fbpx
August 14, 2019

Sfida: Si të përfitojë Kosova nga rikthimi i specialistëve të Diasporës?

By Germin-20951 Views-No Comment

Shkruan: Fjolla Vukshinaj

Një histori shqetësuese mbi emigrimin

Kosova, dikur pjesë e Jugosllavisë,  sikurse shumë shtete tjera përbërëse të saj, tradicionalisht kanë përjetuar nivele të larta të emigracionit në proporcion me popullatën vendore. Atëkohë, me shumë mundësi, qytetarëve të Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovarët, u lejohej të lëviznin lirshëm jashtë vendit. Sipas artikullit “Rruga e Kthimit: Largimi i trurit dhe prosperitetit”, në mesin e viteve 1970, rreth 1.1 milion punëtorë, shumica e të cilëve ishin të moshave 20 deri në 45 vjeç, u larguan nga Jugosllavia. E gjithë kjo, besohej që ishte politikë e qeverisë jugosllave e cila shqyrtonte format dhe mënyrat për të lehtësuar presionin në tregun e punës dhe papunësinë brenda vendit. Në mesin e këtyre emigrantëve nga Jugosllavia,  përfshirë të shumtë edhe nga Kosova, shumica ishin burra që vinin nga zonat rurale, me fare pak nivel të arsimit dhe me mundësi të limituara në punësim. Ndryshe nga Jugosllavia, në  periudhën e post-komunizmit, Shqipëria kishte përjetuar nivele shumë të larta emigrimi, pjesë e së cilës ishte edhe “Largimi i trurit”. Sipas artikullit “Kthimi nga emigrimi dhe “thithja e trurit” në Shqipëri” , periudha 1989-1998, njihet si Faza I e “Largimit të trurit”. Gjatë kësaj periudhe, 38.5 % e akademikëve dhe kërkuesve e lëshuan vendin duke kërkuar jetë më të mirë jashtë tij . 

Nevoja për një debat konstruktiv dhe të thjeshtëzuar rreth migrimit qarkor 

Për shkak të historisë, për këtë rajon, pa diskutim, emigrimi ka qenë dhe vazhdon të jetë një burim i rëndësisheëm rritjeje dhe lidhje me vendet me demokraci të zhvilluara. Megjithatë, sfida kyçe mbetet në promovimin e migrimit qarkor, i cili ende nuk është i implementuar sa duhet.  Sot, në epokën e digjitalizimit dhe tregjeve të hapura, fakti i lëvizjes së qytetarëve drejt vendeve më të pasura europiane nuk duhet të shkaktojë befasi. Sistemi i dobët i edukimit,  papunësia e lartë në mesin e të rinjve, dhe mungesa e stabilitetit shoqëror janë disa nga shkaktarët për largimin e qytetarëve jashtë vendit. Prandaj, shtetet në gadishullin Ballkanik, përfshirë edhe Kosovën kanë mjete të kufizuara për të parandaluar emigrimin e personave me kualifikime të larta. Para një muaji, Qeveria e Kosovës dhe qeveria gjermane kanë rënë dakord që të shkëmbejnë përvoja në aspektin e sigurimit, menaxhimit dhe kualifikimit të profesionistëve të shëndetësisë, por edhe në akreditimin dhe certifkimin e stafit infermier.  Ndonëse kjo marrëveshje është shumë pozitive për të ardhmen, e njëjta nuk përmban elemente të rëndësishme që shqyrtojnë mundësitë dhe lehtësimin e kthimit të atyre, të cilat janë larguar më parë, duke u prezantuar skema ekonomike dhe stimuj  të ndryshëm për kthimin e të tjerëve. 

Në mënyrë që ky rajon të shfrytëzojë përfitimet e mundshme nga migracioni, duhet të ndryshojnë fillimisht diskursin publik të liderëve ballkanas. Për momentin, diskutimi publik mbi emigracionin, kufizohet deri tek organizatat joqeveritare, mediat dhe grupet tjera të shoqërisë civile, të cilat paralajmërojnë për largimin e punëtorëve më të kualifikuar drejt vendeve më të zhvilluara. Ka ardhur koha që institucionet dhe politikëbërësit të pranojnë të vërtetën jo të këndshme në lidhje me numrin  dhe arsyet e njerëzve të cilët po largohen nga rajoni, në mënyrë që ta formësojnë debatin drejt një të mire të përbashkët. P.sh, vetëm nga Kosova nga viti 2013 deri më 2017 në total  llogaritet se kanë emigruar mbi 173,288 mijë qytetarë ose 9% e popullsisë së Republikës së Kosovës. Shprehur në shifra dhe statistika, i bie që numri total i atyre që kanë emigruar, e arrin totalin e popullsisë së Komunës së Prizrenit, e cila numëron 190 mijë banorë.  Për dallim nga viti 2015, kohë në të cilën shumica e emigrantëve aplikonin për azil, në vitet e fundit është hapur një rrugë e re e migracionit të institucionalizuar, kështu duke tërhequr më shumë punëtorë të kualifikuar. 

Ide dhe politika proaktive për “kthimin e trurit”

Në rastin e Kosovës, qeveria mund t’i referohet si shembull programeve të shteteve të tjera të cilat kanë angazhuar profesionistët nga jashtë vendit.  P. sh. Taiwani ka krijuar një databazë të profesionistëve nga diaspora për t’i lidhur dhe njoftuar ata me mundësitë e tregut brenda vendit; Lituania ka ngritur një rrjet global të shkencëtarëve dhe akademikëve me origjinë lituaneze, me qëllim të angazhimit të tyre në sistemin e edukimit. Shtete të tjera, si rasti i Etiopisë, kanë krijuar programe shkëmbimi për studentë e hulumtues nga diaspora me synim të afrimit dhe shfrytëzimit të potencialit të tyre për institucionet shtetërore. 

Ka ardhur koha që këtë temë ta bëjmë prioritet, dhe ta analizojmë mundesinë e kthimit të trurit në forma dhe mënyra të ndryshme. Duke analizuar trendet e migracionit, mendoj që shumë institucione dhe organizata, por edhe të rinj në Kosovë mund të përfitojnë nga njohuritë e profesionistëve nga diaspora, të cilët mund të vijnë në Kosovë në periudha të ndryshme kohore përmes programeve të shkëmbimit. Nëse kthimi i përhershëm në Kosovë është  i pamundur, dija dhe njohuritë e pjesëtarëve të diasporës mund të kalohen tek të tjerët në Kosovë dhe mund të shërbejnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fusha të ndryshme.

Fjolla Vukshinaj është politologe. Ajo punon në organizatën Germin, si menaxhere e projektit. Ky shkrim është opinion personal  i saj dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimin e organizatës.

Fotografi ilustruese nga Konferenca punuese “Diaspora Flet”, e cila mblodhi në maj 2017, në Prishtinë 170 profesionistë nga Diaspora.