Gusht 2, 2018
Në ditën e Diasporës, Germin rikujton kërkesat e Diasporës karshi institucioneve të Kosovës
Nga Germin-1842 Shikime-Asnjë koment
Në ditën kombëtare të Diasporës në Kosovë (2 gusht 2018), organizata jo-qeveritare Germin rikujton kërkesat e Diasporës tek institucionet politikëbërëse për të përmirësuar dhe avancuar të drejtat politike, socio-ekonomike dhe kulturore të pjesëtarëve të Diasporës. Me themelin e Ministrisë së Diasporës (2011) u bë një hap shumë i rëndësishëm për të njohur rëndësinë dhe kontributin e bashkatdhetarëve, mirëpo, mundësitë e angazhimit të Diasporës në vendin amë janë të limituara dhe duhet akoma punë në lehtësimin e dialogut të dyanshëm mes Institucioneve Publike dhe Diasporës.
Gjatë konferencës Diaspora Flet, organizuar nga Germin, komunitetet e diasporës kanë paraqitur disa nga kërkesat dhe sfidat, të cilat kërkojmë që të trajtohen më me seriozitet nga ana e institucioneve për grupin më të madh social që jeton jashtë vendit:
- Avancimi i të drejtës së votës, e drejtë e garantuar me Kushtetutë, do të lehtësonte pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje. Zgjatja e afatit për pranimin e fletëvotimeve nga diaspora dhe transparenca gjatë numërimit do të përmirësonte votimin me postë. Në planin afatmesëm, duhet të merren hapa për lansimin e votimit në misionet diplomatike, kurse në atë afatgjatë të shikohen mundësitë për votim online;
- E drejta e përfaqësimit në institucione është e domosdoshme për shkak të kontributit të tyre dhe sjellë në politikën e Kosovës përvojën e demokracive në vendet perëndimore. Për këtë të inicohet krijimi i Këshillit Global të Diasporës Shqiptare që do të jetë jo-politik dhe do të shërbejë si një urë zyrtare institucionale ndërmjet shqiptarëve brenda dhe jashtë vendeve të tyre;
- Mësimi plotësues i gjuhës amtare në Diasporë, ka ende probleme serioze për aplikimin e kritereve të larta. Një nga rekomandimet e Germin është që të saktësohet me ligjin e ri të Diasporës financimi i mësimit plotësues duke përfshirë kualifikimin e mësimdhënësve shqiptarë në Diasporë;
- Angazhimi i ekspertëve të Diasporës në Kosovë përmes programeve për angazhim në atdhe dhe kthimin e trurit;
- Të rregullohet sistemi aktual për sigurimin kufitar dhe të paguhen në përputhje dëmet e shkaktuara nga aksidentet. Vetëm në vitin 2014 janë shitur 488 mijë polica kufitare, në vlerë 14 milionë e 600 mijë, kurse dëmet e paguara janë vetëm 1 milionë e 300 mijë. Një nga rekomandimet është që Byroja e Sigurimeve Kufitare të ndjek rrugën e anëtarësimit të Kosovës në organizata e tjera, të cilat kishin kriter anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe të pranohemi në Kartonin e Gjelbër. P.sh Banka Qendrore e Kosovës, apo anëtarësimi në FIFA.
Në anën tjetër, edhe diaspora duhet të organizohet me angazhim dhe avokim që të ndikojë nëse dëshiron të shohë ndryshimet e bëra realitet.
“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”.