fbpx
Janar 24, 2022

GERMIN uron për Ditën Ndërkombëtare të Edukimit

Nga Germin-1729 Shikime-Asnjë koment

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Edukimit. Në mënyrë që të njihet roli që ka edukimi në paqe dhe zhvillim, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 24 janar të vitit 2018 vendosi që 24 janarin ta shpallë si datën ndërkombëtare të edukimit. Sivjet festohet për herë të katërt kjo dite dhe tema që Kombet e Bashkuara kanë zgjedhur është “Ndryshimi i qasjes, transformimi i edukimit”.

GERMIN, si mision primar të tij ka edukimin dhe këtë e ka dëshmuar përmes programeve të ndryshme. GERMIN, ka një perspektivë ndryshe sa i përket edukimit. Meqë jemi një organizatë që merret me Diasporë ne besojmë që duke sjellë perspektiva të freskëta dhe inovative nga profesionistët e suksesshëm në diasporë, do u ndihmojmë të dy palëve. Qytetarëve në Kosovë duke marr informacione dhe njohuri nga ekspertët e diasporës, kurse pjesëtarëve të diasporës duke i lidhur më shumë me vendlindjen.

Në projektin e vitit 2017 të quajtur “Shkolla e Diasporës në Kosovë”, GERMIN, ka arritur që të krijojë një lidhje në mes të Kosovës dhe profesionistëve të diasporës. Prizreni dhe Malisheva ishin komunat ku është implementuar ky projekt me qëllim të zhvillimit të ekonomive lokale. Profesionistët e diasporës kanë shkëmbyer njohuritë dhe eksperitizën e tyre me bashkëvendësit në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe është krijuar një mekanizëm që u lejonte profesionistëve të rinj të diasporës të krijojnë një lidhje me vendlindjen, identitetin, kulturën dhe historinë e tyre si dhe mbi të gjitha të kuptojnë potencialin që ata kanë për të investuar në Kosovë.

Projekti tjetër “Diaspora për Rininë” – Angazhimi i profesionistëve të diasporës për mobilizimin e rinisë për pjesëmarrje, përfaqësim dhe qytetari aktive – ka pasur për qëllim pikërisht fuqizimin e nxënësve të shkollave të mesme, duke i lidhur ata me mentor/e dhe profesionistë nga diaspora. Kjo iniciativë kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe mobilizimin e gjeneratave të reja, që të jenë qytetar aktiv dhe të përgjegjshëm për Kosovën që të gjithë duan.

Përmes DiasporaED, GERMIN ka arritur që t’i trajnojë rreth 1 mijë nxënës nga mosha 15 deri në 18 vjeç, në 10 komunat e Kosovës. Temat që janë diskutuar me këta nxënës kanë qenë kryesisht të lidhur me ‘aftësitë e buta’ dhe janë trajnuar nga profesionistët e diasporës. GERMIN, beson që duke investuar në edukimin e gjeneratave të reja, ne mbështetim jo vetëm zhvillimin e një shoqërie demokratike por dhe përgatitim qytetarë të ndërgjegjshëm.

Për informacione më të hollësishme lidhur me DiasporaED, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm: