Takimin e parë virtual “Edukimi: Shkëmbimet me Diasporën mbi Reagimin ndaj COVID-19” u zhvillua me 26 tetor, me akterët vendorë.
Shqetësimet kryesore që u ngritën në kuadër të këtij takimi ishin mungesa e përgatitjes adekuate për mësimdhënësit rreth mësimit online, mungesa e paisjeve tek nxënësit për vijim të këtij lloji të mësimit dhe raportimi jo i drejtë nga institucionet përgjegjëse për procesin mësimor gjatë COVID-19.
Znj. Besa Luzha nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, e cila tregoi më detajisht rreth reagimit dhe menaxhimit të situatës në fushën e edukimit nga fondacioni që ajo merr pjesë dhe bashkëpunimin që ata kanë pasur me institucionet përgjegjëse në Kosovë. Në muajin mars izolimi ka shkaktuar një huti të madhe në fushën e edukimit dhe të gjithë janë munduar që të bëjnë improvizim rreth mësimit online prej shtëpisë, ndonëse nuk ka pasur ndonjë përgatitje paraprake mirëpo ka ndodhur një mobilizim i tërësishëm në mënyrë që të vazhdojë mësimi në cfarëdo forme. Në muajin qershor, është bërë ndryshimi dhe vlerësimi i mënyres së punës online. Një studim në Gjermani, me ekspertët e FES, ka sugjeruar institucionet arsimore gjermane që ato të aplikojnë 3 skenare të mundshme të reagimit. Ministria e Arsimit në Kosovë ka marrë për bazë këtë studim në mënyrë që ta aplikojë në vend dhe në bashkëpunim me disa ekspertë të FES, ministrive dhe departamentave përkatëse është krijuar udhëzuesi për të punuar dhe vazhduar mësimin sipas 3 skenarëve. Në skenarin A është paraparë kthimi në shkolla apo mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, me masa parandaluese. Në skenarin B është paraparë kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar-prezencë në shkolla dhe E-mësimi, teksa në skenarin C është paraparë E-mësimi.
Sipas znj. Luzha, në qoftë se dalim komplet në skenarin C (online), mësimi shumë shpejt do të mund të shfaqej në televizion, mirëpo për sa i përket platformave, shteti i Kosovës nuk qëndron aq mirë pasi që infrastruktura teknike nuk është e plotësuar sa duhet. Ndër platformat më të përdorura në mësimin online në Kosovë gjatë kësaj kohe ishin: Zoom, Google Classrooms dhe Microsoft Meets. Ajo poashtu shtoi se me ndihmën e ekspertëve nga diaspora, mund të bëhet një punë e mirë për të krijuar një sistem të mirë dhe të qëndrueshëm të mësimit alternativ.
Në Kosovë, protokoli momental kërkon që në qoftëse paraqitet ndonjë rast pozitiv në një klasë, atëherë për 2 javë duhet të mbyllen 1 ose 2 paralele ose në raste më ekstreme e tërë shkolla, dhe të vazhdojnë me mësimin online. Pas 2 javësh nxënësit dhe mësimdhënësit kthehen, testohen, dhe në qoftë se situata është normale, atëherë mësimi zhvillohet në mënyrë të zakonshme. Për sa i përket lehtësimit të mësimit online për mësimdhënësit, është sugjeruar që cdo shkollë të ketë nga një Help Desk në mënyrë që t’u ndihmojë, informojë, dhe udhëzojë mësimdhënësit në aspektin e teknologjise.
Z. Liridon Mulliqi, i cili drejton një shkollë në një komunë më të vogël të Kosovës, theksoi që gjendja reale në fushën e arsimit dhe menaxhimit të pandemisë nuk është aq e mirë. Ai kritikoi faktin që asnjë nga mësimdhënësit nuk është testuar nga institucionet përkatëse për prezencën virusit COVID-19, para se të fillojë vitin e ri shkollor dhe asnjëri nga ta nuk e dijnë në qoftëse janë të infektuar. Sipas tij deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për ndonjë trajnim të mësimdhënësve për ofrimin e mësimit në distancë, që do të rriste kualitetin e këtij lloji të mësimit. Në shkollën që ai drejton, momentalisht është në funksion skenari A mirëpo me orë të shkurtuara nga 45 minuta sa ishte më parë, tani në 25, dhe poashtu me ndarje të grupeve.
Znj. Antigona Uka nga Qendra Për Mësim Nga Distanca, prezantoi programin Connect Education i cili ka nisur nga shteti i Kazakistanit, dhe ka ardhur si ide përmes intervistave që ata i kanë zhvilluar me mësues prej fillimit të muajit marsit. Ajo theksoi që momentalisht ekziston një hendek në mes fëmijëve që kanë qasje në mësim online dhe atyre që nuk kanë. Qeveria ka raportuar qe 32 mijë fëmijë nuk kanë marrë pjesë aktivisht në mësim online, ku 14 mijë prej tyre për shkak se nuk kanë pasur paisje digjitale. Qendra ku znj. Uka punon është në gjurmim të rasteve që kanë nevojë për paisje digjitale, dhe me pas bëhet grumbullimi në mënyre vullnetare të paisjeve për këta nxënës. Tarifat doganore janë një sfidë në vete për këtë aspekt pasi që rrisin koston, sepse shumë pjesëtarë nga diaspora kanë ofruar paisje falas për fëmijët në Kosovë. Mbledhja e paisjeve ka filluar përmes një platforme në Facebook dhe poashtu përmes nje bashkëpunimi me Gjirafa.com, e cila ka krijuar një kampanjë përmes së cilës persona të ndryshëm mund të blejnë paisje dhe ti dergojnë ato tek fëmijet në nevojë përmes tyre. Deri më tani, GIZ ka kontribuar me 1 mijë tableta, OSCE me 400, Komuna e Prishtines ka shperndare disa etj. dhe gjithsej janë mbledhur diku rreth 8 mijë paisje. Në rastet ekstreme, ka familje me asistence sociale, fëmijët e të cilëve nuk mund t’i përcjellin mësimet as ne TV e as permes paisjeve tjera teknologjike. Sipas znj. Uka, secila komunë ka bugjet për të bërë mbulim me paisje për të gjithë, dhe poashtu për shtrirje të rrjetit të internetit.
Një ndër sfidat më kryesore të procesit të mësimit në kohë pandemie sipas znj. Luzha mbetet monitorimi dhe raportimi i procesit mësimor, i cili është mjaftë i vështire për t’u bërë.
Ndonëse FES, ka ndihmuar me draftimin e udhëzuesit, pjesa e zbatimit, mbetetet tek institucionet që janë përgjegjëse për të percjellur gjendjen dhe të vlerësojnë procesin. Sipas saj, raportimi nuk është i sinqertë dhe kështu krijohet hendeku. FES në ndërkohë ka zhvilluar një hulumtim me 78 shkolla nëpër Kosovë, duke bërë faktimin e tyre 78 dhe shumë shpejt do të dalë raporti. Në muajin nëntor do të vlerësohen edhe 78 shkolla te tjera, në menyre që të pasqyrohet gjendja reale neper shkollat në Kosovë.
Me datë 30 tetor është organizuar takimi i katërt në kuadër të projektit Shkëmbimet me Diasporën mbi Reagimin ndaj COVID-19”. kësaj radhe me përfaqësues nga diaspora nga fusha e edukimit nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian por edhe nga ShBA-ja dhe Turqia. Në këtë takim u sollën në vëmendje praktikat e shteteve rezidente të pjesemarrësve si Gjermania, Greqia, ShBA-të, Britania e Madhe etj. për sa i përket masave që janë ndërmarrë në aspektin e menaxhimit të pandemisë, qasjes në platforma të ndryshme, si dhe politikave të tjera që këto shtete kanë marrë ndaj krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Z. Muhamet Idrizi, mësues nga Gjermania potencoi që ndonëse ky shtet është njëri ndër shtetet më të zhvilluara në botë, edhe aty u vërejt mungesa e përgatitjes së institucioneve edukative për një situatë të tillë ku i gjithë mësimi do të drejtohej kah qasja virtuale për shkak të pandemisë. Shteti Gjerman, ka bërë ndërhyrje emergjente për të rritur qasjen në internet dhe paisje teknologjike nëpër shkolla sidomos për nxënësit që kanë nevojë, më së shumti. Ndër platfomat dhe aplikacionet që janë përdorur deri më tani në procesin e mësimit online ai përmendi: Microsoft Meets, VideoScribe, mirëpo çuditërisht në Gjermani nuk është i lejuar edhe përdorimi i Google Classroom si në shtetet tjera, për shkak të ligjeve të privatësisë në këtë shtet. Ndërsa sipas Znj. Etleva Mançe, në North Rhine-Westphalia janë përdorur edhe platformat: Logineo NRW dhe Moodle ku mësuesit me licensim nga ministria e arsimit dhe nxënësit mund të kyqen tek këto platforma. Në aspektin e bashkëpunimit dhe ndihmesës nga ana e Diasporës, ai e sheh në fushën e infrastrukturës bazike. Ndër kritikat kryesore për institucionet vendase është qasja jo serioze dhe ikja e përgjegjësisë ndaj edukimit dhe arsimit në vend, kur dihet që kjo fushë ka rëndësi jetike.
Znj. Gerta Ukëlimani, nga Shkolla shqipe “Iliria” në Amerikë theksoi që në këtë vend janë përdorur më së shumti platformat si: Google Classroom dhe Zoom-in dhe poashtu fëmijët janë pajisur me tableta nga shkollat e tyre, pasi që këto tableta janë alternativë e mirë për mësim online për shkak të programeve të posaçme për libra dhe lojëra matematikore. Z. Qemajl Zylo: themelues i shkollës Shqipe Albalife tregoi që në këtë shkollë ka rreth 250 nxënës çdo vit. Sipas tij, përmes platformave të ndryshme si Zoom, TV AlbaLife, Google Meet për çudi nuk ka pasë rënie të kualitetit në mësim ndonëse është zhvilluar virtualisht, përkundrazi kjo ka pasur efekte pozitive pjesëmarrja është e lartë me rreth 120 persona cdo javë të cilët e përcjellin mësimin online. Ai beson që në Shqipëri është krijuar një konfuzion i madh rreth mësimit online, mirëpo institucionet përgjegjëse duhet të sigurohen që platformat online të perfeksionohen dhe të përdoren në të mirë të edukimit.
Një nga kërkesat kryesore dhe e përbashkët e edukatorëve nga Diaspora ishte që Qendra e Botimeve të Diasporës, të angazhohet në ofrimin e librave dhe materialeve mësimore në formatin virtual/online, në mënyre që ti përdoren nga e gjithë Diaspora.
Znj. Teuta Tabaku, mësuese nga Turqia tregoi që mësimi në këtë vend u zhvillua përmes platformës Zoom. Ajo theksoi që zgjidhjet për menxhimin e mësimit online duhet të vijne direkt nga mësimdhënësit, të cilët duhet gjetur mënyra të tejkalimit të situatës.
Znj. Aurela Konduri, mësuese tek shoqata “Nënë Tereza” në Greqi theksoi që edhe në këtë vend, mësimi është zhvilluar online dhe përmendi platformën school-me e cila mundëson mësimin online në Shqip. Një mangësi që kjo platformë ka sipas znj. Konduri, është që për fat të keq vetëm mësimdhënësit kanë qasje në këtë platformë, e jo edhe nxënësit, dhe mënyra e vetme e shpërndarjes është përmes prezantimeve në PowerPoint. Në aspektin e bashkëpunimit në mes Diasporës dhe vendeve amë, ajo beson që duhet të bëhen trajnime falas dhe shkëmbime të përvojave në mes mësimdhënësve. Pesha më e madhe për mësimin online bie mbi mësimdhënësit, qoftë nga ana e planprogramit dhe poashtu në mjetet tjera didaktikte në mënyre që të percillet mësimi sa më lehtë dhe kuptueshëm tek nxënësit. Qasja e nxënësve në mësim online përmës telefonit në mungesë të kompjuterëve ose tabletave, sipas saj nuk është aq produktive.
Znj. Antigona Uka, nga “Qendra per Studim ne Distance – në aspektin e sfidave më të mëdha në edukim dhe ofrimin e paisjeve teknologjike për mësim përmendi barrierat doganore dhe ceshtjet gjeopolitike. Mirëpo në aspektin e brendshëm, ajo citoi që 3 nga faktorët të cilët luajnë rol negativ janë: politizimi i emërimeve, pjesëmarrja e vogël përfaqësuesve të komuniteteve jo-shumice, dhe kualiteti shumë i dobet i arsimit tradicional dhe virtual.
Znj. Aida Haziri, nga shkolla “Arbëria” në Londër, theksoi që baza kryesore e mësimit në Diasporë janë tekstet të dhuruara nga Ministritë e Arsimit, platforma School.me, Youtube, Shqip.al, 50 Languages, etj,
Shënim: Të gjitha diskutimet nga takimet virtuale në kuadër të këtij projekti do të bëhen pjesë e një raporti i cili do të dalë me rekomandime konkrete për institucionet vendimmarrëse në Kosovë nga fusha e ekonomisë, shëndetësise dhe edukimit për t’ju përgjigjur krizës së shkaktuar nga COVID-19 me pjesëmarrjen e diasporës.