fbpx
December 12, 2020

Pasojat e COVID-19 në Ekonominë, Edukimin dhe Shëndetësinë Kosovare

By Donika Gashi-21961 Views-No Comment

SI KA NDIKUAR MUNGESA E ‘TURIZMIT TË DIASPORËS’ NË EKONOMI?

Më 19 dhe 23 tetor janë mbajtur takimet virtuale për ekonominë në kuadër të shkëmbimeve me Diasporën lidhur me reagimin ndaj COVID-19, projekt ky i organizuar nga GERMIN dhe mbështetur nga Fondacioni Fridriech Ebert, përmes platformës “Kosova që Duam”

Në këtë takim kishte pjesëmarrës nga institucionet vendore, përfaqësues të Diasporës, përfaqësues të bizneseve etj. Zyrtarja nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Sytrime Dervisholli,  ka thënë se ka një rënie të dukshme të remitencave – në kuptimin e dërgimit të parave në Kosovë. Në bazë të analizave që i ka bërë kjo Ministri ajo potencoi që Diaspora mund të investojë në disa sektorë në Kosovë siç është sektori i teknologjisë dhe ai i shërbimeve të konsullencës. Është pikërisht sektori i teknologjisë informative, ndër të vetmit sektor që sipas Bankës Qendrore, ka shënuar rritje në eksport dhe padyshim rol të madh këtu ka edhe Diaspora.

Fokus të veçantë në këtë takim iu dha mungesës së ‘Turizmit të Diasporës’  gjatë këtij viti, mungesë që ka ndikuar në ekonomitë lokale të qyteteve. Përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, Visar Shehu, ka treguar që ekonomia e kësaj komune e ka pësuar shumë nga mungesa e ‘turizmit të diasporës’ dhe sektorët më të prekur janë gastronomia dhe hotelieria. Një problematike që ka potencuar Shehu është edhe anulimi apo mbajtja online e aktiviteteve kulturore në Prizren siç është DokuFest-i, festival që sjellë shumë turistë në Prizren. Përfaqësuesi nga Komuniteti i Biznesit, Bekim Kamberi, ka treguar eksperiencën personale me biznesin e tij gjatë vitit 2020. Ai ka thënë që kompania e tij që merret me grumbullimin e pemëve dhe perimeve dhe eksportimin e tyre jashtë Kosovës, ka pasur problem në fillim të pandemisë me paisjen e dokumenteve të duhura për të lëvizur. Gjithashtu ai ka thënë që version i dytë i pakos së miratuar nga Qeveria është më e mirë për bizneset, pasi bizneset sipas tij tani do jenë më komode në mbajtjen e punëtorëve.

Konsulli i Kosovës në Stutgart të Gjermanisë, Besnik Miftaraj, ka konfirmuar që Kosova ka rritur eksportin drejt këtij shteti. Ai ka treguar statistika nga Enti Statistikor i Gjermanisë, ku dëshmohet që nga janari deri në gusht të vitit 2020, Kosova ka rritje prej 5.5 për qind të eksportiti drejt Gjermanisë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Çfarë mund të mësojmë nga Diaspora?

Në këtë takim kishte edhe përfaqësues nga Diaspora, që kanë treguar shembujt se si shtetet përkatëse janë duke i ndihmuar ekonomisë. Ekspertët shqiptarë që jetojnë në Greqi, Itali e Francë kanë treguar shembujt e këtyre shteteve. Greqia ka marr vendim në shlyrjen e obligimeve tatimore për bizneset të paktën deri në mars 2021. Italia ka dhuruar subvencione për të gjitha bizneset e prekura nga pandemia si dhe janë pezulluar të gjitha obligimet tatimore, të paktën për një vit. Franca do i ulë  taksat deri në 30 për qind për të gjitha industritë e prodhimit në mënyrë që t’i ndihmojë kompanitë e vogla dhe të mesme.

 

EDUKIMI GJATË COVID-19 – SHKËMBIMET ME DIASPORËN

Si rezultat i shpërndarjes së shpejtë të COVID-19 në mars të këtij viti, Qeveritë e shumë vendeve të botës vendosën që t’i mbyllin shkollat. Institucionet kosovare e morën vendimin për mbylljen e shkollave, dy ditë përpara se të shfaqeshin zyrtarisht rastet e para me COVID-19.

Më 11 mars 2020 atëkohë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, urdhëroi mbylljen e shkollave deri më 27 mars. Por vendi do hynte në karantinë totale gjatë muajve në vijim dhe nxënësit kosovarë si miliona nxënës të tjerë në botë u detyruan të vazhdojnë mësimin online apo edhe në distancë.

Pikërisht për edukimin dhe shkëmbimet nga praktikat e vendeve ku jetojnë shqiptarët në Diasporë, u diskutua më 26 dhe 29 tetor në një takim virtual mes ekspertëve vendor të edukimit dhe përfaqësuesve nga Diaspora.

Të gjetur përballë një gjendje të jashtëzakonshme institucionet vendosën që lëndët mësimore t’i shfaqnin në televizionin publik të Kosovës por njëherësh edhe secili mësimdhënës të mbajë mësim online. Mungesa e paisjeve teknologjike në shkolla, mungesa e shkathtësive teknologjike tek mësimdhënësit, fëmijë që nuk kanë paisje teknologjike – janë vetëm disa nga problemet që u shpërfaqen gjatë muajve mars – qershor. Probleme të tilla mund të shfaqen sërish nëse vendoset që mësimi të mbahet online.

Ministria e Arsimit në Kosovë ka bërë një hulumtim ku ka treguar që janë 32 mijë nxënës që nuk kanë ndjekur mëismin online gjatë periudhës mars – qershor, 14 mijë prej të cilëve në mungesë të një paisje digjitale.

Prandaj në mënyrë që të ketë sa më pak fëmijë që nuk ndjekin mëismin online pasi nuk kanë një paisje digjitale, Ministria e Arsimit ka blerë rreth 5 mijë paisje për nxënësit, por që të njëjtat ende nuk janë shpërndarë.

Pas përfundimit të vitit shkollor 2019 – 2020 gjatë muajve të verës, në mënyrë që mësimi të mbahet dhe nxënësit të mos humbasin: FES, UNICEF, GIZ i mblodhën të gjithë akterët dhe u nxorr një udhëzues ku parashihej rikthimi në shkolla bazuar në tre skenare. Skenari A parashihte rikthimin në shkolla me masa të rrepta të kujdesit, Skenari B parashihte mësimin e kombinuar dhe Skenari C parashihte mësimin online dhe në distancë.

Shkollat në Kosovë vendosën që të kthehen në shkollë, duke aplikuar kështu skenarin A. Nga monitorimet që i ka bërë FES në 75 shkolla në Kosovë, është kuptuar që kushtet fizike janë relativisht të mira. Problematikë do të ishte nëse shkollat detyrohen të aplikojnë skenarin C, që është mësimi online dhe prej distance.

Çfarë mund të mësojmë nga Diaspora?

Shqiptarët në Diasporë po i shohin problematike procedurat burokratike që duhet t’u nënshtrohen në Dogana, nëse dëshirojnë të dhurojnë paisje teknologjike për nxënësit në Kosoë. Gjatë këtij takimi virtual u treguan shembuj se si kanë vepruar shtetet si Gjermania, Italia,  Turqia, Greqia e Britania e Madhe. Në Gjermani u tha që të gjithë nxënësit që nuk kanë pasur një paisje digjitale, janë paisur me një të tillë në kohë rekorde, për vetëm brenda dy jave pasi shteti gjerman i ka lehtësuar procedurat burokratike.

 

SHËNDETËSIA GJATË COVID – 19

E gjithë bota pothuajse u mbyllë në muajt e parë të 2020-ës. Të gjithëve u kërkohej (kërkohet): të rrinë mbyllur, të mbajnë maska e të mbajnë distancë

Kur të gjithë po qëndronin brenda, mantelbardhët ishin dhe janë në vijë të parë të frontit – në luftë kundër një armiku të padukshëm, më i rrezikshmi në këto 100 vitet e fundit. Bota nuk ka parë një pandemi të këtij niveli, që nga gripi spanjoll në vitin e largët 1918. Që nga 13 marsi kur në Kosovë edhe zyrtarisht u paraqiten rastet e para me COVID-19, mantelbardhët janë në luftë kundër këtij virusi tinzar.

Pikërisht për mjekët dhe shëndetësinë është diskutuar edhe në takimin e fundit që është mbajtur në kuadër të programit ‘Shkëbimet me Diasporën mbi reagimin ndaj COVID-19’ e organizuar nga GERMIN.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, gjykon që sistemi shëndetësor në Kosovë është tërësisht i papërgëtitur për tu përballur me këtë situatë. Ai këshillon që të krijohet një kolegjium multidisiplinor dhe të bëhet një analizë se si  është vepruar deri më tash dhe të merret mësimi.

Pikërisht këtë gjë e ka studiuar OMK-ja, ku ka analizuar me kujdes mënyrën se si kanë reaguar shtetet e tjera dhe në bazë të modeleve të tyre, këtë gjë ua kanë prezantuar edhe institucioneve në Kosovë – por që një gjë e tillë nuk është përfillur nga institucionet përgjegjëse.

Shqetësim mjekët e shohin edhe mugesën e masave adekuate në luftë kundër COVID-19. Mjekja nga Komuna e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka treguar që në këtë komunë si edhe në shumicën e komunave të tjera në vend, ka problem me shtretër dhe furnzim me oksigjen.

Çfarë mund të mësojmë nga Diaspora?

Shqiptarë ekspertë të shëndetësisë në Itali, Gjermani, Francë e Hungari morën pjesë në takimin virtual të organizuar nga GERMIN. Ata shpalosën modelet shëndetësore që shtetet ku ata jetojnë po i ndjekin. Për shkak të rritjes së numrit të personave me koronavirus Italia ka vendosur që të shtrëngojë masat, në mëyrë që të mos ketë mbyllje të tërësishme. Në Francë nuk ka shtretër reanimacioni të mjaftueshëm nëse numri i rasteve me koronavirus vazhdon të rritet. 

 

Ky editorial përmbledh takimet me vendimarrës lokal në kuadër të projektit “Diaspora Exchange on Response to COVD-19”, që u organizua nga GERMIN me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung dhe Prishtina Office, përmes platformës “Kosova që Duam”. Editoriali  u shkruan nga Donika Gashi, gazetare dhe hulumtuese me përvojë disavjeçare në mediat kryesore në Kosovë. Donika ka qenë moderatore në Klan Kosova, aktualisht është gazetare dhe fellow e akredituar pranë Radios ‘Evropa e Lirë’ në Pragë, Republika Çeke.