Përmbledhje mbi Diasporën

Perspektivë: “Shfrytëzimi i potencialit, promovimi i zhvillimit”

Konferenca “Diaspora Flet” u mbështet nga GIZ – Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Një nga panelët e diskutimit në këtë konferencë i ishte dedikuar profesionistëve që janë kthyer dhe kontribuojnë në vendlindjen e tyre në fusha të ndryshme. Ky panel kishte titullin “Shfrytëzimi i potencialit, promovimi i zhvillimit” dhe përfshinte profesionistë të kthyer dhe ekspertë të diasporës, të cilët përmes programit global të GIZ “Migrimi dhe Diaspora” kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik në Shqipëri dhe Kosovë, në institucionet publike, akademi dhe organizata të shoqërisë civile. Në panel ishte edhe z. David Oberhuber, Drejtori i GIZ për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Programi “Migrimi dhe Diaspora” është mandat i Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe zbatohet nga GIZ.

Gjatë 60 minutave të diskutimit, ekspertët ndanë përvojat e tyre në Gjermani, studimet dhe angazhimin profesional atje, duke u përqendruar në angazhimin aktual që po zhvillojnë në projektet e GIZ në Shqipëri dhe Kosovë. Secili prej tyre dha sugjerime dhe përvoja personale për angazhimin dhe bashkëpunimin. Diskutimi u fokusua në procesin e rikthimit të trurit në vendlindje, projektet konkrete që duhet të implementohen, rolin e institucioneve qeveritare në krijimin e urave të bashkëpunimit dhe ofrimin e hapësirave konkrete për kthimin e profesionistëve në fusha të ndryshme në trojet shqiptare.

“Diaspora Flet” është konferencë e suksesshme dhe inovative e diasporës shqiptare, që këtë vit u zhvillua online më 19, 20 dhe 21 nëntor, duke ofruar një hapësirë konkrete për angazhimin e diasporës shqiptare dhe projekteve të saj për vitet në vijim. Kjo konferencë lidh dhe bashkon profesionistë, biznese, investitorë, komunitete, aktivistë dhe ekspertë nga diaspora dhe vende si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Përkundër sfidave të vitit pandemik, konferenca u zhvillua në formë virtuale dhe u prit shumë mirë nga pjesëmarrësit nga e gjithë bota. Interesi për konferencën u shfaq në grupe të ndryshme moshe dhe nga vende të ndryshme, që tregon dëshirën e shqiptarëve për të qenë të përfshirë në çështjet e vendit dhe për të dhënë kontribut në diskutime.

Të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë patën mundësinë të ndjekin në kohë reale çdo sesion të konferencës gjatë tre ditëve dhe organizatorët ofruan mundësinë për të shkruar pyetje dhe komente gjatë çdo diskutimi. Konferenca krijoi ura bashkëpunimi me profesionistë nga e gjithë bota dhe dha mundësi për shkëmbim praktikash më të mira dhe reflektime për punën në vitet e ardhshme dhe forcimin e rolit të diasporës. Gjithashtu promovoi biznesmenë, filantropë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme që janë të fokusuar në investime dhe angazhime në institucione të ndryshme.

Organizatorët realizuan një konferencë bashkëkohore, të strukturuar me tema aktuale, me organizim të shkëlqyer profesional dhe teknik për çdo sesion. Informacioni i dhënë nga organizatorët ishte i detajuar dhe çdo pjesëmarrës ndihej i rehatshëm dhe i vlerësuar. Konferenca pati mbulim nga media prestigjioze në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Me panelë dhe pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga fusha të ndryshme, konferenca forcoi misionin dhe objektivat duke sjellë bashkëpunim më të gjerë dhe interes më të madh për ngjarjet dhe projektet e ardhshme të organizatës Germin. Kjo konferencë bëri të mundur përfshirjen e sa më shumë profesionistëve shqiptarë kudo që ata jetojnë.

Konferenca “Diaspora Flet” kontribuoi drejtpërdrejt në zhvillimin e kauzave, identifikimin e mangësive në politikë, angazhimin e të rinjve dhe identifikimin e profesionistëve në diasporë që duan të japin kontribut për vendlindjen.

Diaspora shqiptare është mbajtëse kryesore e trurit intelektual shqiptar dhe ka dhënë një kontribut të madh gjatë viteve në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ruajtjen e gjuhës, identitetit, zhvillimin ekonomik dhe social. Diaspora shqiptare ka luajtur rol kryesor në kauzën kombëtare dhe krijimin e shtetit të Kosovës. Diaspora shqiptare është e ndryshme në kohën e mërgimit dhe në vendin prej nga ka emigruar. Shqiptarët kanë pasur për shekuj me radhë personalitete dhe intelektualë në çdo fushë që kanë ngritur emrin e Shqipërisë me kontributin e tyre. Falë iniciativave dhe projekteve të organizatave si Germin, Global Albanian, GIZ, etj., dëshira për rikthimin e profesionistëve dhe dhënien e kontributit në fusha të ndryshme është vënë re. Diaspora shqiptare ka pasur rol të rëndësishëm në zhvillimet dinamike dhe financimet në vendet amë për më shumë se dy dekada. Rrjeti i profesionistëve në diasporë e bën rolin e diasporës konkrete, të fortë dhe solidare, gati për të kontribuar për vendet amë.

Të fundit

Lajme të ngjashme

Njoftohuni me zhvillimet, iniciativat dhe diskutimet e fundit lidhur me Avokimin dhe Diplomacinë.
Përmbledhje mbi Diasporën

Kontributet e diasporës në vendin amë nuk ndodhin vetëm në gusht dhe nuk matet vetëm me remitanca. Ato ndodhin...