Për të matur perceptimet e komunitetit të Diasporës në lidhje me Kornizën Ligjore dhe Institucionale, OJQ Germin ka zhvilluar një anketë me 142 pjesëtarë të këtij komuniteti. Anketa është zhvilluar nga data 28 shkurt deri 4 prill të vitit 2018, dhe është shpërndarë përmes rrjeteve sociale dhe web faqes së organizatës. Pjesa dërrmuese e të anketuarve kanë vend amë Kosovën (64%) dhe Shqipërinë (30%) dhe Maqedoninën (6%).
Figura e më poshtme tregon se shumica e të anketuarve (63%) nuk janë në dijeni për Strategjitë Kombëtare të vendeve të tyre amë për Diasporën. Gjithashtu, siç shihet në figurën e dytë më poshtë, 63% e të anketuarve nuk janë në dijeni për dokumentin Strategjia për Diasporën dhe Mërgatën 2013- 2018, i përpiluar nga Republika e Kosovës, që synon avancimin e të drejtave politike dhe sociale të Diasporës, shmangien e asimilimit, dhe ruajtjen e identitetit. Ata që ishin në dijeni për këtë dokument, gjithashtu u pyetën nëse ishin konsultuar nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës gjatë përpilimit të dokumentit. Figura më poshtë tregon se shumica e tyre (81%) deklaruan se nuk janë konsultuar në këtë drejtim. Ngjashëm, shumica e të anketuarve (91.5%) deklaruan se këshillat e tyre nuk janë kërkuar nga Ministria e Shtetit për Diasporën në Republikën e Shqipërisë.
Për më shumë shihni infografikën, e përgatitur nga Rrotull.com.