Në një botë ku dijet dhe inovacioni nuk njohin kufij, bashkëpunimi mes akademikëve rezidentë dhe atyre të diasporës shqiptare, po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, për të ardhmen e arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe sipërmarrjes në Shqipëri.
Shkëmbimi i përvojave mes tyre si dhe marrja e njohurive të reja, nga modelet më inovative në Evropë e botë, është një nga qëllimet thelbësore të projektit “Diaspora4Innovation”.
Qëllimi i shkëmbimit të njohurive ishte thelbi i vizitës studimore në Venecia, e zhvilluar nga një grup prej 12 akademikësh, si nga Shqipëria ashtu edhe nga diaspora, së bashku me përfaqësues të GERMIN, EU4Innovation dhe medias. Vizita përfshiu një qendër inovacioni: H-FARM, një platformë dhe kampus që në thelb ka ndërtimin e sipërmarrjeve inovatore dhe ekosistemeve të inovacionit, duke synuar ndryshime me impakt, duke fuqizuar brezat për të udhëhequr me qëllime parimore, gjithçka mbështetur nga AI (inteligjenca artificiale); dhe Future-Farming – një qendër e transferimit të teknologjisë e zhvilluar në partneritet nga Zero dhe H-FARM.
Dita e parë e kësaj vizite studimore ishte pikërisht, në QTT Future Farming, një nga infrastrukturat teknologjike më inovative të Europës, realizuar në partneritet e bashkëpunim të ngushtë mes sektorit publik e atij privat, mes bizneseve dhe kërkuesve shkencorë. Kompania Zero – 49% aksionere e Future Farming, është një aktor kyç evropian në bujqësinë vertikale, që ofron zgjidhje modulare dhe të drejtuara nga inteligjenca artificiale për bujqësinë, ushqimin, farmaceutikën, kozmetikën dhe eko-rehabilitimin.
Akademikët mësuan mbi metodat e formulat që aplikohen në Future Farming, për përdorimin e teknologjive në bujqësi, duke iu referuar paradigmës së “Nature Co-design”, pra duke studiuar si krijohet jeta në natyrë, për të gjetur kështu mënyrat e replikimit të saj, metodat e reja të realizimit të produkteve për biznesin e nevojat e shoqërisë, nëpërmjet kërkimeve shkencore, laboratorëve e teknologjisë.
Vizita e radhës ishte në H-FARM, hapësira ku gërshetohet arsimi, sipërmarrja dhe teknologjia. Akademikët vizituan nga afër kampusin modern, me hapësirat e jashtëzakonshme, si habitat perfekt për nxitjen e kreativitetit, ideve të reja, si dhe duke pasur në fokus kryesor mirëqenien e studentëve. Ata eksploruan qendrën e startup-eve dhe më pas u prezantuan me programet për zhvillimin e startup-eve, si edhe me qasjen arsimore të H-FARM College, me një fokus të veçantë në ofertën e tij ndërkombëtare.
Gjatë kësaj vizite akademikët pjesë e delegacionit vlerësuan eksperiencën që do t’ju shërbejë për implementimin, në një të ardhme, jo shumë të largët, edhe në universitetet shqiptare si dhe rëndësinë që këto vizita studimore kanë, për zgjerimin e bashkëpunimit në projekte të ndryshme, mes akademikëve që jetojnë në Shqipëri dhe akademikëve që tashmë kanë shënuar suksese të mëdha, në universitetet më të mira të Evropës e botës, ku ata punojnë.
Prof. Asoc.Valentina Ndou, që konceptoi këtë vizitë studimore dhe mundësoi lidhjet, u shpreh: “Disa nga këto nisma me të cilat u prezantuam në Venecia janë të njohura për akademikët tanë. Shumë prej tyre, që ishin pjesë e kësaj vizite studimore kanë filluar madje t’i aplikojnë në lëndët e tyre, në universitet ku punojnë. Por në Shqipëri është ende e vështirë që të aplikohen plotësisht këto nisma, sepse mungon infrastuktura dhe nevojitet një bashkëpunim më i madh si në nivel universitar ashtu edhe në atë të ndër-ministerial e të biznesit gjithashtu”.
Valbona Koçi, këshilltare në EU4Innovation, e vlerëson këtë vizitë studimore si një mundësi, për t’i sjellë edhe më pranë akademikët e diasporës me ata që jetojnë në Shqipëri.
Një aset të çmuar, i cilëson akademikët e diasporës shqiptare edhe bashkëdrejtori i GERMIN, z. Lirim Krasniqi, i cili theksoi se theksoi se falë tyre, Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë me zhvillimet inovative nëpër Europë e botë, duke ndihmuar kështu në ngritjen e kapaciteteve dhe arritjen e niveleve të duhura në vend.
Projekti Diaspora4Innovation (që mbështetet nga EU4Innovation, financuar nga Bashkimi Evropian, qeveria Gjermane dhe ajo Suedeze) po tregon se si institucionet mund të luajnë një rol kyç në lidhjen e akademisë në Shqipëri, diasporës dhe politikëbërjes, duke siguruar që universitetet shqiptare të mos jenë të izoluara, por të integruara në trendet evropiane të inovacionit.
Të gjitha nismat që po ndërmerren në kuadër të këtij projekti po tregojnë më së miri se të mësuarit nuk njeh kufij. Dija mund të zhvillohet jashtë kufijve, por inovacioni do të kthehet gjithmonë në “shtëpinë” e vet, për ta pozicionuar Shqipërinë, si faktor të rëndësishëm, në ekosistemin rajonal e atë Evropian, të inovacionit.


