Gjatë takimit me profesionistët nga diaspora në Gjermani më 21 shtator, u prezantua Programi për Angazhim Qytetar (CEA), një iniciativë pesëvjeçare e zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me USAID-in.
Rreth 50 profesionistë nga fusha të ndryshme u informuan për mundësitë për të ndarë njohuritë dhe aftësitë e tyre me organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, përmes angazhimeve afatshkurtra të mbështetura nga ky program.
Dren Puka, Drejtor i Hulumtimit dhe Avokimit nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), prezantoi programin që synon të promovojë një kulturë të aktivizmit në nivel të qytetarëve, për të krijuar parakushte për zgjidhje rreth çështjeve të ndryshme me interes për komunitetet e tyre dhe në këtë mënyrë, për të përmirësuar cilësinë e jetës në lagjet dhe qytetet ku ata jetojnë.
Puka elaboroi shkurtimisht mbi historinë e angazhimit të komunitetit në Kosovë, që nga vitet ’80 dhe ’90 e deri më sot. Ai theksoi se shoqëria civile ka nevojë për ekspertizë dhe njohuri të reja, ku diaspora mund të luajë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Ndërkohë, Lirim Krasniqi nga GERMIN shtoi se fakti që diaspora jonë jeton kryesisht në vende me demokraci të konsoliduara mirë është një avantazh dhe potencial i madh.
Kjo u mundëson profesionistëve të diasporës të kontribuojnë në shoqërinë civile të Kosovës, duke promovuar praktika demokratike, përfshirjen qytetare dhe angazhimin komunitar.
Ky takim u përshëndet gjithashtu nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, z. Faruk Ajeti, i cili theksoi rolin që diaspora jonë ka luajtur në angazhimin komunitar, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.
Transferimi i njohurive dhe aftësive është një nga shtyllat e programit të GERMIN. Programi “Angazhimi i Profesionistëve të Diasporës” (EDP) lehtëson angazhimin e profesionistëve të diasporës për të kontribuar në institucionet e vendit të origjinës.
Aktualisht, gjashtë profesionistë janë të angazhuar në organizata të shoqërisë civile.
Më shumë detaje për programin dhe pozitat e hapura mund të gjenden në: https://diasporaprofessionals.germin.org/index
Falënderojmë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin dhe Organizatën e Akademikëve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare në Berlin (OASA) për organizimin e këtij takimi.