fbpx
Mars 8, 2022

E ARDHMJA I PËRKET VAJZAVE DHE GRAVE

Nga Germin-960 Shikime-Asnjë koment

Dita Ndërkombëtare e Grave është një ditë historike për shumë arsye. Kjo ditë ka për qëllim që të njihen arritjet kulturore, politike dhe socio-ekonomike të grave. Mbi të gjitha 8 marsi nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm një festë. Kjo datë duhet shfrytëzuar për ngritjen e zërit kundër pabarazisë gjinore, të drejtave riprodhuese dhe kundër dhunës ndaj grave.

Historiku i 8 marsit

Që nga fillimi i shekullit të kaluar shumë lëvizje të grave nëpër botë, kërkonin të drejta të barabarta në shoqëri. Që nga fillim vitet 1900-të shtete të ndryshme të botës, festonin Ditën e Gruas, por jo të gjithë në të njëjtën datë. Për shembull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo ditë festohej më 28 shkurt. Por ngjarje të ndryshme që ndodhën në këtë kontinent apo edhe në shtete të tjera, bën që data 8 mars të caktohej si Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, filloi festimin e kësaj ditë më 1975-të, vit i cili ishte caktuar si “Viti Ndërkombëtar i Grave”. Më 1977 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ftoi shtetet anëtare që të vendosin datën 8 mars si ditën zyrtare për të drejtat e grave. Që nga ajo periudhë OKB-ja cakton një temë të caktuar për nder të kësaj date.

Këtë vit tema kryesore është “Barazi gjinore sot për një të nesërme të qëndrueshme”, për nder të njohjes së përpjekjeve që shumë gra janë duke i bërë si lidere ndaj kauzës për ndryshimet klimatike.

8 marsi dhe Kosova

Një temë për secilin 8 mars, caktohet edhe në Kosovë. Shumë organizata jo-qeveritare që merren me të drejtat e grave, organizojnë protesta dhe marshe në shumë qytete të Kosovës. Tema që është caktuar këtë vit është “Marshojmë kundër vrasjes së grave” – si revoltë ndaj dhunës sistematike ndaj vajzave dhe grave si dhe vrasjes së tyre.

Gratë dhe Politika

Në Kosovë ligjërisht partitë politike janë të obliguara që të kenë minimalisht 30 për qind gra në lista zgjedhore. Një kuotë gjinore që të gjithë partitë politike e zbatojnë në përpikmëri, duke mos e tejkaluar asnjëherë këtë përqindje.

Por ndonëse partitë politike kanë në listat e tyre vetëm 30 për qind gra, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, më shumë se asnjëherë tjetër, gratë arritën të bëhen deputete pa nevojën e një kuote.

Nga 120 ulëse sa ka Kuvendi i Kosovës, 44 prej tyre janë gra. Gjithashtu për herë të dytë vendi ynë ka një grua si të parën e vendit. Më 4 prill të vitit 2021, Vjosa Osmani me 71 vota për, u zgjodh Presidente e vendit.

GERMIN dhe Gratë

Organizata jonë ndonëse për rol primar ka një sferë tjetër, gjithmonë është munduar që përmes projekteve të ndryshme tu ndihmojë grave.

Projekti më i ri që GERMIN ka për ndihmë ndaj grave quhet “Diaspora për Gratë Ndërmarrëse”. Ky projekt ka për qëllim ofrimin e ndihmës ndaj grave ndërmarrëse. Përmes programit të mentorimit nga ekspertët e diasporës, ne do mundohemi që grave ndërmarrëse tu japim ndihmën e nevojshme që biznesi i tyre të zgjerohet.

Për detaje më të hollësishme lidhur me këtë thirrje mund të klikoni në këtë link: https://bit.ly/3hQr0k2