fbpx
December 13, 2020

Diaspora dhe Kosova gjatë pandemisë

By Erjona Gjikolli-22661 Views-No Comment

Kush tha që s’erdhi Diaspora këtë vit?

Ishin ditët e para të vitit 2020 kur shqiptarët kudo në botë, në komuna të mëdha e të vogla, ende po shijonin kafetë e tyre duke u munduar të kapin rrezet e diellit. Me kafe bëheshin edhe planet. Biletat për Kosovë, organizimet, pushimet e dasmat. Kafeja bëhej edhe më e shijshme kur planet diskutoheshin me familjarët në Kosovë. Dukej sikur çdo gjë po merrte formë. Tashmë ishin vendosur datat.

Dhe këto ishin vetëm ditët e para të vitit 2020.

Çdo gjë filloi të merrte kahje tjetër… në fakt, po përmbysej çdo plan. Ose, nuk po i kujtohej askujt ndonjë plan tjetër, përpos ai i të mbeturit gjallë e shëndosh.  Është kjo koha kur pandemia mori çdo skutë e rrugë dhe nuk pyeste për planet, kursimet a gjendjen shëndetësore. 

Frika ishte shumë e madhe. Kudo. Lufta me virusin dukej shpesh e pamundur. Lajmet po bombardonin çdo shtëpi. Kafeja e shqiptarëve në diasporë tashmë po përcillej me ankthin dhe shqetësimin për familjarët në Kosovë e Shqipëri. 

Dhe nga frika se shqiptarët në diasporë nuk do të mund t’i ndihmojnë të afërmit, e rrjedhimisht nuk do t’i ndihmojnë Kosovës, ndodhi krejtësisht e kundërta. Diaspora nuk u ndalë për as edhe një moment.

Si erdhi Diaspora gjatë karantinës në Kosovë?

Një ditë teksa po kaloja në rrugën e njëjtë që e bëjë çdo ditë për punë, e që tashmë për dallim nga më parë është shumë e qetë, e sidomos në ditët e para të pandemisë kur rrallë dëgjohej ndonjë muhabet apo kalonte dikush, më ra në sy radha e njerëzve që po prisnin, me maska e distancë.

“Veç këto kioskat ku i marrim paret prej jashtë po punojnë”, më tha një zonjë e cila po priste në rend për t’u futur brenda.

Më intrigoi dhe e pyeta se kush po ua dërgon paratë. Me shumë mall e falënderim që reflektohej në shkëlqimin e syve të saj, më tha që dy djemtë i ka në Gjermani, këtu është me burrin dhe vajzën. 

“Djemtë na çojnë vazhdimisht, po tash as burri s’po më punon, pa ta s’kishim pas as me hëngër e le më për hapa”, mu përgjigj ajo. 

Zonja nuk është e vetmja. Të tilla familje që gjatë pandemisë shpresën e vetme vazhdojnë t’i kenë familjarët, djemtë e vajzat, vëllezërit e motrat në Diasporë janë të shumtë.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), mërgata ka dërguar mbi 600 milionë euro, ku sipas këtyre të dhënave më së shumti para janë dërguar në muajin maj, mbi 100 milionë, duke bërë që remitancat të jenë për 53.4 milionë më shumë se në periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar.

Pra, në kohë krize, kur nuk e di se nga t’ia mbash, Diaspora e dëshmoi edhe një herë se është ndihma më e madhe e thesarit të çdo familjeje. Por, jo vetëm kaq!


Cili është zëri i shqiptarëve në botë?

Çdo ditë të re në lajme mësonim për një shqiptar tjetër, i cili në filan vendin ku jeton po i ndihmon një spitali, disa mjekëve, shkollave a komunitetit të biznesit. Çdo ditë na bëhej zemra mal kur në rrjete sociale na shfaqeshin emra ekspertësh, doktorësh e profesorësh shqiptar. 

Pandemia bëri që shumë shqiptarë, të cilët vite më parë kanë shkuar për të punuar larg shtëpisë, për një të ardhme më të mirë, profesionistë në shëndetësi, ekonomi e edukim, të lirohen nga petku i modestisë dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri.  

Duke parë praktikat përmes të cilave po funksionojnë shtetet e zhvilluara, në kohën kur pandemia ka thyer çdo parashikim, përmes projektit “Shkëmbimet me Diasporën mbi Reagimin ndaj COVID-19”, përfaqësuesit nga diaspora nga fusha e shëndetësisë, ekonomisë dhe arsimit, duke përdorur platformat virutale, kanë ndarë përvojat e tyre.

Komunikimi me pacientë, pse është i rëndësishëm?

Ekspertë shqiptarë të shëndetësisë nga vendet e zhvilluara si Gjermania, Italia, Franca e Hungaria, në takimin i cili u mbajt me qëllim të ndarjes dhe shkëmbimit të përvojave të tyre karshi menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, folën për masat dhe aspektet e tjera që prek virusi. 

Meqë tanimë shumica e vendeve po përballën me atë që po quhet valë e dytë e pandemisë, ekspertët vazhdojnë të potencojnë rëndësinë e kujdesit para infektimit. Pra, rëndësia e të ushqyerit të shëndetshëm dhe përdorimit të vitaminave. 

Mbyllja në shtëpi dhe lufta me të panjohurën ka ndikuar shumë në aspektin psikik. Andaj, rekomandohet që sistemi i shëndetësisë të ketë parasysh komunikimin me pacientët.


Kushtet për mësim online, Diaspora me barriera doganore

Mësimi online vazhdon të jetë sfidë si për institucionin ashtu edhe nxënësin/studentin dhe kjo jo vetëm në Kosovë. Ekspertë shqiptarë të arsimit në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian dhe më gjerë kanë shpalosur detaje nga përvojat e tyre gjatë pandemisë dhe menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, në vendin ku jetojnë e punojnë.

Për të qenë produktiv mësimi online, sipas ekspertëve, duhet të rritet kualiteti i materialeve që ofrohen përmes platformave online, meqë sipas tyre arsimi përballet me kualitet të dobët tradicional dhe virutal.  

Sfida më e madhe, sipas tyre, mbetet edhe pajisja e çdo nxënësi me mjetet e duhura teknologjike dhe për ofrimin e tyre, Diaspora has në barriera doganore.

Një zëri ekspertët kërkojnë që Qendra e Botimeve të Diasporës të angazhohet në ofrimin e librave dhe materialeve mësimore në formatin virtual, e kësisoj këto materiale të përdoren nga e gjithë Diaspora.


Si t’i ndihmoj shteti bizneset në kohë krize? 

Pandemia gjithashtu ka bërë që shumë biznese të mbyten në borxhe dhe më pas të mos mund të mbijetojnë e të mbyllen. Rrëfimi i ekspertëve shqiptarë të ekonomisë në vendet si Greqia, Kanadaja, Italia, Franca e Shtetet e Bashkuara tregon për praktikat dhe politikat tregtare të këtyre vendeve në kohë krize. 

Çka mund ta mbys një biznes? Obligimet tatimore. 

Në Greqi shlyerja e obligimeve tatimore për bizneset është shtyrë të paktën deri në muajin mars të vitit 2021. Në Itali bizneset e prekura po pranojnë subvencione nga shteti. Gjermania ka ndarë menjëherë rreth 40 miliardë për ekonominë nga rezervat shtetërore. Franca me strategjinë e re do të ulë taksat me 30% për të gjitha fushat e industrisë dhe prodhimit, kjo për të ndihmuar kompanitë e vogla dhe të mesme.

Sipas tyre, çka duhet të bëhet? Ndonëse në kohë krize, ekspertët thonë se duhet të ketë stabilitet ligjor, përfshirë këtu edhe shpejtësinë në vendimmarrje, transparencë të plotë në masa dhe program për rimëkëmbje, duke bërë kështu që informacioni të shpërndahet te diaspora. 

Mbetet i domosdoshëm angazhimi i ‘trurit’ nga diaspora, me programe të favorshme të migrimit qarkor për sektorët me potencial.

Bashkë, për Kosovën që duam

Situata e krijuar nga pandemia për çdo njeri ishte tmerr i llojit të vet. Çdo njeri e përjetoj dhe vazhdon ta përjetoj ndryshe. Porse, pikërisht në këtë kohë krize, në këtë situatë kur as shtetet më të zhvilluara në botë nuk kishin kapacitete për menaxhim të plotë të saj, është një grup njerëzish që pa ndalë e pa kursyer asgjë, i ndihmojnë shtëpisë së vet.

Në këtë rast, shtëpia është më e madhe se 70 apo 100 metra katror. E quajmë Kosovë, hapësirë me mbi 10 mijë kilometra katror.

Ndonëse të lodhur nga punët e tyre të përditshme dhe stresi që u ka shkaktuar gjendja me koronavirusin, ekspertët shqiptarë në Diasporë shprehën gatishmërinë të kontribuojnë dhe ndihmojnë vendin, qoftë përmes këshillave apo donacioneve, online apo edhe përmes pranisë së tyre fizike.  

Në të mirë e në të keqe, bashkë – për Kosovën që duam.

 

Ky editorial përmbledh takimet me profesionistë nga diaspora në kuadër të projektit “Shkëmbimet me Diasporën në reagim ndaj COVD-19”, që u organizua nga GERMIN me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung – Prishtina Office, përmes platformës “Kosova që Duam”. Editoriali u shkrua nga Erjona Gjikolli, gazetare dhe moderatore me përvojë disavjeçare ne televizionin KTV.