Në ditën e migrantëve, 18 dhjetor, Shqipëria shënoi Ditën Kombëtare të Diasporës. Në kuadër të kësaj dite, Ministri i Shtetit për Diasporën z.Pandeli Majko organizoi një konferencë ku u bë përmbledhja e një viti pune intensive në lidhje me Diasporën Shqiptare.
Në fjalën hapëse, z. Majko tha se shteti shqiptar po mbush boshllëkun e plotë në informacion dhe në strategjinë e Diasporës.
“Kur fillova punën, si ministri i parë në historinë shtetërore të Shqipërisë për diasporën kisha të qartë vetëm paqartësinë. Një vit më parë, Shqipëria nuk kishte legjislacion apo strategji për shtetasit apo bashkëkombasit e saj jashtë vendit. Dokumentet e para në qeverinë shqiptare kaluan me shpejtësinë e vetëdijes për kohën e humbur”, – tha ministri.
Si tregim i suksesit për angazhimin e Diasporës, organizata Germin u përfaqësua përmes drejtoreshës Liza Gashi, e cila shpalosi programet dhe mënyrat e angazhimit të diasporës në atdhe.
Në ngjarjen “Dita Kombëtare e Diasporës”, i pranishëm ishte edhe ambasadori italian në Shqipëri z.Alberto Cutillo, i cili ritheksoi edhe një herë marrëdhënien e ngushtë që ekziston midis dy vendeve dhe sa i rëndësishëm është bashkëpunimi midis dy shteteve. Ndërsa zv.ministrja e Brendshme znj.Rovena Voda tha se ministria e Brendshme është e angazhuar plotësisht në zbatimin e të gjitha masave që duhen për të realizuar Strategjinë Kombëtare për Diasporën.
Gjatë këtij takimi eksperti irlandez i emigracionit Martin Russell bëri një përmbledhje të çështjeve më të rëndësishme që lidhen me Diasporën.
Manoela Lussi menaxhere e programit të angazhimit të Diasporës, IOM u ndal të bashkëpunimi me komunitete të ndryshme në Diasporë. Në këtë konferencë paraqiti vlerësimin e tij edhe konsulenti i IOM për emigracionin Elvin Gjevori.
Vlenë të theksohet se në këtë ditë, Shqipëria për herë të parë publikoi shifrat për migrimin e shqiptarëve jashtë vendit. Diaspora e vlerësuar nga INSTAT përllogaritet 1,584,137 individë jashtë territorit të Shqipërisë, ku 828,530 individë janë meshkuj dhe 755,607 janë femra./MinistriiShtetitipërDiasporë/