fbpx
June 30, 2021

Angazhimi i Diasporës për ITP Prizren – Mbahet takimi me komunitetin e biznesit në Düsseldorf

By Germin-27861 Views-No Comment

Të shtunën që shkoi, në Düsseldorf të Gjermanisë u mbajt takimi me bizneset dhe profesionistët nga diaspora, ku u prezantuan Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) – Prizren, një mundësi e re për investime në Kosovë. Prezent në këtë takim ishin profile të ndryshme të  bizneseve nga diaspora fusha e Teknologjisë, Përpunimit të Ushqimit dhe Industrive Kreative – Kulturore.

Fillimisht të pranishmit u adresuan nga Z. Arjan Kashatnjeva – konsulli i përgjithshëm, i cili shprehu kënaqësinë për të mirëpritur një ngjarje të rëndësisë së tillë, sidomos pas një periudhe të gjatë izolimi si shkak i pandemisë. Ai uroj që projekte/takime të tilla të jenë sa më të shumta në të ardhmen, dhe rrjedhimisht të rezultojnë në investime konkrete në Kosovë.

  1. Wolfgang Leidig, drejtor menaxhues i Parkut, duke prezantuar para komunitetit të diasporës, theksoi se ITP Prizren përtej infrastrukturës shumë të përshtatshme hapësinore, ofron një atmosferë rrjetëzimi dhe bashkëpunimi ndërsektorial, me fokus në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (ICT), Përpunimit të Ushqimit dhe Industrive Kreative – Kulturore. ITP është shumë më tepër sesa një park biznesi klasik. 

Parku shumëfunksional është hapur zyrtarisht për qiramarrësit në maj të vitit 2020, dhe tani është i hapur edhe për bizneset e interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare për t’u bërë pjesë e tij. ITP synon të tërheqë angazhimin e diasporës në sektorin privat, institucionet e arsimit dhe trajnimit profesional, si dhe aktivitete kërkimore dhe inovative. Përtej strukturës së pasurive të patundshme të ofruara, parku ofron shërbime biznesi dhe një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm investimi me menaxhmentin gjerman që kujdeset për qiramarrësit. 

  1. Leidig prezantoi vizionin dhe misionin e ITP, i cili synon të shndërrohet në një pikë gravituese në rajonin e Ballkanit për inovacionin, zhvillimin e biznesit dhe aftësive, dhe burim i ideve inovative dhe të suksesshme. ITP Prizren ka një hapësirë prej 40 hektarësh, me 53 objekte të gatshme për bizneset e interesuara.

Gjithashtu të pranishmëve në këtë ngjarje ju drejtua edhe z. Bekim Bytyqi – drejtor menaxhues i Unionit të Bizneseve Shqiptare-Gjermane (UB), i cili shprehu vullnetin e anëtarevë të UB për të investuar në Kosovë, specifikisht në ITP. Poashtu, ai theksoj se anëtarët e Unionit janë të interesuar për të marrë informacion më të detajuara që janë relevante për bizneset e tyre specifike.

Qëllimi i kryesor i ITP është të mbështesë Kosovën në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe integrimit, duke i kushtuar rëndësi të veçantë angazhimit dhe përfshirjes së diasporës.

Pas takimit, z. Leidig me bashkëpunëtorë realizuan një vizitë pune tek ‘Kelmendi GmbH’, njëra nga kompanitë anëtare e Unionit të Bizneseve Shqiptare-Gjermane (UB) në fushën e përpunimit dhe shitjes së produkteve ushqimore. 

Ky aktivitet ishte i pari i një serie takimesh që do të ndodhin në diasporë (kryesisht vendet gjermano-folëse) ku do të prezantohet ITP Prizren.