fbpx
Dhjetor 1, 2021

Rrjeti i Organizatave Rinore dhe Studentore

Nga Germin-1243 Shikime-Asnjë koment

Që nga themelimi e deri më tani, organizata GERMIN ka fokusuar kapacitetet në punën me komunitetin e diasporës shqiptare kudo që janë në botë. Dizajnimi dhe implementimi i projekteve ka targetuar komunitetin shqiptar dhe të drejtat e tyre politike, ekonomike e sociale në vendet amë. Kësisoji, projektet që GERMIN ka implementuar ose është në implementim e sipër kontribuojnë në monitorimin e së drejtës së votës së diasporës kosovare, identifikimin dhe funksionalizimin e metodave alternative për kontribuim në distancë si për shembull konsultime të specializuara nga profesionistët shqiptarë, mentorim e të tjera.

Në diskursin publik në Kosovë, roli i komunitetit të diasporës kryesisht është limituar në aspektin ekonomik, më saktësisht remitancat. Të dhënat po ashtu tregojnë se roli i komunitetit të diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës është tejet i lartë. Një hulumtim i UNDP i vitit 2012, tregon se 11–12% e BPV të Kosovës vie nga remitancat. I njëjti studim konkludon se diku rreth 25% të familjeve në Kosovë pranojnë ndihmë financiare nga të afërmit e tyre që jetojnë jashtë shtetit. Rrjedhimisht, askush nuk mund ta mohoj rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit. Por, a duhet limituar roli i tyre në këtë aspekt apo duhet tentuar të ndryshojmë narrativën e përgjithshme mbi diasporën duke eksploruar potenciale të tjera që ky komunitet ka?

GERMIN beson se komuniteti i diasporës shqiptare në botë ka potencial të mahnitshëm dhe shkon përtej potencialit ekonomik. Diaspora shqiptare nuk është një komunitet homogjen dhe nuk duhet analizuar si një i tillë. Diaspora shqiptare është e shpërndarë nëpër botë dhe kësisoji secili dhe secila ka identitet të vecantë gjeografik, gjinor, fetar, socio-ekonomik, nivel të ndryshëm shkollimi, nivel të ndryshëm zhvillimi profesional, lidhje të ndryshme me vendin amë e të tjera. Është me rëndësi të mbajmë në mend se eksperiencat e shqiptarëve në diasporë nuk janë të njejta po ashtu. Arsyet e largimit nga vendi amë, eksperiencat e jetuara në vendin pritës, politikat e imigracionit në vendin pritës, mosha e të tjera kanë përcaktuar dhe vazhdojnë të përcaktojnë pozicionimin e tyre në raport me vendin amë.

Duke pasur parasysh faktorët e lartpërmendur, GERMIN në muajin shtator me financimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, filloi implementimin e një projekti afat-shkurtër që në qendër ka gjeneratat e reja të komunitetit të diasporës. Të rinjët dhe të rejat shqiptare në botë kanë shënuar dhe vazhdojnë të shënojnë suksese të shumta por lidhja e tyre me vendin amë dhe mundësitë për t`u lidhur me bashkëmoshatarët e tyre mund të jenë të ndryshme nga ato që prindërit e tyre kishin. Mungesa e platformave që i bashkon të rinjët shqiptarë në botë përtej votës apo ekonomisë ka bërë që të ata/ato të mos kenë njohuri për bashkëmoshatarët e tyre që jetojnë dhe veprojnë nëpër botë dhe që përtej identitetit kombëtar kanë edhe interesa të tjera të përbashkëta.

Kësisoji, në kuadër të projektit të lartpërmendur GERMIN ka organizuar një seri ligjëratash dhe diskutimesh me folës/e nga Kosova e diaspora. Duke filluar nga lidershipi dhe jetesa e shëndetshme, deri tek gjuhët e huaja, aktivizmi mbi ambientin, gazetaria e mjekësia, folësit/et ndanë me pjesëmarrësit eksperiencat e tyre nëpër botë, përjetimin e identitetit të tyre si shqiptar në periudha të ndryshme, pengesat e përparësitë që ky identitet u solli dhe si ata gjetën mënyra të ndryshme për të kontribuar për vendet e tyre amë. Një pjesë e madhe e folëseve, eksploruan edhe ndërthurjen e identiteteve të tyre dhe se si kjo përcaktoi trajektoren e zhvillimit të tyre profesional, akademik e shoqëror. Si për shembull të qenit vajzë dhe shqiptare në diasporë dhe ballafaqimi me pritshmëri nga vendi amë dhe familja për të ruajtur traditat dhe presioni nga vendi pritës për tu integruar teksa ëndrrat dhe ambiciet qëndronin mbrapa dhe prisnin të realizoheshin.

Folësit/et si Mentor Dida, Shqipe Sylejmani, Shpresa Loshaj, Marsela Ceno, Manuela Canaj, Muhamet Idrizi, Arianit Fazliu, Mark Kosmo e të tjerë ritheksuan edhe njëherë rëndësinë e njohjes së njëri-tjetrit si shqiptarë nëpër botë në epokën e globalizimit, dhanë këshilla praktike për zhvillim akademik e profesional, eksploruan mundësi të ndryshme se si të rinjët shqiptarë nëpër botë mund të bashkëpunojnë si individë apo përmes organizatave rinore dhe studentore e të tjera. Më tutje, GERMIN në kuadër të këtij projekti, krijoi dhe lansoi një platformë interaktive të organizatave rinore dhe studentore e cila ofron mundësi të krijimit të lidhjeve të të rinjëve shqiptarë virtualisht. Platforma u mundëson të gjithë organizatave rinore dhe studentore shqiptare të ndajnë kontaktet e tyre dhe të lidhin bashkëpunim me bashkëmoshatarët e tyre në botë për projekte, punë praktike, aktivitete e të tjera.

GERMIN beson se duke kombinuar mjetet digjitale me pasionin dhe gatishmërinë e komunitetit të diasporës për kontribut në vendet amë, ne mund të krijojmë një frymë të re bashkëpunimi dhe të zgjerojmë vizionin tonë për diasporën.