e kota, vepro!

Nga Germin-1763 Shikime-Asnjë koment

Shkruan: Flamur Mavraj, Norvegji

Ne të gjithë e dijmë dhe ka filluar të bëhet ‘cliche’ kur flasim për rëndësinë e diasporës dhe remitencat që vijnë në Kosovë.

Diaspora 20 vitet e fundit ka pas një zhvillim personal dhe intergrim më të madh në vendin ku ata jetojnë, dhe si rrjedhojë edhe prioriteti i tyre karshi vendlindjes gradualisht ka ndryshuar. Ky ndryshim besoj që do jetë edhe më i dukshëm në dekadën e adhshme. Prandaj, ka ardhur koha,  që ne diaspora shqiptare, të shikojmë alternativa tjera për të ndihmuar vendin e origjinës; alternativa ku përfitues janë të të dyja palët. E kjo më së miri mundësohet përmes ndërrmarrësisë dhe investimeve direkte në nivelin lokal.

Kosova nuk ka siguri investimesh?!

Ky konstatim gjithashtu është një ‘cliche’ tjetër, i pa bazë në shumicën e rasteve. Duhet të kuptojmë që investimi përbënë rrezik, e rreziku është i njejtë si në vendin ku jetoni (që me siguri është një vend i zhvilluar) ashtu edhe në Kosovë.

Po të ishte ashtu që investimet gjithmonë janë të sigurta, atëherë hipotetikisht ne të gjithë do shkonim në bank, merrnim kredi dhe me ato para do investonim, e kështu do ishim të gjithë milionerë.

Mos u bazo në thashetheme!

Ne si popull e kemi një tendencë, si thonë në zhargonin popullor “mizën ta bëjmë bull” dhe bazohemi shumë në fjalët e të të tjerëve. Kjo më ka ndodhur dhe mua ku para pak më shumë se 4 vitesh hapa përfaqësinë e kompanisë në Prishtinë.

Më kujtohet si sot nga diskutimet që kisha para që se të bëja regjistrimin ku secili me thoshte që ka burokraci në procesin e regjistrimit, duhet të përdorësh dikënd të njofshëm etj. Kërkonin shuma parash për ta kryer këtë shërbim, e të gjithë thonin “Këtë po e bëj veç për ty”!

Gjithesesi realiteti ishte krejt tjetër, pas disa kërkimeve në internet mbusha formularin e regjistrimit dhe shkova në zyren e regjistrimit të biznesit dhe dorëzova dokumentat ku isha i dyti në radhë dhe mbas hiç më shumë se 5 minuta përfundova dorëzimin e dokumenteve. Certifikata e regjistrimit më erdhi mbas 4 ditëve. Prandaj, mos u bazoni në thashetheme, tentoni dhe provoni t’i bënë gjërat vet!

Kultura dhe ambienti i punës

Përpos sjelljes së kapitalit, diaspora duhet të sjellë gjithashtu eksperiencën dhe kulturën e punës. Një kulturë dhe ambient i mirë i punës sjellë përfitime edhe për kompaninën në kohë afatgjate.

Ligjet në Kosovë në shumicën e rasteve janë tejet të mira, por është me rëndësi të respektohen, gjithashtu të drejtat e punëtorëve gjithashtu duhet të jenë prioritet dhe të tregojmë me vepra që qëllimi nuk është vetëm përfitimi në investimet tona, por të kontribuojmë dhe zhvillojmë më tutje mirëqenien e shoqërisë.

Sot patriotizëm është të respektosh ligjin, paguash tatimet dhe respektosh të drejtat e punëtorëve. T’i lëm fjalët anash, të veprojmë!

Asgjë nuk funksionon në Kosovë?

Një tendencë tjetër të cilën e kemi si popull është të kritikojmë gjithmonë, çdo gjë. Gjithashtu, sidomos ne në diasporë mendojmë që asgjë nuk funksionon në Kosovë, duke shfaqur një dozë spektizimi ndaj ndryshimeve në atdhe.

Eshtë fakt, ka shumë gjëra që mund të funksionojnë dhe më mirë. Gjithesesi, ka dhe shumë gjëra të tjera që funksionojnë ashtu siç duhet, e sidomos kur është fjala e të bërit biznes, që nga pagesat online si psh. uij, mbeturina, energjia elektrike dhe tek raportimet mbi tatimet, trustin pensional, etj. Që 4 vite që operojmë në Kosovë të gjitha shërbimet administrative komunale dhe shtetërore i kemi bërë përmes internetit.

Po e përmbyll këtë shkrim me një pyetje për Ju që jeni duke e lexuar këtë shkrim:

– Kosova është e gatshme për investime, a je ti me të vërtetë gati të investosh në Kosovë? Lëri ankesat dhe fjalët e kota, vepro!

Flamur Mavraj është Drejtor Gjeneral i kompanisë Ornio AS, Norvegji, si dhe Kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Norvegji.