Të martën me datë 22 mars 2022 në një takim virtual është diskutuar për “Rolin e Remitancave në Stabilitetin Ekonomik të Kosovës”.
Në takim ku morën pjesë dhjetëra të pranishëm u prezantua edhe raporti që GERMIN ka realizuar në bazë të pyetësorit lidhur me remitancat dhe mënyrën se si ato dërgohen në Kosovë.
Panelistë ishin: Fehmi Mehmeti – Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, Liza Gashi – Zv.Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Gresa Latifi – Studiuese dhe ligjëruese në Universitetin Teknik të Munchenit, Lirim Krasniqi – Bashkë-drejtor në GERMIN si dhe Arbnor Mjeku – Menaxher i projekteve në GERMIN.
Krasniqi tha që për hulumtimin e realizuar nga GERMIN kanë marr pjesë më shumë se 100 respodentë dhe ka treguar që përmes këtij hulumtimi adresohen shumë shqetësime të mërgatës, që lidhen me kostot e transfereve.
“Ne do të bashkëpunojmë me Bankën Botërore dhe Bankën Qendrore të Kosovës por edhe me institucione, kompani dhe organizata të tjera që janë duke punuar në teknologjinë financiare në mënyrë që kostot e transferove të jenë shumë më të lira”.
Kurse Guvernatori i Bankës Qendrore në Kosovë, Fehmi Mehmeti, ka treguar trendin e remitancave gjatë dhe pas vitit 2020. Ai ka thënë që kriza e pandemisë ka shpërfaqur në mënyrë të qartë rëndësinë e diasporës në ekonominë e vendit.
“Një ndër kanalet më të rëndësishme që u godit ekonomia e Kosovës gjatë periudhës së pandemisë, ishte pikërisht mbyllja e kufijve dhe kufizimi i qarkullimit të lëvizjes së njerëzve, gjë që rezultoi me një rënie drastike të shpenzimeve të diasporës”.
Si pasojë e kësaj në Kosovë sipas Mehmetit, në vitin 2020 pati rënien më të madhe ekonomike në 10 vitet e fundit.
“Si pasojë e krizës Kosovë në vitin 2020 pati shënuar një rënie të paparë ekonomike të këtyre 10 viteve, gjë që kjo rënie në këtë vit shënoi 5.3 për qind”.
Por rënia ekonomike u rimëkëmb menjëherë në vitin 2021.
“Në vitin 2021 ekonomia e vendit shënoi një rikuperim mjaft të shpejt duke shënuar një rritje reale që sipas vlerësimit preliminar qëndron rreth 10.5 për qind”.
Ndikim kryesor sipas Mehmetit në këtë rritje kishte diaspora që rolin e saj e shpërfaqi përmes rritjes së remitencave dhe rritjes së shpenzimeve gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.
“Shpenzimet e jo-residentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e së cilëve janë nga diaspora – në vitin 2021 shënuan vlerën prej 1.5 miliard euro. Kjo paraqet një rritje vjetore prej 6.5 për qind, për dallim nga viti paraprak ku ato ishin përgjysmuar. Vlera e remitancave të pranuara gjatë vitit 2021 ishte 1/15 miliard euro që paraqet nëj rritje vjetore prej 17.1 për qind”.
Për rëndësinë që kanë remitancat në ekonominë e Kosovës, ka folur edhe Zëvëndës-Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi. Ajo ka theksuar që kontributi i mërgatës ka qenë dhe vazhdon të jetë kyç për zhvillimin ekonomik e shoqëror në Kosovë. Por ajo tha që do të donte që remitancat të ndryshonin pak formë.
“Do të doja të diskutonim në të ardhmen edhe për remitancat sociale. Remitancat përveç që kanë ndihmuar familjet në Kosovë, kanë ndihmuar edhe në formimin e infrastrukturës politike dhe ekonomie të Republikës tonë”
Sipas Gashit janë tre mënyra se si të ndryshojë forma e dërgimit të remitancave.
“E para, kanalet drejtuese të jenë më të shumta dhe të kenë një lloj kosto më të ultë për dërgim. E dyta, ka të bëjë me një edukim financiar në këtë drejtim, kjo na duhet edhe në Kosovë e edhe në diasporë. E treta, ka të bëjë me një program specifik që rikategorizon remitancat me dëshirë”.
Kurse për ligjëruesen dhe kërkuesen shkencore në Universitetin Teknik të Munchinit, Gresa Latifi, rritja e remitancave në Kosovë tregon edhe një anë tjetër – atë që vendi ka nevojë për ndihmë.
“Kosova ka përfituar nga remitancat nga bashkatdhetarët për vite me radhë. Unë kam një pikëpamje pak më kritike për shkak që zakonisht në literaturë vendet që përfitojnë shumë nga remitancat nuk duhet të mburren me këtë gjë. Remitancat janë ndihmë, kur vendi amë nuk ja del vetë, pra është në kërkim për ndihmë për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike”.
Për të remitanca bëhet e dobishme “kur ndryshon formë”.
“Nëse ato përdoren vetëm për konsum, kjo i bie që ka nevojë më shumë për ndihmë nga diaspora”.
Sipas saj janë disa kritere që investitorët e huaj ose investitorët nga diaspora, i analizojnë përpara se të investojnë.
“Investitorët janë të interesuar të investojnë nëpër vende ku ka stabilitet politik, ku gjyqësori funksionon si dhe nëpër vende ku edukimi i fuqisë punëtore është në atë nivel ku përmbushë idenë e dikujt, që dëshiron të investoj. Fatkeqësisht, në këto tre dimensione Kosova ende lë shumë për të dëshiruar”.
Hulumtimi i realizuar nga GERMIN do të publikohet së shpejti.