fbpx
Dhjetor 15, 2023

GERMIN diskutoi temën “Diaspora për Zhvillimin e Politikave” me diasporën shqiptare në Gjermani

Nga Bublina Peni-336 Shikime-Asnjë koment

Përgjatë datave 12 dhe 14 dhjetor GERMIN organizoi dy takime me diasporën shqiptare në Gjermani, përkatësisht në Berlin dhe Hamburg për të diskutuar së bashku me diasporën shqiptare rreth kontributit të tyre në zhvillimin e politikave në Kosovë.

Qëllimi parësor i këtyre diskutimeve ishte analiza e nevojave dhe hartimi i vazhdueshëm i legjislacionit për angazhimin e diasporës në Kosovë. Përmbledhja e këtyre diskutimeve dhe analizave do t'i dërgohet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për t'u përfshirë në strategjinë dhe ligjin e ri për diasporën.

Në takimin e parë të mbajtur më 12 dhjetornë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, GERMIN mbajti takim me një pjesë të komunitetit të diasporës shqiptare në Gjermani, për të diskutuar lidhur me kontributin e tyre potencial në zhvillimin e politikave në Kosovë, si dhe nevojat dhe sfidat e tyre për t’u lidhur e angazhuar me institucionet shtetërore.

Foto nga takimi me diasporën shqiptare në Berlin për të diskutuar për temën “Diaspora për Zhvillimin e Politikave”.

Me fjalë hyrëse në këtë takim të pranishmëve ju drejtuan: Z. Faruk Ajeti, Ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin dhe Blerta Lazebegu, Kryetare e Organizatës së Akademive dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare (OASA) në Berlin. Ndërkaq, Lirim Krasniqi, Bashkë-Drejtor Ekzekutiv në Germin, informoi të pranishmit mbi qëllimin e projektit "Diaspora për Zhvillimin e Politikave".

Gjatë diskutimit të hapur, pjesëmarrësit ndanë opinionet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me strategjinë dhe ligjin e ri për diasporën, të cilin Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pritet ta publikoj për konsultim publik së shpejti.

Foto nga diskutimi i hapur me diasporën shqiptare në Berlin.
Foto nga takimi me diasporën shqiptare në Berlin për të diskutuar për temën “Diaspora për Zhvillimin e Politikave”.

Disa nga sfidat kryesore që u theksuan gjatë bisedës ishin pengesat dhe mundësitë për mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit, mungesat organizative të shoqatave në diasporë, si dhe proceset burokratike për investime dhe angazhim ekonomik në Kosovë. Regjistrimi i diasporës ishte një temë tjetër që u diskutua në këtë takim.

Ndërkaq, më 14 dhjetor,GERMIN organizoi në Hamburg takimin e dytë me diasporën shqiptare në Gjermani, në kuadër të diskutimeve për kontributet e diasporës në zhvillimin e politikave në Kosovë.

Ky takim u realizua në bashkëpunim me shoqatën ODA e.V. Hamburg - Organisation deutsch-albanischer Akademiker dhe në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Hamburg dhe u mbajt në hapësirat e Konsullatës në Hamburg.

Foto nga takimi me diasporën shqiptare në Hamburg për të diskutuar për temën “Diaspora për Zhvillimin e Politikave”.

Fjalën e hapjes e mbajtën Znj. Saranda Osmani, U.D. Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg dhe Muhamet Idrizi, Kryetar i Odës së Hamburgut. Ndërkohë, Lirim Krasniqi, Bashkë-Drejtor Ekzekutiv në Germin, moderoi diskutimin, i cili mblodhi të gjitha gjeneratat e bashkatdhetarëve në Hamburg, nga imigrantët e parë të viteve 60-ta e deri tek ata që kanë lindur ose janë zhvendosur viteve të fundit në zonën e Hamburgut.

Ndër temat kyçe të diskutimit ishin: mësimi i gjuhës shqipe jashtë vendit, organizimi i bashkatdhetarëve në shoqata profesionale, problemet me dyshtetësinë dhe dokumentacionin mbi prejardhjen në Gjermani, diplomacia publike, si dhe organizimi me karakter ekonomik/biznesor në relacion me vendin amë. Diskutimi përfshiu edhe temën e regjistrimit të diasporës dhe qasjes në informacion mbi shërbimet në Kosovë.

Foto nga diskutimi i hapur me diasporën shqiptare në Hamburg.
FOTO: disa nga pjesëmarrësit në takimin me diasporën shqiptare në Hamburg.

Në takim, mes tjerash, u diskutua mbi ligjin dhe strategjinë e re të Kosovës për diasporën, e cila pritet të publikohet për konsultim publik nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Përmbledhja e këtyre diskutimeve dhe analizave do të analizohet tutje dhe do të avokohet tek Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe Komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës, për përfshirjen e zërave të diasporës në strategjinë dhe ligjin e ri.

Këto diskutime u zhvilluan me mbështetjen e projektit rajonal“SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor”të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM),dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).

Përmbajtja e këtij postimi është përgjegjësi vetëm e GERMIN si zbatues i projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).