fbpx
Mars 3, 2020

Analizë: Votimi nga Jashtë Vendit - Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2019

Nga Germin-4165 Shikime-Asnjë koment

Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen njësoj sikurse të gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë. Republika e Kosovës përmes legjislacionit të saj mundëson ushtrimin e të drejtave zgjedhore për të gjithë qytetarët pa dallim, pavarësisht vendit ku ata jetojnë. Të drejtat zgjedhore hyjnë në kuadrin e të drejtave themelore, dhe garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjet në fuqi. Në Kosovë votimi nga jashtë vendit lejohet për të gjitha llojet e zgjedhjeve. Qytetarët jo-rezidentë mund të votojnë përmes postës në Zgjedhjet Lokale apo Qendrore, pasi të jenë regjistruar suksesshëm për votim pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Mirëpo, edhe pse ekziston një numër i madh i qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, pjesëmarrja e tyre në Zgjedhje në Kosovë vazhdon të mbetet e ulët. Votimi nga jashtë vendit, që prej zgjedhjeve të para, pas shpalljes së pavarësisë, nuk është trajtuar me prioritet dhe problemet e raportuara gjatë cikleve zgjedhore nuk janë adresuar mjaftueshëm. Kjo ka bërë që potenciali elektoral jashtë vendit ta ketë të vështirë pjesëmarrjen në proceset demokratike në vendin e origjinës, gjë e cila ka ndikuar edhe në besueshmërinë e tyre ndaj institucioneve në Republikës së Kosovës.

Një numër i madh i vëshguesve dhe monitoruesve pajtohen që proceset zgjedhore në Kosovë kanë pasur përgjithësisht ngritje të cilësisë me kalimin e viteve. Mirëpo, kjo nuk është reflektuar edhe në pjesën e votimit nga jashtë vendit. Problemet në procesin e aplikimit për t’u kualifikuar si votues nga jashtë, komunikimi i ngadaltë dhe informimi i dobët, si dhe problemet me dërgimin dhe pranimin e zarfeve me fletëvotime kanë përcjellë pothuajse çdo cikël zgjedhor dhe vazhdojnë të jenë aktuale. Edhe pse që nga zgjedhjet e vitit 2017 KQZ ka bërë disa ndryshime, duke ofruar opsionin e aplikimit përmes emailit zyrtar, votimi nga jashtë vendit, siç u dëshmua edhe me zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, vazhdon të mbetet sfidues.

Kjo analizë synon të adresojë pengesat në procesin votimit nga jashtë me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së pjestarëve të diasporës në Zgjedhje në Kosovë. Analiza paraqet të dhënat mbi votimin nga jashtë gjatë zgjedhjeve të fundit për Kuvendin e Kosovës të vitit 2019. Në këtë dokument trajtohen: rëndësia e të drejtës e votës, procedurat dhe pjesëmarrja në zgjedhje e qytetarëve jashtë vendit, rezultatet e votimeve dhe pengesat gjatë procesit. Po ashtu, në pjesën e fundit jepen rekomandime konkrete për institucionet relevante për ndryshimet që duhen bërë me qëllim të tejkalimit të pengesave dhe zgjerimit të mundësive për votim nga jashtë.

Ju mund të lexoni/shkarkoni analizën duke klikuar në vegëzat e mëposhtme. Analiza është e qasshme në gjuhën shqipe, angleze dhe gjuhën serbe.

*Publication of this analysis was supported by Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC)