fbpx
Gusht 18, 2023

THIRRJE E HAPUR PËR BIZNESE: PJESËMARRJA NË PANAIRIN E BIZNESEVE SHQIPTARE NË AUSTRI 2023

Nga Germin-1093 Shikime-Asnjë koment

1. Sfondi dhe përshkrimi i shkurtër i aktivitetit:

Një numër i madh i diasporës me origjinë nga Kosova është e përqendruar në vendet më të zhvilluara të globit, mirëpo mban lidhje me atdheun në raste të ndryshme, që nga lidhja familjare e deri tek angazhimi ekonomik. Sot, diaspora me origjinë nga Kosova përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm financiar, ekonomik, socio-politik, si dhe ka njohuri që mund të përdoren në shumë mënyra për t’i sjellë përfitim Kosovës. Organizata joqeveritare GERMIN po implementon komponentën “Përdorimi i njohurive dhe kapitalit financiar të diasporës për zhvillim ekonomik të komunave të Kosovës” në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë” - projekti MARDI, i cili financohet nga Caritas-i Zviceran në Kosovë. Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është të shfrytëzojë njohuritë dhe kapitalin financiar të diasporës për të nxitur ndryshimet dhe zhvillimin ekonomik në komunat e Kosovës. Rezultatet e projektit përfshijnë promovimin e bizneseve kosovare jashtë vendit me fokus të veçantë në komunitetin e diasporës, gjenerimin e investimeve nga diaspora përmes projekteve konkurruese të investimeve atraktive dhe lehtësimin e dialogut ndërmjet komunitetit të diasporës dhe institucioneve të Kosovës.

Me qëllim të promovimit të bizneseve kosovare jashtë vendit, me fokus të veçantë tek komuniteti i diasporës, në vitin 2022, GERMIN ka bashkëpunuar me Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Austri që organizon Panairin e Bizneseve Shqiptare në Austri. Ky panair ofron mundësinë për prezantim të bizneseve të suksesshme shqiptare që veprojnë në Austri nga të gjitha fushat, ndër të cilat ndërtimtari, arkitekturë, gastronimi, turizëm, IT, media, estetikë dhe automobilizëm. Pjesëmarrja në panair nënkupton prezentimin e kompanive para një numri të madh vizitorësh, ndërsa lokacioni i mbajtjes së panairit gjendet në një ndër zonat më të frekuentuara të qytetit. GERMIN ka mbështetur pjesëmarrjen e 15 bizneseve kosovare për pjesëmarrje në këtë panair përmes zhvillimit të takimeve biznes me biznes (B2B), ku është dëshmuar një sukses i dukshëm, dhe një nga bizneset pjesëmarrëse ka lidhur marrëveshje eksporti në Austri. Fokusi i GERMIN për këtë edicion është të zgjerojë ndjeshëm grupin e pjesëmarrësve, duke përkrahur pjesëmarrjen e 20 biznese me qëllim nxitjen e rritjes së eksportit të kompanive kosovare.

Qëllimi i thirrjes:

Me qëllim të nxitjes së lidhjeve, zgjerimit dhe partneritetit të bizneseve nga Kosova në diasporë, GERMIN bën thirrje për të gjitha bizneset vendore nga Industria e Përpunimit të Produkteve Ushqimore, Industria e Prodhimit të Pijeve, Industria e Prodhimit të Tekstilit dhe Veshjeve, Sektori i Përpunimit të Drurit, Sektori i Teknologjisë Informative dhe të Komunikimit dhe Sektori i Energjisë të shprehin interesim për pjesëmarrje në aktivitetin biznes-me-biznes (B2B), i cili do të mbahet në Vjenë, Austri organizuar nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri. Aktiviteti do të mbahet më 21 tetor 2023 dhe GERMIN do të mbështesë pjesëmarrjen e kompanive nga Kosova duke mbuluar shpenzimet e akomodimit dhe koordinimin e pjesëmarrjes së kompanive në këtë aktivitet. Aktiviteti B2B i cili do të mbahet në Panairin e Bizneseve Shqiptare në Austri paraqet një mundësi për bizneset nga Kosova të krijojnë kontakte të reja, të prezantojnë produktet/shërbimet e tyre në një nga panairet më të mëdha, duke theksuar disa avantazhe strategjike dhe rezultate të prekshme që mund të arrihen përmes pjesëmarrjes: Promovim i produkteve apo shërbimeve tek një numër i madh i bizneseve shqiptare në diasporë, si dhe bizneseve të huaja; Mundësi për rrjetëzim me biznese tjera nga Kosova por edhe me ato në diasporë; Mundësia për të eksploruar tregje të reja; Shkëmbim të njohurive dhe përvetësim të aftësive të reja; Shfrytëzim i këtyre njohurive të fitura për zgjerim të biznesit përtej Kosovës.

Aktiviteti B2B i cili do të mbahet në Panairin e Bizneseve Shqiptare në Austri paraqet një mundësi për bizneset nga Kosova të krijojnë kontakte të reja, të prezantojnë produktet/shërbimet e tyre në një nga panairet më të mëdha, duke theksuar disa avantazhe strategjike dhe rezultate të prekshme që mund të arrihen përmes pjesëmarrjes:

  • Promovim i produkteve apo shërbimeve tek një numër i madh i bizneseve shqiptare në diasporë, si dhe bizneseve të huaja;
  • Mundësi për rrjetëzim me biznese tjera nga Kosova por edhe me ato në diasporë;
  • Mundësia për të eksploruar tregje të reja;
  • Shkëmbim të njohurive dhe përvetësim të aftësive të reja;
  • Shfrytëzim i këtyre njohurive të fitura për zgjerim të biznesit përtej Kosovës.

Kriteret që duhet të përmbushen nga kompania:

  • Biznesi të jetë i regjistruar ligjërisht dhe të operojë në Kosovë;
  • Biznesi duhet të demonstrojë potencial lidhur me eksportimin e produkteve ose shërbimeve;
  • Të mos ketë obligime tatimore të pashlyera;
  • Udhëheqësi, pronari apo menaxhmenti i biznesit të mos jetë i akuzuar apo i dënuar për vepër penale në tre vitet e fundit.

Aplikimi dhe dokumentet e nevojshme:

  • Certifikata e biznesit;
  • Një profil gjithëpërfshirës i kompanisë që përshkruan natyrën e biznesit, produktet dhe shërbimet qe ofrohen, licencat apo çertifikimet (nëse ekzistojnë);
  • Dëshmi nga Administrata Tatimore që dëshmonë se biznesi nuk ka obligime tatimore të pashlyera;
  • Dëshmi që udhëheqësi, pronari apo menaxhmenti i biznesit nuk ka të kaluar kriminale.

Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen në [email protected] me subjektin: B2B in Vienna_2023. Data e fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 4 shtator 2023.

Për çdo pyetje apo paqartësi, ju lutemi na kontaktoni në [email protected]. [email protected]