Shkruan: Vinita Morina
Ndërtimi i një partneriteti të mirëfilltë ndërmjet shtetit Kosovës dhe Diasporës është esencial për zhvillimin ekonomik, politik e social të Kosovës. Angazhimi i diasporës është mjaft i rëndësishëm sepse pjesëtarët e saj kanë potencial për të luajtur një rol madhor jo vetëm në ekonominë e Kosovës, mirëpo edhe në politikë, shoqërinë civile, kulturë, sport, etj. Tashmë është e qartë që diaspora e Kosovës është jo vetëm burim i të ardhurave por edhe katalizator i promovimit të Republikës së Kosovës në botë.
Por, si mund të angazhohet diaspora për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social në Kosovë? Duke pasur parasysh faktorë të caktuar si lidhjet emocionale, resurset njerëzore, kapitalin ekonomik, lidhjet biznesore, Diaspora mund të kontribuojë direkt në ekonominë e Kosovës, duke investuar në bizneset fillestare (start-ups), por edhe duke rritur angazhimin qytetar për të zgjeruar nivelin e pjesëmarrjes politike.
Përmes remitancave, diaspora jonë jo vetëm që po e rritë ekonominë e Kosovës, por edhe po e mbanë paqen sociale duke ulur shkallën e varfërisë në vend. Remitancat përfaqësojnë rreth 10 % të të ardhurave dhe kontribuojnë në 16 për qind të PBB-së (Produktit të brendshëm bruto). Sipas UNDP, rreth 25%, ose 80,000 familje Kosovare marrin të ardhura nga remitancat.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm në të cilën diaspora angazhohet është politika. Duhet të theksohet se roli i diasporës në zhvillimin politik të Kosovës ka qenë edhe mbetet ende monumental. Anëtarët e diasporës kosovare kanë luajtur gjithmonë një rol aktiv në zhvillimet politike të pasluftës duke mobilizuar dhe mbështetur bashkatdhetarët në Kosovë në udhëheqjen e institucioneve.
Pse është i nevojshëm angazhimi politik dhe civil i Diasporës?
Diaspora, duke jetuar në vendet e zhvilluara, e sheh dhe ndjen nga afër se si funksionon sundimi i ligjit, sistemi i drejtësisë dhe shërbimet administrative atje. Për më tepër, shumë pjesëtarë të diasporës tashmë janë titullarë dhe bartës të bizneseve, organizatave dhe institucioneve në vendet rezidente. Kjo përbën një përparësi të madhe e cila mund të shërbej për të mbështetur institucionet kosovare në përmirësimin e sistemit të përgjithshëm të qeverisjes, duke bërë presion konstruktiv në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe efikasitetit në kuadër të zbatimit të politikave. Përvoja dhe profesionalizmi i pjesëtarëve të diasporës, me programe adekuate mund të vihet në shërbim të të gjitha institucioneve në Kosovë. Kyçja e drejtëpërdrejtë e pjesëtarëve të diasporës do të ndikonte në rritjen e pjesëmarrjes, nxitjen e konkurencës cilësore dhe rritjen e kapaciteteve politikëbërëse. Por për ta bërë këtë, shoqëria dhe institucionet kosovare duhet të bashkëpunojnë më ngushtë dhe më hapur me pjesëtarët e diasporës, duke ofruar më shumë hapësirë në vendimmarrje dhe proceset tjera politkë-bërëse dhe zbatuese.
Diaspora mund ta bëj shumë në zhvillimet politike dhe sociale të Kosovës edhe përmes aktivizmit qytetar.
“Në një projekt kërkimor mbi angazhimin qytetar nëpër lokalitete të ndryshme në Kosovë, u konkludua se në pothuajse të gjitha 6 lokalitetet e përzgjedhura, diaspora ishte forca kryesore drejtuese e angazhimit qytetar, ku përveç ndihmës financiare ata kontribuan gjithashtu me ide dhe me angazhim praktik. Diaspora e fshatrave Koretin, Smirë, Stubëll e Eperme dhe Doberqan kontribuan në mirëmbajtjen e hapësirave publike, ndriçimin publik, ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë, shtrirjen e sistemeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe organizimin e sportit dhe aktiviteteve kulturore.”
Përmes aktivizmit qytetar, pjesëtarët e diasporës së bashku me bashkëatdhetarët e tyre në Kosovë, adresojnë çështjet e interesit të përbashkët. Aktivizmi qytetar luan një rol madhor edhe në bashkimin si dhe afrimin e njerëzve, element ky shumë i rëndësishëm për Kosovën, për mbajtjen e lidhjeve me diasporën.
Shembuj të ndryshëm tregojnë se si angazhimi i diasporës ka ndikuar në ndryshimin e politikave, përmes organizimit qytetar dhe avokimit. Ne i kemi akoma të freskëta fushatat e bashkë-atdhetarëve tanë në vende të ndryshme perendimore për të drejtën e Kosovës për Liri dhe Pavarësi gjatë viteve të 90-ta. Për dallim nga ajo kohë, tani diaspora jonë mund të bëjë shumë më shumë në krijimin e lidhjeve të reja për të ndihmuar shtetndërtimin dhe për të krijuar një imazh pozitiv në botë për shtetin tonë të ri. Prandaj, është e rëndësishme që diaspora e Kosovës të vazhdojë këtë angazhim aktiv në mënyrë që të ndikojë në ndryshimet pozitive në Kosovë, si dhe të krijojë lidhje afatgjata të shkëmbimit ekonomik dhe shoqëror.
Përfundimisht, ne duhet ta kuptojmë dhe për më tepër ta përbrendësojmë mendësinë se ndërtimi i urave dhe përfshirja e diasporës në aspektin shoqëror, ekonomik dhe politik duhet të jetë një synim për të gjithë, me qëllim të lidhjes të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Por, duhet gjithashtu që edhe pjesëtarët e diasporës të jenë më aktivë dhe më këmbngulës në angazhimin e tyre për atdheun.
Vinita Morina është 17 vjeçare dhe jeton në Prishtinë. Aktualisht, ajo vijon lëndët mësimore në gjimnazin ”Ahmet Gashi” në Prishtinë. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në trajnime të ndryshme me tematikë të drejtat e njeriut, pasi që në të ardhmen dëshiron që të orientohet në shkenca juridike. Poashtu ka qenë moderatore në KTV në emisionin ”Programi Fluturues i Fëmijëve” . Për momentin Vinita është anëtare e Bordit këshillues të të rinjëve në USAID si dhe punon si praktikante në organizatën jo-qeveritare GERMIN. Ky shkrim është opinion personal i saj dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimin e organizatës.