Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë që fotografi i mirënjohur Fadil Berisha, bëhet pjesë e Bordit të Drejtorëve të GERMIN-it.
Berisha iu bashkohet bordit profesional të GERMIN-it me qëllim të dhënies së kontributit të tij për diasporën shqiptare dhe vendin e tij të origjinës.
Fadil Berisha, ka lindur në Kosovë por në moshë të hershme ka emigruar për në Itali e më pas në Amerikë. Ndonëse gjithë jetën e ka kaluar në kontintetin amerikan, për të lidhja me shqiptarët nuk është zbehur asnjëherë. Përkundrazi ai vazhon të mbetet adresa kryesore e shumë shqiptarëve të cilët emigrojnë në Amerikë. Berisha përmes artit të tij mundohet që të paraqes shqiptarët prej një këndi tjetër – të paraqes që shqiptarët kanë traditë, kulturë e histori të pasur.
Këtë atdhedashuri Berisha e ka të trashëguar ndër breza. Në intervistat e dhëna për mediat shqiptare, Berisha, gjithmonë e potencon që prindërit e tij janë një prej arsyeve që ai nuk ka rreshtur asnjëherë së kontribuari për vendin e origjinës.
“E mbaj mend nënën time gjithmonë me sytë me lot, e mbaj mend dëshirën të shikoja këto vende e njerëz për të cilët prindërit e mi kishin kaq mall e dashuri”, shprehej Berisha në një intervistë të dhënë për Telegrafi.com në prill të vitit 2019. telegrafi.com në prill të vitit 2019.
Por Berisha, nuk është i njohur vetëm për komunitetin shqiptar. Madje, ai karrierën profesionale e nisi pikërisht me fotografimin e një gruaje të njohur, sic është Denise Richards, ish-gruaja e aktorit të njohur Charlie Sheen. Pas saj, Berisha ka fotografuar personalitete të njohura botërore si: Donald Trump, Russell Simmons, Bill Clinton, Halle Berry, Snoop Dogg, Roger Federer, Fergie, Patti LaBelle, Harry Belafonte, Jennifer Beals, Beverly Johnson, Robert Evans, Kim Kardashian, Tyra Banks etj.
Bordi i Drejtorëve i GERMIN-it ka luajtur gjithmonë rol pro-aktiv për vendimet dhe misionin që ka organizata jonë. Prandaj ekipi i GERMIN, është i lumtur që një personalitet i njohur si Berisha nga tash e tutje do të kontribuojë në misionin tonë të përhershëm, që diasporën shqiptare ta lidhim me vendin e origjinës.
GERMIN është një organizatë joqeveritare që përdor teknologjinë dhe kanalet virtuale për të lidhur dhe angazhuar Diasporën në avancimin e zhvillimit dhe demokratizimit të vendeve të tyre. GERMIN filloi në 2011 si një grup joformal që përpiqej të gjente rrugën për t’u lidhur me atdheun dhe u themelua zyrtarisht në 2014. Për momentin GERMIN operon me zyret e saja ne Prishtinë e Tiranë.