fbpx
Tetor 11, 2019

GERMIN kërkon të trajtohen mbi 4,500 pako të fletëvotimeve të paverifikuara nga Diaspora

Nga Germin-1698 Shikime-Asnjë koment

Organizata GERMIN është duke vëzhguar për herë të parë procesin e verifikimit e pakove të votave të dërguara përmes postës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura me 6 tetor 2019. Përmes vëzhguesve të saj të akredituar, GERMIN po monitoron nga afër procesin e hapjes dhe vlerësimit të pakove me fletëvotime nga jashtë vendit.

Gjatë këtij procesi, GERMIN ka vërejtur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka kualifikuar si të papranueshme afër 4536 pako me fletëvotime nga diaspora që kanë arritur në adresë të KQZ-së pas datës 5 tetor, por të cilat janë nisur me postë rreth 2 javë para datës së zgjedhjeve (një numër i konsiderushëm i tyre figurojnë të dërguara me datë 19, 20 dhe 21 shtator 2019). Duke marrë për bazë afatin e shkurtër kohor por edhe problemeve të paparalajmëruara gjatë dërgesave postare, vonesa në arritjen e zarfeve me kohë është bërë për shkaqe objektive të postës, prandaj GERMIN kërkon nga KQZ që të vlerësohen dhe numërohen edhe këto pako që kanë arritur pas afatit përfundimitar të 5 tetorit. Mospranimi i votave pa faj të tyre do të nënkuptonte cenim të të drejtës kushtetuese të tyre për të votuar.

GERMIN vlerëson shumë vullnetin e lartë të diasporës për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar, prandaj kërkon që këto pako të pranohen, marrë për bazë që të gjitha janë dërguar para afatit të vendosur nga KQZ-ja. Kjo do të ndikonte në rritjen e legjitimitetit demokratik, siç kemi kërkuar edhe para fillimit të procesit zgjedhor.

Njëkohësisht GERMIN shpreh shqetësime rreth votave të dërguara me postë nga Republika e Serbisë, të cilat i kanë të gjitha zarfet me madhësi, ngjyrë dhe mbishkrim të njejtë, gjë që lë hapësirë për dyshim se këto zarfe janë plotësuar dhe dërguar në mënyrë të orkestruar në adresë të KQZ-së. Poashtu ka edhe një jo konsistencë në dokumentet identifikuese brenda këtyre zarfeve, duke hasur në dokumente të cilat identifikojnë dy persona të ndryshëm nga ana e përparme dhe ajo e pasme e kartës identifikuese. GERMIN kërkon nga KQZ-ja që të mos lejojë që të bëhet një ndërhyrje e tillë jo-demokratike në sistemin zgjedhor.